Ndryshon në fshehtësi kreditimi i TVSH për naftën

Rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar për naftën, me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve

Bizneset që do të kërkojnë kreditimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, për naftën e përdorur gjatë aktivitetit të tyre, do të duhet tashmë që të paraqesin një varg dokumentesh dhe njëkohësisht do të marrin TVSH për naftën, vetëm me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Riciklimi pas një farë kohe i po të njëjtave ligje, që shiten si ndryshime nga qeveria, ka krijuar tashmë një konfuzion në rritje te aktorët ekonomikë. Nëse do t'i referohemi ndryshimeve që ndodhin përditë në ligjet, vendimet, apo udhëzimet tatimore dhe doganore, atëherë edhe kompania me stafin më të përgatitur ekonomiko-juridik nuk do të mundte të përshtatej.

Bizneset që do të kërkojnë kreditimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, për naftën e përdorur gjatë aktivitetit të tyre, do të duhet tashmë që të paraqesin një varg dokumentesh dhe njëkohësisht do të marrin TVSH për naftën, vetëm me firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Ndryshimi mbi procedurën e rimbursimit të TVSH-së për naftën, ka ardhur pas një udhëzimi të ministrit të Financave, Ridvan Bode, që mban datën datë 30.01.2006.Një procedurë e tillë, nuk është e re për institucionin e Tatimeve. Ministrit të Financave i është dashur vetëm që të riciklojë edhe njëherë urdhëresat e disa viteve më parë, të përdorur edhe nga paraardhësit e tij. Riciklimi pas një farë kohe i po të njëjtave ligje, që shiten si ndryshime nga qeveria, ka krijuar tashmë një konfuzion në rritje te aktorët ekonomikë.

Nëse do t'i referohemi ndryshimeve që ndodhin përditë në ligjet, vendimet, apo udhëzimet tatimore dhe doganore, atëherë edhe kompania me stafin më të përgatitur ekonomiko-juridik nuk do të mundte të përshtatej. Raste të tilla janë në vazhdimësi. Vetëm nëse do t'i referohemi ndryshimit dy herë, brenda 3 muajve, të vendimit të pagave të referencës, riciklimit të ligjit të famshëm të gjobave, që ishte përdorur nga qeveritë deri në 2002, do të arrinim në konkluzionin se konfuzioni te sipërmarrja është i madh. Por këto janë vetëm dy shembuj, ndërsa lista e ndryshimeve pafund është tepër e lartë.

Tashmë, çdo ligj apo vendim ndryshohet sa hap e mbyll sytë dhe po pas 3 muajsh kthehet në formën fillestare, duke e bërë lojën për sipërmarrjen tepër të vështirë. Po le të kthehemi te udhëzimi për kreditimin e naftës për sipërmarrjen. Sipas këtij udhëzimi, përfitimi i rimbursimit të TVSH-së për naftën e konsumuar nga ana e bizneseve, nuk mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë siç ishte më parë. Me anë të këtij udhëzimi të Bodes është shfuqizuar udhëzimi i mëparshëm, ndërsa janë shtuar një numër rekord dokumentesh për të marrë kreditimin e TVSH-së, për naftën e përdoruar nga sipërmarrja.

Duke parë listën e gjatë të dokumenteve që kërkohet për të marrë këtë kreditim, të një prej faktorëve të rëndësishëm të prodhimit në çdo njësi ekonomike, të lind dyshimi se një sorollatje e tillë do të lërë një pjesë të sipërmarrjes pa e përfituar kreditimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për naftën. Ky produkt mbetet një nga faktorët e rëndësishëm për prodhimin në shumë biznese, ndërsa çmimi i tij, si edhe TVSH-ja kanë kapur majat gjatë viteve të fundit. Njëkohësisht kriza energjetike, që sipas gjasave do të përfshijë vendin edhe gjatë këtij viti, është një nga faktorët e tjerë që rrit koston e prodhimit për pjesën më të madhe të biznesit.

***

Një nga faktorët që përcakton edhe rimbursimin e naftës për sipërmarrjen, është fakti se nëse ajo përbën një peshë të konsiderueshme në shpenzimet e bëra nga biznesi. Vetë formulimi i kësaj pike me peshë të konsiderueshme është tejet abuziv, sepse me këtë nuk përcaktohet një përqindje e saktë. Udhëzim i lëshuar nga kreu i Financave, përcakton këto hapa për të përfituar kreditimin e naftës.

Hapi i parë duhet që biznesi që kërkon rimbursimin e TVSH-së, të marrë një autorizim me shkrim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku të përcaktohet si kusht që gazoili i domosdoshëm për të ushtruar veprimtari ekonomike, të zërë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet e bëra nga personi i tatueshëm. Pas miratimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të këtij kriteri, atëherë biznesi duhet të vazhdojë veprimet me drejtorinë e qytetit përkatës, në të cilën operon njësia ekonomike. Në këtë rast, personi i tatueshëm paraqet kërkesë me shkrim në degën përkatëse të tatimeve.

Kërkesa shoqërohet me të dhënat e nevojshme për të gjykuar mbi situatën tatimore të personit të tatueshëm, si konsumi mesatar mujori i gazoilit, inventari i makinerive ose mjeteve të transportit, pagesa e taksave për makineritë dhe mjetet e transportit, pagesa e detyrimeve të tjera tatimore (TVSH, tatim mbi fitimin) për vitin në të cilin bëhet kërkesa dhe vitin paraardhës, si dhe një vërtetim për shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore dhe kontributet nga dega e tatimeve ku personi është regjistruar.

Por, radha e gjatë e procedurave burokratike nuk mbaron këtu. Pasi i ka plotësuar këto kërkesa që paraqet ky udhëzim dhe nëse ka marrë miratimin e Drejtorisë përkatëse të Tatimeve, sipërmarrësi duhet të vazhdojë rrugën e plotësimit të dokumenteve. Kërkesa, së bashku me dokumentet shoqëruese, dërgohet nga personi i tatueshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, brenda 30 ditëve nga data e protokollimit të kërkesës, lëshon ose jo autorizimin për lejimin e kreditimit dhe e dërgon atë zyrtarisht, një kopje në adresë të personit të tatueshëm dhe një kopje degës së tatimeve ku personi i tatueshëm është regjistruar. Autorizimet e lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, evidentohen në një regjistër të veçantë.

Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors