TIRANË- Yasin Al-Kadi, sheiku saudit i akuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda për financim të terrorizmit, ka paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave e Financimit të Terrorizmit për sekuestrimin e pronave të tij në Shqipëri.
Padia e dorëzuar në gjykatë mban firmën e Al-Kadi, me anën e së cilës ai i kërkon heqjen e sekuestrimit. Padia e tij është dorëzuar pranë Gjykatës së Tiranës dhe me hedhjen në short, çështja i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Asim Vokshi. Në dhjetor të vitit 2004, me një vendim të ministrit të atëhershëm të Financave, Arben Malaj, u bë bllokimi dhe sekuestrimi i të gjitha pronave të sauditit Yasin Al-Kadi, i akuzuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së si financues i terrorizmit.
Institucionet përgjegjëse, pas botimit të urdhrit të ministrit Malaj, bënë të mundur vendosjen e sekuestrimit ndaj të gjitha pronave të Al-Kadi, të cilat janë rreth 2100 metër katrorë apartamente në kullat binjake në Tiranë, përballë kryeministrisë, dy llogari bankare si dhe aksione të tij në shoqërinë "Karavan". Pasuria e Al-Kadi tek kullat binjake në Tiranë janë 17 apartamente banimi, një sipërfaqe bodrum dhe disa dyqane në dy katet e para të kullave.
Pas kësaj, Al-Kadi e paditi Ministrinë e Financave në Gjykatën e Tiranës. Aktualisht padia e tij është pushuar disa herë nga gjyqtarë të ndryshëm, për shkak të mangësive në argumentet e paraqitura nga i kërkuari prej SHBA-ve.Fillimisht, padia u pushua pasi avokatja e caktuar nga sauditi Al-Kadi nuk kishte prokurë të rregullt përfaqësimi. Pas dërgimit nga ana e tij e një prokure të rregullt, padia u dërgua në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të caktohej gjykata kompetente që do ta shqyrtonte atë. Kjo gjykatë shpalli kompetente gjykatën e kryeqytetit, ndërsa avokatja e Al-Kadi specifikoi në kërkesë-padi se pala e kallëzuar ishte Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave e Financimit të Terrorizmit dhe jo Ministria e Financave.
Padia e mësipërme qëndroi e pezulluar për pak muaj, për shkak të disa procedurave ligjore dhe më pas u pushua për mosparaqitje të avokates së Al-Kadi. Tashmë, Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë kërkesën e sauditit, i cili pretendon heqjen e sekuestrimit për të gjitha pronat që ai zotëron në Tiranë.
Yasin Al-Kadi, i akuzuar për financimin e terrorizmit ndërkombëtar, aktualisht ndodhet në vendlindje, ku vazhdon të administrojë bizneset e tij. Ai ka paditur në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të cilit i kërkon heqjen e emrit nga lista e personave të akuzuar për financim dhe përkrahje të terrorizmit ndërkombëtar.
Shekulli - albanian times - koha shqiptare
0 Comments:
Post a Comment