Presidenti Topi në mënyrë të veçantë i ka drejtuar një mesazh popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, duke garantuar bashkëpunimin midis dy vendeve në të mirë të paqes dhe sigurisë në rajon, të të Drejtave të Njeriut dhe interesave të përbashkëta për integrimin euro-atlantik.
"Jam i bindur se pavarësia e Kosovës është një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, tashmë që ajo, së bashku me vendet fqinje, po ecën drejt ambicieve të përbashkëta dhe integrimit në familjen euro-atlantike, duke lënë pas hijet e luftës", tha Presidenti i ri i Republikës.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i Republikës nënvizoi bindjen e tij se kur i shërbehet Shqipërisë, nuk ka ndarje apo kampe, por ka vetëm vullnet të mirë nga të gjithë ata që e duan vendin. "Të gjithë atyre që duan t'i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, u deklaroj se jam gati të punoj me ta pa u kërkuar të heqin dorë nga bindjet e tyre, pa u kërkuar të tradhtojnë miqësitë, pa u kërkuar të harrojnë historinë e tyre," përfundoi Presidenti Topi.
Pas fjalës së Presidentit, Kryetarja Topalli, në emër të deputetëve, e uroi edhe njëherë zotin Topi për zgjedhjen në postin e lartë të kryetarit të shtetit dhe, duke e falenderuar për fjalën e mbajtur në Kuvend, e shoqëroi për të dalë nga salla, në shoqërimin e duartrokitjeve të të pranishmëve në sallë. Gjatë largimit nga Kuvendi, ai u ka shtrënguar duart të gjithë deputetëve, fillimisht të majtëve dhe më pas atyre të mazhorancës.(RD)
0 Comments:
Post a Comment