Operacioni në Xhaminë e Kuqe i afrohet fundit

Pakistani thotë se operacioni i forcave të veta të sigurisë kundër militantëve islamistë në Xhaminë e Kuqe në Islamabad ndodhet në fazat përfundimtare

Të mërkurën në agim u dëgjuan disa shpërthime dhe të shtëna sporadike.

Gjatë luftimeve të fuqishme të martën, kleriku militant i xhamisë, Abdul Rashid Ghazi dhe 50 nga mbështetësit e tij u vranë, njofton ushtria.

Studentët në xhami dhe në shkollat fetare të saj prej muajsh kanë nisur një fushatë pro-ligjit islamik të Sheriatit.

Të martën po ashtu u vranë tetë ushtarë. Rreth 50 gra dhe fëmijë u liruan.

Zëdhënësi i ushtrisë Gjen. Waheed Arshad tha se beteja ka përparuar për shkak se ushtria donte të shmangte viktimat në mesin e grave dhe fëmijëve, që janë të vendosur në bodrumin e xhamisë.

Numri i saktë i tyre nuk dihet. Deri tani dihet se përveç viktimave, vetëm 70 militantë u janë dorëzuar autoriteteve.

Militantët e mbetur besohet se janë vendosur në banesën e z. Ghazi.

Indinjata ndaj klerikëve militantëve në kryeqytet ishte shtuar pasi ata rrëmbyen disa policë dhe persona të tjerë, të cilët sipas tyre ishin të përfshirë në aktivitete anti-islamiste.

Reagim

Korrespondentja e BBC-së në Islamabad thotë se pas ndërhyrjes së ushtrisë, ekziston rreziku që pjesëtarë të xhamive të tjera radikale, të reagojnë dhunshëm.

Korrespondetja jonë thotë se disa do ta shohin z. Ghazi si hero dhe vrasja e tij mund të shërbejë si pikë bashkimi për ekstremistët islamistë që janë kundër sundimit të z. Musharraf.

Gjatë ditëve të fundit ushtria pakistaneze ka dislokuar mijëra trupa në verilindje të vendit.

Atje militantë pro-talebanë, kundërshtarë të z. Musharraf kanë kryer sulme që besohet se kanë lidhje me rrethimin e Xhamisë së Kuqe.

Forcat qeveritare e sulmuan xhaminë të martën në mëngjes dhe morën nën kontroll pjesën më të mirë të saj pas luftimeve të ashpra.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme tha se kleriku Ghazi u vra gjatë përpjekjeve të ushtrisë për të nxjerrë militantët nga një medrese për vajza në kompleksin e xhamisë.

Vëllai i z. Ghazi u arrestua javën e shkuar teksa po përpiqej të largohej nga xhamia i veshur si grua, me ferexhe.

(bbc)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors