Në mbledhjen me krerët e PS-së, pritet që të bëhet një analizë në të cilën ndodhet partia dhe do të vendoset edhe për hapat e mëtejshëm 
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thërritur sot në kryeqytet të gjithë krerët e degëve të PS-së në rrethe si dhe krerët e pushtetit lokal, ku fitues janë socialistët, për t’i njohur me situatën në të cilën ndodhet kjo parti, pas dështimit që pësoi në zgjedhjen e presidentit. Po kështu sot në mesditë, 6 deputetët “nanoistë” do japin llogari para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me shkeljen e vendimit politik të marrë në këtë formacion për të mos marrë pjesë në seancën ku u votua për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Në mbledhjen që do të zhvillohet paradite me krerët e PS-së në rrethe, pritet që të bëhet një analizë e hollësishme e situatës në të cilën ndodhet partia dhe do të vendoset edhe për hapat e mëtejshëm.
Nuk dihet ende se cili do të jetë hapi i radhës që do të kryhet nga kjo parti, po të kemi parasysh faktin se para disa ditësh, kreu i saj Edi Rama nisi fushatën në rrethe, për të sensibilizuar bazën për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Burime nga PS-ja shprehen se kjo pritet të jetë edhe pika më e nxehtë e mbledhjes së deputetëve socialistë, pas akuzave dhe kundërakuzave që janë shkëmbyer mes drejtuesve të PS-së dhe 6 deputetëve që morën pjesë në seancë, për të cilët pritet edhe një përjashtim nga grupi i partisë më të madhe opozitare. Pjesëmarrja e 6 deputetëve të PS-së në votimin e zhvilluar për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, solli dorëheqjen e menjëhershme të kreut të grupit parlamentar të kësaj partie, Ben Blushi, dorëheqje e cila u bë disa minuta pas deklarimit të fitores së Bamir Topit në postin e Presidentit. Një akt i tillë u bë në shenjë proteste ndaj mosbindjes së 6 deputetëve të njohur tashmë si mbështetës të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano, një nga kandidatët për postin e kreut.
Përjashtimi
Dy ditë më parë, ish-sekretari i PS-së për Burimet Njerëzore, Blendi Klosi u shpreh se 6 deputetët janë tashmë të vetëpërjashtuar pas pjesëmarrjes në seancën plenare, për të cilën grupi kishte marrë një vendim politik për të mos qenë i pranishëm. Por një gjë e tillë kundërshtohet nga deputeti tashmë i vetëshpallur i pavarur, Taulant Dedja. “Nuk ka asnjë lloj vendimi për përjashtimin e 6 deputetëve nga Partia Socialiste, pasi normalisht ata mund të çregjistrohen vetëm nga organizata që i ka pranuar në parti”, - u shpreh Dedja dje gjatë një prononcimi për mediat. Madje sipas kësaj logjike, Dedja shprehet se “kjo do të thotë se do të ikë Edi Rama nga Partia Socialiste dhe jo ne”. “Deputetët do të vijojnë të jenë të pranishëm në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, pasi ky grup nuk merr vendime për përjashtime të deputetëve”, - u shpreh Dedja. Ai bëri të ditur se këto janë gjëra të parashikuara në statutin e partisë. “Ndërkohë që ka dy muaj që në PS nuk merret asnjë lloj vendimi”, - tha Dedja. Artemida Çollaku. (BalkanWeb)
Kthehu Mbrapa
 
0 Comments:
Post a Comment