Gjykata rikthen në punë nëntë policët e shkarkuar

Drejtoria e Policisë do t’u paguajë rrogën e një viti nëntë ish-policëve të pushuar në intervale të ndryshme kohore këto dy vitet e fundit

Gjirokaster- Ish-policët, Alush Aliko, Hodo Cani, Izet Ahmeti, Genci Kroi, Tahir Çela, Dilaver Beqiri, Edi Balili, Adriatik Logli dhe Çajup Aliko, janë larguar nga detyra me urdhër të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër. Por pas kësaj, ata e kanë quajtur të padrejtë motivin e largimit dhe për këtë i janë drejtuar individualisht gjykatës. Tashmë, Policia e Gjirokastrës do të nxjerrë nga buxheti i saj shumën prej 3 milionë lekësh për policët e shkarkuar, vendim i cili sipas gjykatës, ka qenë i padrejtë. Secili prej policëve të larguar nga detyra do të përfitojë përafërsisht 300 mijë lekë.

GJYKATA
Shkalla e Parë në Gjirokastër, në të cilën policët kanë kërkuar dëmshpërblim ose rikthim në punë, pasi ka studiuar dosjet dhe motivin e largimit për secilin prej tyre, ka vendosur që drejtoria e policisë t’u japë rrogën për një periudhë njëvjeçare, që nga dita e pushimit nga puna. Pjesa dërrmuese e policëve të pushuar nga puna, për një periudhë të gjatë kohe kanë shërbyer në pika të ndryshme kufitare në Kakavijë.

Pushimi i tyre sipas drejtorisë së policisë, është bërë për favorizim të trafikut klandestin dhe motivacione të tjera të përngjashme. Por gjatë procesit gjyqësor dhe nga studimi i dosjeve që u krye për ta, nuk rezultoi asnjë vërejtje dhe asnjë masë. Drejtoria e policisë nuk mundi të argumentonte motivin e largimit të ish-punonjësve të saj. Gjithsesi, në përballjen midis ish-policëve dhe përfaqësuesve të Rendit përpara trupit gjykues është parë pozicioni i vështirë i këtyre të fundit, që nuk kishin asnjë argument dhe asnjë bazë ligjore se përse nëntë policë janë flakur në rrugë. Aq më tepër kur disa prej tyre ka rezultuar se kanë qenë ndër më të përkushtuarit në këtë drejtori.

SFIDAT
Në këtë këndvështrim, policët Hodo Cani dhe Alush Aliko, janë fiksuar në memorien e Policisë së Gjirokastrës, si dy ndër protagonistët kryesorë që në 14 shtator të vitit 1998 arritën të përballnin sulmet me armë zjarri dhe të mbronin pikën doganore të Kakavijës nga djegiet dhe shkatërrimet e personave të papërgjegjshëm. Pas përfundimit të proceseve gjyqësore kanë reaguar edhe ish-policët. Sipas tyre, motivi i vërtetë i pushimit të tyre nga puna është thjesht politik. Ata shtuan më tej se janë shenjestruar për t’u larguar nga radhët e policisë që pas ndërrimit të pushtetit politik pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005.

“Kam dorëzuar kapelën jo për shkelje apo gabime gjatë ushtrimit të detyrës, pasi trafikantët e vërtetë tashmë janë zbuluar, por sepse Drejtoria e Policisë në Gjirokastër kërkonte të hapte vende pune për militantë të Partisë Demokratike, ashtu sikundër ndodhi realisht”, - tha njëri nga ish-policët e shkarkuar.

Nuk janë vetëm këta nëntë ish-punonjës policie, të cilëve së bashku, drejtoria e policisë duhet t’u japë një shumë prej 3 milionë lekësh. Në proces gjyqësor janë edhe ish-punonjës të tjerë të kësaj drejtorie. Ismail Xhaferri. (BalkanWeb)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors