Çmimet e naftës shkojnë në 71$ fuçia

Grosistët, pas rritjes së akcizës do të rrisim çmimin e naftës me 5 lekë litri nga korriku

Çmimet e naftës gjatë ditës së djeshme kanë kaluar 71 dollarë fuçia, në një kohë që të gjithë investitorët kanë qenë në pritje të një ulje të konsumit të karburanteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ende nuk dihet se kur do të përfundojë kjo rritje e çmimit në bursat ndërkombëtare, në një kohë që prodhimi botëror i naftës mbetet në nivele të larta.

Përsa i përket tregut vendës të naftës, që mbetet në një masë tepër të lartë i ndikuar nga tregu ndërkombëtar, një rritje çmimesh pritet që të ndodhë së shpejti me futjen në fuqi të rritjes së re të akcizave nga ana e qeverisë, në muajin korrik.

Grosistët kanë bërë të ditur se do të rrisin çmimin e naftës me 5 lekë litri, duke e bërë këtë produkt nga më të shtrenjtit për vendin, gjatë këtyre viteve të fundit. Rritja e çmimit të vazhdueshëm të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, e ka bërë këtë produkt gjithmonë edhe më të shtrenjtë edhe për xhepat e shqiptarëve.

Në një kohë që nga ana e qeverisë nuk është marrë asnjë masë për të lehtësuar një nga faktorët kryesorë të prodhimit, naftën, bilanci vjetor për këtë produkt shkon në 250 milionë dollarë. Në të njëjtën kohë janë vënë re edhe rëniet e para në konsumin e këtij produkti në vend, megjithëse ka pasur një rritje të vazhdueshme të numrit të makinave dhe të përdoruesve të tjerë të karburanteve.

Kështu, ndryshe nga dinamika e këtyre viteve të fundit, karburantet dhe lubrifikantet kanë pësuar rënie (40 për qind) gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2006, në njëfarë mënyre dhe si një kundërpërgjigje kundrejt çmimeve të larta të tyre.

Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors