TIRANË- Në sallën plenare ku për vite ka qëndruar si deputet i PD-së, Bamir Topi bëri dje betimin si President i Republikës duke filluar zyrtarisht mandatin 5-vjeçar. Vetëm 4 ditë pasi mori 85 votat, që e ngjitën në postin presidencial, Topi është rikthyer në Parlament, por këtë radhë për të bërë betimin zyrtar si President i vendit.
I shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Bamir Topi mbërriti në sallën plenare që dje ishte zbukuruar si asnjëherë tjetër, duke pasur një pamje të vërtetë ceremoniale dhe festive. Ardhja e Topit në Kuvend u shoqërua me duartrokitje nga të ftuarit e shumtë, pjesa më e madhe militantë të selisë blu, që kishin mbushur lozhën e madhe në katin e dytë.
Ndërkohë pas betimit të lexuar nga kryetarja Topalli, presidenti Topi është betuar duke vendosur dorën e djathtë mbi Kushtetutë, element protokollar që është futur për herë të parë në Protokollin e Kuvendit. "Betohem se do t'i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t'i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar",- tha kryetarja Topalli, duke lexuar betimin presidencial ashtu siç e përcakton Protokolli. Menjëherë pas betimit, tingujt e Himnit Kombëtar pushtuan sallën parlamentare, ndërsa të gjithë të pranishmit janë çuar në këmbë, e një pjesë duke kënduar nën zë. Presidenti Topi u është drejtuar për herë të parë me një fjalim të pranishmëve, por edhe të gjithë shqiptarëve si kreu i shtetit, duke premtuar se do të ishte President i gjithë shqiptarëve.
Ndërsa kryeparlamentarja Topalli nuk e ka përmendur në fjalën e saj presidentin Alfred Moisiu që u largua nga detyra, Topi që në fillim të fjalës i është drejtuar atij, e më pas të gjithë të pranishmëve që ndodheshin, që nga anëtarët e qeverisë, deputetëve dhe anëtarëve të trupit diplomatik. Ai ka drejtuar falënderime të veçanta Departamentin Amerikan të Shtetit, Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët mbështetën dhe vlerësuan zgjedhjen e Presidentit të Republikës sipas kornizës kushtetuese. "Në këto çaste ju mendoj të gjithëve të bashkuar rreth interesave kombëtare, rreth qëllimeve themelore jetike për vendin, për të kapërcyer pengesat reale dhe psikologjike, pjesë e trashëgimisë, por edhe e momentit, për një imazh të ri të institucioneve të konsoliduara dhe demokratike",- tha presidenti Topi, duke mos i fshehur emocionet që viheshin re në zërin që dridhej herë pas here. Më tej ai shprehu angazhimin për të qenë i vendosur dhe i motivuar në respektimin e marrëdhënieve institucionale dhe njerëzore me të gjithë faktorët politikë, për të krijuar kushtet për emancipimin e mëtejshëm të politikës, bashkëveprimin për kryerjen e hreformave dhe për të ardhmen, duke qenë jashtë palëve dhe mbi to. "Sot dal nga politika partiake dhe bindjet përkatëse, jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të qenësishme, për misionin që kam marrë përsipër të kryej. Pozicioni im nuk i takon më një pjese. Qenia ime i takon së pari qytetarit, i cili projekton bindjet e tij demokratike në partitë politike, që do të thotë se nga ky çast e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në institucionale, në respekt vetëm të ligjeve dhe interesit kombëtar",- vijoi presidenti Topi. Në fjalën e tij nuk mbeti jashtë vëmendjes edhe përshëndetja për Kosovën dhe popullin e saj, duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë me përpjekjet e saj, për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.
PS e pranishme në sallë, mungoi Blushi e Gjinushi
TIRANË-Pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës respektoi protokollin shtetëror duke marrë pjesë në seancën plenare, ku Bamir Topi bëri betimin e Presidentit. Nuk mungoi në seancën e veçantë edhe ish-kryeministri Fatos Nano, që ishte një ndër tre kandidaturat zyrtare që garuan për postin e kreut të shtetit. Ndërkohë nuk mori pjesë në këtë ceremoni, ish-kreu i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi, dhe mjaft deputetë të tjerë, një pjesë e të cilëve ishin edhe mbështetës të kandidaturës së Nanos. Por disa nga deputetët e vjetër socialistë, Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Ylli Bufi, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Fatmir Xhafaj, Elmaz Sherifi, Ndriçim Hysa, si dhe disa nga deputetët e PS-së të përjashtuar së fundi, Durim Hushi, Durim Lamaj dhe Taulant Dedja, ishin të pranishëm në sallën plenare. Përveç deputetëve të grupit parlamentar të PSD-së që munguan të gjithë, në Kuvend ishin të pranishëm disa nga parlamentarët e LSI-së, duke përfshirë edhe kreun e saj, Ilir Meta, të PAD-së dhe PDS-së.
Pas betimit, Topi shtrëngon duart me Nanon
TIRANË- Pas betimit si kreu i ri i shtetit, Bamir Topi i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është drejtuar për të dalë, por duke bërë edhe përshëndetjet e rastit me deputetët. Ai ka ndalur në radhën e parë të deputetëve të PS-së, duke i dhënë dorën në fillim ish-kreut socialist, Fatos Nano, e më pas ka takuar Elmaz Sherifin, Taulant Dedjan, Fatmir Xhafaj, Gramoz Ruçin, Ylli Bufin, Pandeli Majkon dhe Gramoz Ruçin. Ndërsa deputetët e maxhorancës ai i ka përshëndetur nga larg, duke takuar me përzemërsi vetëm avokat Spartak Ngjelën që ishte aty afër. Por, përmes një lëvizje të kujdesshme kryetarja Topalli e ka shoqëruar Topin edhe në anën tjetër, me qëllim që ai të shkëmbente shtrëngime duarsh edhe me deputetët e djathtë. Presidenti Topi është takuar me përzemërsi, madje dhe është përqafuar me kryeministrin Berisha dhe deputetë të tjerë të maxhorancës që e mbështetën në kandidimin e tij.
Rrita Ndoci, këndon Himnin nga lozha e madhe
TIRANË- Familja presidenciale, bashkëshortja Teuta Topi, dy vajzat, Nada dhe Etida, kanë ndjekur jo pa emocion ceremoninë e betimit të Bamir Topit si President. Të veshura në mënyrë klasike dhe mjaft elegante, vajzat dhe bashkëshortja qëndruan për më shumë se 30 minuta në një lozhë qendrore të katit të parë. Ndërkohë babai i Presidentit, i vëllai, mjeku i njohur Flamur Topi, si dhe pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qëndruar në lozhën e madhe të katit të dytë, e cila ishte mbushur plot me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve shtetërore dhe simpatizantë e mbështetës të presidentit Topi. Ardhja e Topit në sallë, betimi dhe më pas largimi i tij është shoqëruar me duartrokitje dhe ovacione të fuqishme. Ndërkohë jashtë sallës së Kuvendit, mbështetës të tjerë kanë hedhur fishekzjarre. Në lozhën e madhe të të ftuarve ka qenë të pranishëm edhe artistët, pjesëtarë të një familjeje, Frederik Ndoci, Rita Ndoci dhe Juli Ndoci. Këngëtarja dhe imituesja e njohur, Rita Ndoci ka kënduar me zë Himnin Kombëtar. Ajo, ndryshe nga të tjerët, ka kënduar sipas notave muzikore gjithë tekstin e këngës së Himnit Kombëtar. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment