Protesta Banorët: "Largoni poligonin, po na merr jetën"

ELBASAN- Protesta, deri në barrikada me trupat e tyre për bllokimin e rrugës, vetëm që të largohet poligoni ushtarak në Shën Mëri të Gramshit.

Me këtë kërkesë, banorët e fshatit i janë drejtuar dje organeve kompetente dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërcënuar se do të protestojnë me të gjitha format në rast se nuk hiqet poligoni ushtarak, ku shkatërrohen çdo ditë mina e mortaja.

Ngjarja e ndodhur një ditë më parë, kur shpërthimi i një predhe shkaktoi vdekjen e 17-vjeçarit, Hysen Brahimi,plagosjen e rëndë të fqinjit të tij, Ledio Nasufi dhe dëmtimin e babait të viktimës, Mylazimit ka tronditur dhjetëra familje, që jetojnë me shpërthimet ushtarake në këtë fshat. Ndërsa familja Brahimi përcolli për në banesën e fundit djalin 17-vjeçar, i vrarë nga shpërthimi i një mortaje, mjaft të irrituar, të afërmit kanë kërkuar që të merren masa, që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë edhe babai i 17-vjeçarit, Mylazimi, i cili edhe pse me plagë në trup ka kërkuar të jetë në përcjelljen për në varreza të trupit të pajetë. Ndërkohë 19-vjeçari, Ledio Nasufi mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak. Sipas të dhënave paraprake ai ka pësuar ndërhyrjekirurgjikale, pasi kishte të dëmtuar mëlçinë.

Largoni poligonin

Në shtëpitë e familjeve të fshatit Shën Mëri mund të gjesh ende predha dhe mortaja të mbushura me barot. Të gjitha këto sipas vetë banorëve përbëjnë rrezik potencial për të shpërthyer. Veç mbetjeve që po marrin ende jetë njerëzish, banorët përballen çdo ditë me zhurmën e shpërthimeve dhe ndotjen që shkaktojnë këto shpërthime, duke rrezikuar jetën. Ka mjaftuar kjo ngjarje e rëndë, që një ditë më pas të gjithë të kërkojnë një zëri largimin e poligonit ushtarak nga ky fshat.

Të afërm të të dëmtuarve dhe kryefamiljarët e shtëpive të këtij fshati kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugën qoftë edhe me trup për të mos lejuar që mjetet e ushtrisë të vazhdojnë transportin dhe shpërthimin e minave e mortajave. Kryeplaku i fshatit, Kalo Salla, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, që kjo e fundit të marrë masa e të zhvendosë poligonin ushtarak në një vend tjetër. "Është shumë afër shtëpive tona dhe çdo ditë ne rrezikojmë jetën. Vetëm një ditë më parë një 17-vjeçar humbi jetën një tjetër e rrezikon atë si pasojë e këtyre mortajave dhe minave që po shkatërrohen dhe askush nuk mendon për jetën tonë",- ka theksuar ai në kërkesën drejtuar institucionit përgjegjës.

Barrikada me trupa

Sipas tij, në rast se banorët marrin këto armë vdekjeprurëse dhe janë përpjekur t'i shesin si skrap kjo ka ardhur si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike dhe mungesës së të ardhurave. Por, një gjë e tillë, nuk mund të vazhdojë më gjatë, pasi në çdo moment sipas tij dhe vetë banorëve, luhet me jetën. "Ne i drejtohemi përgjegjësve që të heqin sa më parë minat që sjellin vdekje, në të kundërt do të krijojmë barrikada me trupin tonë për të mos lejuar që mjetet ushtarake të transportojnë më mina e mortaja në drejtim të Shën Mërisë"- përfundon ai. Poligoni ushtarak ndodhet në vendin e quajtur Përroi i Brahimasit, ndërsa shtëpitë e fshatit pak metra më larg. Me qindra predha ndodhen ende në oborret e banorëve, të cilët ndodhen në rrezik, pasi mjafton një përplasje e një prej tyre dhe pasojat mund të jenë katastrofike.

Ngjarja

Një shpërthim mortaje në oborrin e një shtëpie në fshatin Shën Mëri të rrethit të Gramshit shkaktoi vdekjen e 17-vjeçarit Hysen Brahimi, plagosjen e rëndë të Ledio Nasufit, 19-vjeç dhe babait të viktimës, Mylazim Brahimi. Skenën e shpërthimit e pa djali i vogël i familjes Brahimi, i cili ishte në oborr, duke luajtur, por fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime. Për 17-vjeçarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, si pasojë e dëmtimeve të shumta. Mësohet se nga banorët e zonës është bërë transporti i menjëhershëm i dy të plagosurve, të cilët fillimisht janë ndalur në spitalin e Gramshit për të marrë mjekimin e parë.

Ndërkohë nga ministria e Shëndetësisë u dërgua një helikopter në Gramsh, që transportoi 19-vjeçarin, Ledio Nasufi, fqinj me familjen Brahimi drejt spitalit ushtarak të Tiranës. Nga ekspertiza e bërë nga policia ka rezultuar se shpërthimi ka ardhur si pasojë e pakujdesisë, teksa të dëmtuarit hapnin një mortajë pa ndezëse për t'i hequr barotin.

Shekulli - Albanian Times - Koha Shqiptare

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors