DURRËS- Vëllai i Klodian Saliut, Shkëlqimi, është ekzekutuar për hakmarrje nga njerëzit e Lulëzim Berishës. Një prej të paktëve persona të afërt të Berishës, i cili është ende i lirë, dyshohet se është edhei dyshuari kryesor i vrasjes së katër ditëve më parë. Pasi ka kryer hetimet e para, policia e Durrësit ka pohuar se i dyshuari kryesor për këtë ngjarje është Indrit Kujtim Taullau, i datëlindjes 11. 4. 1975, banues në Durrës.
Momentalisht Taullau dhe Plaurent Dervishaj janë dy prej njerëzve të besuar të Lul Berishës, të cilët janë ende në liri. Të dy këta persona ndodhen në gjykim dhe akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për të njëjtat vepra penale me anëtarët e tjerë të bandës së Berishës.
Hetuesit e vrasjes së Shkëlqim Saliut dhe plagosjes së Sterio Xhanit pohuan dje se atentati ndaj tyre mendohet se është urdhëruar nga Lulëzim Berisha. Edhe pse pas hekurave të burgut ai ka ende anëtarë të bandës të lirë, të cilët marrin urdhra dhe veprojnë për llogari të tij. Nga të dhënat e para të grumbulluara në rrugë operative prej policisë së Durrësit është zbuluar se Berisha kishte planifikuar të mbyllte hesapet një herë e përgjithmonë me familjen e rivalit të tij të vjetër, Klodian Saliu. Edhe pse dy vjet e gjysmë më parë njerëzit e tij ekzekutuan Klodian Saliun, Berisha i druhej vëllezërve të këtij të fundit. Nisur nga fakti që në të kaluarën njerëzit e Saliut i kanë organizuar të paktën tre atentate për ta vrarë, Berisha ka planifikuar goditjen e fundit. Ai ka urdhëruar një prej njerëzve të tij, Indrit Taullaun, që të bëjë gjithçka që është e mundur për të kryer vrasjen. Kështu që mbrëmjen e 23 korrikut Taullai ka vendosur të zbatojë urdhrin dhe të "heqë qafe" vëllezërit e Saliut. Njerëzit e tij i kishin thënë se Shkëlqim Saliu dhe vëllai tjetër, Arjani, ndodheshin në lokalin e tyre, "Kavalieri"sipas policisë, me të marrë këtë informacion Taullai dhe një person tjetër ende i paidentifikuar, janë nisur për të kryer vrasjen.
Ata kanë zgjedhur për të lëvizur një motor të vogël 50 kubikësh dhe për të mos u njohur kanë vënë në kokë skafandra të errëta. Për fatin e tij të mirë, Arjan Saliu, ka lëvizur nga lokali i tij vetëm dhjetë minuta përpara vrasjes. Kjo lëvizje krejtësisht rastësore i ka shpëtuar atij jetën. Me të hyrë në lokal dy personat e maskuar kanë parë Shkëlqim Saliun por kanë kërkuar edhe vëllanë e tij, Arjanin. Kur nuk kanë gjetur këtë të fundit kanë hapur zjarr në drejtim të Shkëlqimit duke i thënë "Prite o Çim Saliu". Burimet e policisë shpjeguan dje se këto të dhëna janë grumbulluar nga marrja në pyetje e më shumë se 30 personave, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes ose kanë pasur dijeni për rrethanat e saj. Tashmë policia e Durrësit është duke kryer kërkime në të gjitha bazat e vjetra të bandës së Lul Berishës për të gjetur Indrit Taullaun. Ai është person në kërkim prej shumë kohësh pasi akuzohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda si anëtar i bandës së Berishës dhe vrasja e fundit i është shtuar listës së tij të gjatë të krimeve. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment