Mbështetje për modernizimin e Postës
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë të ditur Drejtorit të Përgjithshëm të Bashkimit Postar Botëror, Edouard Dayan, se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për modernizimin e vazhdueshëm të shërbimit postar.
Gjatë takimit që kryeministri Berisha ka zhvilluar paraditen e djeshme në ambientet e Kryeministrisë me zotin Dayan, e ka informuar edhe rreth përpjekjeve të qeverisë shqiptare për realizimin me sukses të një sërë reformash në fusha të ndryshme të vendit.
Duke vlerësuar rëndësinë e shërbimit postar, kryeministri Berisha garantoi se do ta modernizojë postën, për të kryer shërbime me të gjitha vendet e huaja.
"Jap mbështetjen e qeverisë për Postën Shqiptare, në projektet për modernizimin dhe zhvillimin e shërbimeve në të gjithë vendin, duke lehtësuar kështu jetën e qytetarëve", ka thënë Berisha gjatë takimit.
Gjithashtu, kryeministri Berisha e njohu zotin Dayan me ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Posta Shqiptare gjatë 2 viteve të fundit, duke theksuar se ndryshimet kanë sjellë edhe besimin e qytetarëve.
"Këto ndryshime i rikthyen Postës Shqiptare imazhin pozitiv dhe besimin e qytetarëve", vijoi më tej ai. Duke falenderuar kryeministrin Berisha për mikpritjen, zoti Dayan u shpreh se kjo është vizita e parë në Shqipëri, prej 85 vjetësh, e një drejtori të Bashkimit Postar Botëror. Në këtë drejtim, ai shprehu vullnetin e tij dhe të institucionit që përfaqëson, për të bashkëpunuar me postën tonë, në ndihmë të zhvillimit të këtij sektori.
Ai është shprehur i gatshëm për të ofruar ndihmë në drejtim të reformës rregullatore e ligjore të këtij sektori, duke vlerësuar se kjo do të shërbejë në kuadër të zhvillimit të shoqërisë së informacionit. (RD)
0 Comments:
Post a Comment