Projekti, 2 fabrika çimentoje prej 500 milionë euro

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të djeshme dy vendime, që i hapin rrugën realizimit të dy projekteve në fushën e prodhimit të çimentos, me vlerë prej 500 milionë euro. Këto dy projekte janë realizuar nga kompania greke "Antea Cement" dhe nga kompania spanjolle "Cementos Aguila" dhe parashikojnë ndërtimin e dy fabrikave të çimentos në zonën e Fushë Krujës.

Të dy kompanitë kanë përcaktuar sheshet e ndërtimeve për projektet e tyre, për të cilat qeveria miratoi sot ndryshimin e destinacionit të zonës, duke i kaluar ato në zona minerale. Kompania greke "Antea Cement" ka parashikuar për këtë projekt, një investim prej rreth 250 milionë euro. Kjo fabrikë do të ketë një kapacitet prodhues fillimisht mbi 2 milionë ton e më tej do të vijë në rritje. Edhe projekti i kompanisë spanjolle "Cementos Aguila" parashikon një investim prej rreth 250 milionë euro dhe kapacitet prodhues të fabrikës mbi 2 milionë ton si fillim. Por për ndërtimin dhe kryerjen e aktivitetit të tyre në këtë zonë, qeveria është e detyruar që t'i japë 2 kompanive 360 hektarë pyje, për t'i kthyer në fusha të shkreta. Megjithëse në vendim është përcaktuar në formë detyruese, që 2 kompanitë e çimentos të pyllëzojnë këtë sipërfaqe pas 5 vjetësh, një vendim i tillë pritet të sjellë ndikime të shumta në shëndetin e popullatës në këtë zonë, që edhe tani është e rrezikuar nga furrat e gëlqeres dhe ajri i ndotur në këtë zonë.

Qeveria sharron pyjet për fabrikat e çimentos

Në vendimin e djeshëm të qeverisë për ndërtimin e këtyre dy fabrikave të çimentos, është miratuar edhe projektligji "Për heqjen nga Fondi Pyjor Kombëtar të parcelave, në ekonomitë pyjore Krastë-Krujë dhe Shëmri-Brret, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos e për kariera, nga "Cementos Aguila", sh.p.k".

Njëkohësisht edhe për fabrikën tjetër të çimentos, që do të ndërtohet në këtë zonë, qeveria ka miratuar një projektligj që pritet të miratohet nga Kuvendi, për heqjen nga Fondi Pyjor Kombëtar dhe çregjistrimin nga Kadastra Kombëtare e pyjeve të rreth 135.7 ha. Sipas nenit 1 të këtij projektligji parcelat pyjore, që do të përdoren nga "Cementos Aguila", sh.p.k, për ndërtimin e fabrikës së çimentos, me sipërfaqe 22.2 ha, dhe për karierë gëlqerorësh, me sipërfaqe prej 113.5 ha, që ndodhen në ekonomitë pyjore Krastë – Krujë dhe Shëmri – Brret, gjithsej 135.7 ha, të hiqen nga Fondi Pyjor Kombëtar dhe çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve. Në këtë projektligj përcaktohet që brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, "Cementos Aguila", sh.p.k, do të pyllëzojë 150 ha pyje, në parcelat e degraduara pyjore, sipas përcaktimit të drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor.

Në të njëjtën kohë për ndërtimin e fabrikës së dytë në këtë zonë, parashikohet që "parcelat pyjore, që do të përdoren nga "Antea-Cement", sh.a, për ndërtimin e fabrikës së çimentos, me sipërfaqe 65.75 ha, dhe për karierë flyshi, me sipërfaqe 58.95ha, dhe kariere gëlqerorësh, me sipërfaqe prej 99.76 ha, që ndodhen në ekonomitë pyjore Krastë-Krujë dhe Shëmri-Brret, gjithsej 224.46 ha, të hiqen nga Fondi Pyjor Kombëtar dhe çregjistrohen nga Kadastra Kombëtare e pyjeve". Qeveria edhe për pronarët e kësaj fabrike ka vënë si kusht që brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, "Antea Cement", sh.a, do të pyllëzojë 250 ha pyje, në parcelat e degraduara pyjore, sipas përcaktimit të drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor".
(Biznesi Online)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors