Lezhë, ekzekutohet me silenciator 42-vjeçari

Lezhë- Ka qenë duke pirë kafenë e mëngjesit, por është ekzekutuar me silenciator dhe ka mbetur i vdekur në vend. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në një lokal të Lezhës, ku Pashk Jaku, 42-vjeç, humbi jetën në vend, pas goditjes me dy plumba pistolete.

Autorët, dy persona me motor dhe me kaska në kokë, menjëherë pas krimit janë larguar pa lënë gjurmë në drejtim të Zejmenit. Hakmarrja për ndarjen nga gruaja e parë është pista kryesore për të cilën po heton policia, duke punuar edhe në të tjera drejtime, si ajo e një vrasjeje me pagesë dhe për të tjera konflikte që mund të ketë pasur viktima.

Ekzekutimi

Vrasja ndodhi në orën 06.45 të mëngjesit të djeshëm. Pak minuta më parë, 42-vjeçari, Pashk Jaku, pasi ndaloi kamionin e tij në hyrje të qytetit të Lezhës, hyri në një lokal në lagjen "Gurrat e Begut",njohur ndryshe edhe si "stacioni i udhëtarëve të veriut". Sipas burimeve zyrtare të policisë dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, ai porositi një kafe dhe një konjak. Këtë e pohon edhe pronari i lokalit, pas dëshmisë së tij në polici. Sipas tij, viktima u ul në një tavolinë jashtë lokalit, i vetëm dhe nisi të pinte kafenë. Brenda pak çastesh, lokalit, që është vetëm 5 metra larg rrugës nacionale, iu afrua një motor me dy persona, me kaska në kokë. Prej tij, zbriti njëri, iu afrua Pashk Jakut, nxori pistoletën dhe me dy të shtëna e la të vdekur në vend. "Mendohet që viktima është ndjekur nga autorët, të cilët kanë qenë të sigurt për destinacionin dhe qëndrimin e tij në lokal",- thonë burimet policore.

Autorët, të paidentifikuar

Në mënyrë po aq të rrufeshme sa edhe erdhën, dy personat me motor, që sipas policisë mendohet të jenë edhe dy vrasës me pagesë, u larguan me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve, ata janë larguar në drejtim të fshatit Zejmen. Policia e njoftuar me urgjencë mbërriti në vendin e ngjarjes dhe bëri ekspertizën e kufomës.
Paralelisht me këtë po punohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të krimit. Por, sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, megjithë punën e bërë, deri në mbrëmjen e djeshme nuk kishte asnjë të dhënë për emrat e autorëve. Madje, as të dyshuar të mundshëm për këtë. Fill pas krimit, policia ngriti postblloqe në të gjitha hyrjet e Lezhës, por pa mundur të zbulojë autorët që ekzekutuan 42-vjeçarin.

Pistat

Hakmarrja për një martesë të prishur nga ana e viktimës mbetet pista kryesore. Sipas policisë së Lezhës, mësohet se krimi ka lidhje pikërisht me prishjen e martesës së parë të Pashk Jakut, i cili pasi la gruan, pak vite më parë, u martua për herë të dytë. Mësohet se gruaja e parë e tij ishte me origjinë nga Mirdita, të cilën sipas të dhënave e ka lënë pa asnjë shkak dhe u martua me një tjetër grua nga Lezha. Nisur edhe nga zakonet kanunore të zonës, policia ka vënë si pistë të parë pikërisht këtë version, duke ngritur dyshime te njerëzit e ish -bashkëshortes. Sipas policisë, mendohet se ata duhet të kenë gisht në këtë vrasje, ndonëse gjithçka i mbetet hetimeve. Megjithëse të bindur në këtë pistë, policia po heton edhe në të tjera drejtime. Sipas saj, mendohet se për vrasjen mund të jenë porositur vrasës me pagesë, kjo për të realizuar më së miri krimin dhe për të humbur gjurmët. Pistë tjetër, në hetim, por pak e besueshme nga ana e policisë është ajo e ndonjë konflikti tjetër që mund të ketë pasur viktima.(shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors