TIRANË- Në një kohë që kanë mbetur vetëm tre ditë nga "ultimatumi" për të paraqitur kandidaturë në raundin e tretë në Kuvend, situata në grupin parlamentar të PD-së sa vjen e përkeqësohet. Pas një dreke të këndshme në bregdetin eRradhimës në Vlorë dhe batutave për eksponentët e lartë të PD-së dhe qeverisë, situata në radhët e PD-së nuk duket aspak e qetë, ndonëse publikisht gjithçka tregon të kundërtën.
Bllokimi i negociatave, kushti i opozitës për tërheqjen e Topit dhe pamundësia e Berishës, por edhe gjithë mazhorancës, për të negociuar mbi kandidaturën e nënkryetarit të PD-së, ka sjellë tension në radhët e demokratëve. Të gjitha këto arsye, por edhe zyrtarizimi ose jo i kandidaturës së Bamir Topit, pritet të sjellë sot debat në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Pjesë e debatit duket se do të jete edhe vetë dreka e shtruar dy ditë më parë në Radhimë, ku deputetët demokratë kanë "përgjuar" njëri-tjetrin me telefona celular, ku i pranishëm ishte dhe kandidati i PD-së për President, Bamir Topi.
Të mbledhur për ditëlindjen e deputetit Sami Gjergji, por që pjesëmarrja e tyre në këtë drekë u përkthye e gjitha si një mbështetje për kandidaturën e Topit për President, disa prej deputetëve demokratë kanë incizuar në celular drekën me nënkryetarin e PD-së. Deputetët kanë përfituar nga zhvillimi i teknologjisë dhe kanë regjistruar pjesët kryesore të bisedave mes tyre, dhe më pas mësohet se i kanë dërguar ato nëpërmjet "Bluetooth" drejt kolegëve të tyre, që nuk kanë qenë të pranishëm në drekë. Lajmi konfirmohet për "Shekullin" pikërisht nga burime që kanë marrë në celularët e tyre nëpërmjet kësaj teknologjie dhe kanë dëgjuar bisedat mes pjesëmarrësve në drekën me Topin.
Burimet bëjnë të ditur se, ndonëse kanë qenë të rezervuar në bisedat e zhvilluara në këtë drekë, ndër të tjera, deputetët demokratë kanë hedhur disa batuta dhe kanë bërë humor mbi disa nga funksionarët kryesorë të PD-së dhe të qeverisë "Berisha". Gjithashtu, në bisedat gjatë drekës, që janë regjistruar nga vetë ata në celular, deputetët demokratë kanë diskutuar për për zgjedhjen e Presidentit dhe mbështetjen e tyre për kandidaturën e Bamir Topit. Disa prej të pranishmëve janë shprehur shumë të vendosur që të zyrtarizojnë dhe më pas të hedhin në votim kandidaturën e nënkryetarit të PD-së, duke shtuar se jo e gjithë opozita ka vendosur që të mos marrë pjesë në votim, nëse nuk tërhiqet Topi.
Pjesë të tjera të bisedës së regjistruar kanë të bëjnë me ironitë e të pranishmëvendaj disa ministrave të rëndësishëm të qeverisë Berishaapo figurave të tjera në PD, që nuk e kanë mbështetur hapur në publik kandidimin e Topit.Një drekë e tillë, apo edhe batutat që janë hedhur atje, duket se nuk janë mirëpritur aspak nga vetë kryeministri, Sali Berisha, burime pranë të cilit janë shprehur dje se ai është informuar mbi gjithë bisedën e zhvilluar në Vlorë.
Por, brenda grupit parlamentar të PD-së nuk mungojnë zërat që mendojnë se, kandidatura e Bamir Topit refuzohet nga një klan i ngushtë eksponentësh të lartë të PD-së, çka pritet të shkaktojë përplasje gjatë mbledhjes së sotme. Burime brenda grupit parlamentar të PD-së bëjnë të ditur për "Shekullin" se, një tjetër arsye mjaft e fortë që nxit debatin në grup, është dhe pakënaqësia e madhe që është krijuar në radhët e deputetëve demokratë.
Kjo pakënaqësi, sipas burimeve, lidhet me faktin se pushteti është përqendruar në duart e një klani mjaft të ngushtë zyrtarësh të lartë të PD-së dhe emërimet në nivele të ndryshme të administratës bëhen në bazë të lidhjeve nepotike që ka ky klan. Të njëjtat burime thonë për "Shekullin" se, pakënaqësia e pjesës më të madhe të grupit, lidhet edhe më mënyrën se si funksionon ai, ku deputetët thuajse nuk pyeten fare lidhur me çështje të rëndësishme, siç është edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
shekulli
0 Comments:
Post a Comment