Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë mesazhe të shumta urimi me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Keshtu, zotin Topi e kane uruar: Horst Këler - President i Republikës Federale të Gjermanisë; Kancelarja gjermane, Angela Merkel; Presidenti maqedonas Branko Cervenkoski; Kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos; Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi; Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik Kombëtar i Maqedonisë, Hysni Shaqiri; Kryetari i Unionit të Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë, Tom Marku; Kryetari i Partisë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo; Kryetari i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë, Prof. dr. Shezahi Rrokaj. Kryetarin e shtetit e kanë uruar dhe qytetarë të thjeshtë dashamirës.
Horst Këler - President i Republikës Federale të Gjermanisë:
“Me rastin e fillimit të detyrës Suaj si President i Republikës së Shqipërisë Ju përcjell, edhe në emër të bashkëatdhetarëve të mi, urimet e mia të përzemërta. Me zgjedhjen e datës 20 korrik vendi Juaj ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të vijimit të programit të tij të pasur me reforma. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive Shqipërinë në procesin e përafrimit euroatlantik si edhe në kuadër të reformave ende për t’u realizuar. Ju uroj sukses, energji dhe fat të mbarë në ushtrimin e detyrës Suaj me përgjegjësi të lartë”, - thuhet në mesazhin e z. Këler.
Dr. Angela Merkel - Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.
“Shumë i nderuar zoti President, Me rastin e zgjedhjes Suaj si President i vendit Tuaj, Ju përgëzoj përzemërsisht dhe Ju uroj fat të mbarë, sukses dhe bekimin e Zotit. Gjatë mandatit Tuaj, Shqipëria do të gjendet para disa reformave vendimtare, të cilat kanë të bëjnë me afrimin e saj me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian. Lidhur me këtë, Shqipëria mund të mbështetet edhe më tej në përkrahjen aktive të Qeverisë Federale”, - thuhet në mesazhin e zj. Merkel.
Branko Cervenkoski - Presidenti i Maqedonisë
“I nderuar z. President, Me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Shqipërisë është nderi dhe kënaqësia ime e veçantë t’Ju shpreh urimet dhe përgëzimet e sinqerta për përmbushjen tuaj të suksesshme të këtij funksioni të përgjegjshëm. Jam i bindur se përkushtimet tona të përbashkëta për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, për të kontribuar drejt bashkëpunimit rajonal dhe për të ndarë vlerat europiane dhe euroatlantikase do të vazhdojnë të mbetet prioritetet tona më të larta edhe në të ardhmen. Miqësia tradicionale midis dy vendeve tona, përpjekjet dhe vizionet e përbashkëta për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë na detyrojnë të hapim një prespektivë të re, të vazhdojmë, të intensifikojmë dhe ta pasurojmë bashkëpunimin tonë për të cilin me këtë rast unë shpreh gadishmërinë time të plotë gjithashtu”, - thuhet në mesazhin e z. Cervenkovski. (BalkanWeb)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment