Grushtat në ambasadë, kallëzohet Dishnica

TIRANË- Dy diplomatët shqiptarë në Greqi, Vili Minarolli e Faik Dishnica, akuzojnë njëri-tjetrin për incidentin e ndodhur në ambasadën tonë në Athinë, por vetëm njëri prej tyre çohet për ndjekje penale në prokurori.

Paraditen e djeshme, juristët e Ministrisë së Brendshme dorëzuan në kryesekretarinë e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal ndaj konsullit të pezulluar Faik Dishnica, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale të "goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës" ndaj ambasadorit Minarolli. Sipas burimeve të akuzës mësohet se me dorëzimin e kallëzimit penal, përfaqësuesit e prokurorisë kryen regjistrimin e procedimit dhe gjatë ditëve në vazhdim pritet që ambasadori Minarolli të merret në pyetje, në cilësinë e personit të dëmtuar, për të sqaruar ngjarjen e paprecedent në historinë e diplomacisë shqiptare.

***

Depozitimi i kallëzimit nga ana e juristëve të Ministrisë së Brendshme dhe jo të asaj të Jashtme është argumentuarse ky dikaster është kompetent për ruajtjen dhe krijimin e kushteve të sigurisë fizike për personelin e ambasadave në shtetet e tjera. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Jashtme, shkaku i zënkës që ka degjeneruar në grushta e sharje ka qenë kërkesa e konsullit Dishnica për lejen e zakonshme verore. Burimet pranë të dy palëve sqarojnë se ambasadori Minarolli dhe konsulli Dishnica ia hedhin fajin njëri-tjetrit për fillimin e ofendimeve, sharjeve dhe më pas grushtimit mes tyre brenda zyrës së ambasadorit Vili Minarolli. Por burimet nga Ambasada konfirmojnë se ishte konsulli Dishnica ai që kishte sulmuar Minarollin, pasi më parë kishte hyrë me forcë në ambasadë duke kërkuar takim me "shefin". Ndërkohë, njerëz pranë konsullit, ndaj të cilit ishte ngritur një akuzë për falsifikim thanë për "Shekullin" se ishte konsulli që u bë pre e sulmit nga Minarolli.

***

Pas kërkesës për takim nga konsulli Dishnica, ambasadori ka refuzuar duke u shprehur se: "për mua ju jeni i pushuar nga puna". Kanë mjaftuar këto fjalë, që konsulli Dishnica të mos respektojë rregullat e sigurisë dhe të ngjitet në zyrën e ambasadorit Minarolli, duke shpërfillur rojet e sigurisë. Pas hyrjes në zyrë, mësohet se Dishnica i ka kërkuar ambasadorit lejen e zakonshme dhe njëkohësisht i ka dhënë vendimin e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e akuzave ndaj tij, për mungesë provash. Sipas këtyre burimeve, thuhet se ambasadori Minarolli ka kërkuar nga konsulli t'i drejtohet Ministrisë së Jashtme dhe të dalë urgjentisht nga zyra, kërkesë kjo e kundërshtuar nga konsulli Dishnica. Më pas bisedat janë zhvilluar me tone të larta dhe kanë degjeneruar në grushta e shqelma ndaj njëri-tjetrit. Sipas personelit të ambasadës, Minarolli ka qenë objekt i sulmit nga konsulli. Ata shtojnë se pas këtij sulmi, ambasadori ka reaguar në gjakftohtësi ndërsa Dishnica është larguar nga ambasada nën shoqërimin e rojeve të sigurisë. Të njëjtat burime konfirmojnë se ambasadori ka shenja të dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, shenja këto që priten të verifikohen nga organi i akuzës.

KALLEZIMI
Konsulli i Janinës u akuzua për falsifikime

TIRANË- Denoncimi i djeshëm është i dyti që Ministria e Brendshme dërgon brenda një kohe të shkurtër në prokurori, në emër të konsulli në Janinë, Faik Dishnica. Së bashku me sekretaren e tij, ai u akuzua për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve zyrtare" dhe "shpërdorimit të detyrës", akuza të cilat sipas prokurorisë, nuk u faktuan gjatë hetimeve. Në kallëzim thuhet se gjatë një kontrolli të inspektorëve të Ministrisë së Brendshme në formularët e aplikimeve për pasaporta nga emigrantët shqiptarë, janë evidentuar disa formularë të falsifikuar të cilat ishin të plotësuar dhe ishin dorëzuar nga emigrantët shqiptarë në Greqi, për nxjerrjen e pasaportës. Konsulli në Janinë, i pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve, akuzohej pse i kishte pranuar këto dokumente, të cilat mbanin firmën e tij. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, kallëzimi i dorëzuar nga Ministria e Brendshme në fund të muajt mars të këtij viti i akuzonte dy personat e mësipërm për abuzime gjatë punës së tyre, në pranimin e këtyre formularëve të falsifikuar. Nga ana e saj, prokuroria e Tiranës ka verifikuar kallëzimin e më pas ka vendosur të pushojë çështjen, pasi nuk ka gjetur prova që fajësojnë konsullin shqiptar në Janinë. (Shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors