Në takimin e 37-të të radhës të Këshillit Ekonomik Fiskal, drejtuar nga zëv. kryeadministratori Steven Schook dhe ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, është miratuar korniza buxhetore për vitin 2008.
KEF-i ka konkluduar se në marrëveshje me FMN-në është arritur pëlqimi që kufijtë e shpenzimeve në vitin 2008, të kenë një ngritje rreth 18%. Kufijtë e shpenzimeve buxhetore sipas kësaj marrëveshjeje do të sjellin rreth 850 milionë euro. Këto shpenzime nuk janë të kufizuara në kuptimin e shpenzimeve për investime kapitale.
Po ashtu është konstatuar se në vitin 2008 do të ketë një ngritje të shpenzimeve pwrsa i përket transfertave sociale, në veçanti pjesës së pensioneve dhe pagave të mësimdhënësve, por që këto do të kushtëzohen me çertifikimin e mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë së punës në këto shërbime.
Në marrëveshje me FMN-në është siguruar që mjetet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të sigurohen në vitin 2008 qind për qind, kurse pas vitit 2008 shpenzimet vijuese do të rriten në masën 0.5%.
Duke folur lidhur me kornizën buxhetore për vitin 2008, z. Schook ka thënë se planifikohet një rritje prej 18 për qind dhe se ky është një lajm i mirë. Ai ka theksuar punën e mirë që ka bërë Ministria e Ekonomisë dhe Financave në projektimet buxhetore për vitin 2008.
Korniza buxhetore për vitin 2008 është një dokument i shkëlqyeshëm, që hap rrugë për përgatitjen e buxhetit për vitin 2008 dhe është një pjesë e dokumentit që quhet Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, që është miratuar nga Qeveria, por që në këtë fazë pret edhe komentet e FMN-së, Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë, ka thënë ministri Haki Shatri.
KEF-i në takimin e sotëm ka miratuar raportin e konsoliduar për shpenzimet e fondit special për negociatat mbi statusin e Kosovës për vitin 2006 për periudhën janar-prill 2007 dhe një raport të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2007. (biznesi)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment