Nëse mijërat ultrasit bardheblu e nisën minutën e parë duke thirrur “Tirona, Tirona!” korri që dëgjohej në fundit të 90-të minutave ishte një grup tepër i vogël tifozësh sllovenë duke thirrur emrin “Domzhale, Domzhale!”. Një ekstazë e merituar sllovene. Për një kualifikim historik në Ligën e Kampioneve. Por, që i përket kundërshtarit, në ditën e parë të Bamir Topit si president i Republikës së Shqipërisë dhe të fundit si president nderi i Tiranës.
Tirana, kampionia e Shqipërisë u eliminua me turp nga turi i parë i Ligës së Kampioneve duke mos plotësuar as objektivin më minimal të shpallur me bujë përmes deklaratave të stafit teknik (Starova, Tafaj, Mema), “senatorëve” bardheblu (Mukaj, Duro, Dede, Sina and Co.) apo “kuartetit” të donatorëve.
Tirana u shfaq e paqartë gjatë gjithë takimit duke rrezikuar shumë pak në portën kundërshtarëve sllovenë të konsideruar paraprakisht modestë në aventurën e tyrë të parë si kampionë të Sllovenisë, por që arriti dy fitore: 1-0 në “Sportni Park” të Domzhale dhe 2-1 në kombëtarin kryeqytetas “Qemal Stafa”.
Fati i ndeshjes u vendos 45 minutat e para, kur Zlatan Ljubijankiç nuk fali në minutën e 31 duke mposhtur portierin e Tiranës, Isli Hidi pas një goditje me kokë, duke shfrytëzuar në maksimum një goditje të lirë. Me dy gola avancë, Domzhale e mbylli gjysmëlojën e parë me bindjen se do t’i rezistonte Tiranës, që i duhej të shënonte tre gola për t’u kualifikuar. Një mision vështirë për Tiranën, që vonoi shumë në lojë, shumë e mbyllur duke mos e kapur asnjëherë në vështirësi kundërshtarin që paraqiti jo vetëm një lojë shumë të disiplinuar taktike, por dhe një perfomancë më të mirë teknike se Tirana.
Goli i befasishëm i shënuar nga mesfushori Klodian Duro në minutën e 75 shërbeu vetëm si një ngushëllim i momentit, pasi tri minuta më pas, në të 78’ sulmuesi kryesor i Domzhales, serbi Dario Zahora e ndëshkoi sërish Tiranën duke i hequr përfundimisht çdo shpresë Sulejman Starovës për të drejtuar skuadrës në turin e dytë kundër kroatëve të Dinamos së Zagrebit, fat që do ta ketë Domzhale. Kampionia e Kroacisë eliminoi më vështirësi Lenkoranin azerbaixhanas. Ashtu si ndeshja e parë në Baku (1-1) edhe e dyta në Zagreb u mbyll në kohën e rregullt në barazim (1-1). Dinamo e Zagrebit shënoi dy gola të tjerë në kohën shtesë dhe mbylli ndeshjen 3-1. Ndeshjet e turit të dytë do të luhen më 31 korrik dhe 8 gusht 2007.
Pas eliminimit të turpshëm të Vllaznisë në turin e dytë me turqit e Trabzansporit (10-0 rezultati i përgjithshëm), eliminimit fatal të Tiranës dhe humbjes së bujshme të Teutës me Slaven Belupo (6-2), barazimi 2-2 i Besës në Serbi me Bezanijan mbetet kulmi i skuadrave shqiptare në edicionin ndërkombëtar 2007-2008 (Albania-Sport)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment