LUSHNJE- Atentat me tritol biznesmenit të vogël në qytetin e Lushnjes. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në lagjen "18 tetori' në qytetin e Lushnjës. Një shpërthim i fortë eksplozivi rreth orës 03.00 të mëngjesit ka ngritur në këmbë të gjithë banorët e zonës. Sasi e eksplozivit ishte vendosur në derën e shtëpisë së Qazim Likës, i cili njihet si një tregtar i vogël. Fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe asnjë dëmtim në njerëz. Pikërisht pista e konkurrencës është ajo që po hetohet me më shumë përparësi nga ana e prokurorisë së qytetit të Lushnjes. Deri tani policia nuk ka mundur që të identifikojë ndonjë nga personat e vendosjes së eksplozivit në derën e shtëpisë së Qazim Likës.
Banorët e lagjes "18 tetori" në qytetin e Lushnjës janë ngritur nga gjumi të tmerruar rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm. Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi, i shoqëruar edhe me flakë, ka bërë që të gjithë banorët e zonës të dalin nga shtëpia. Familja e biznesmenit të vogël, Qazim Lika, ka dalë e para nga shtëpia pasi shpërthimi ka ndodhur shumë pranë banesës së saj. Kur kryefamiljari ka dalë në oborr ka parë se porta hyrëse e shtëpisë ishte krejtësisht e shkatërruar, disa nga sendet që ndodheshin pranë saj ishin shpërndarë në të gjithë zonën. Ai është afruar dhe ka parë se pikërisht tek porta e tij ishte një shenjë e madhe shpërthimi, e cila tregonte se eksplozivi ishte vendosur aty. Vetëm pak minuta më pas, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur punonjësit e policisë së Lushnjes, të cilët kanë nisur hetimet për atë që ka ndodhur. Burime të policisë lokale pohuan dje se nga hetimet e para rezulton se objektivi i këtij atentati me eksploziv ishte pikërisht banesa e Qazim Likës. Ekspertiza e policisë ka treguar se bëhej fjalë për një sasi prej rreth 200 gramësh tritol, i cili ishte vendosur në derën e shtëpisë. "Mendojmë se eksplozivi është vendosur për të trembur familjen e Qazim Likës. Nga shpërthimi i lëndës plasëse është dëmtuar porta e avllisë, automjeti që ndodhej në oborrin e shtëpisë si dhe xhamat e dritareve të banesës",- thanë dje burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, dëme materiale kanë pësuar edhe disa banesa të tjera, rreth vendit të ngjarjes.
Në momentin e shpërthimit, në shtëpi ka qënë Qazimi me gruan dhe të shqetësuar nga zhurma e madhe ata kanë dalë jashtë për të mësuar rreth situatës së krijuar. " Ne ishim në gjumë kur ka ndodhur shpërthimi i eksplozivit. Kur dola jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur vura re se porta e avllisë ishte shkatërruar",- pohoi pas ngjarjes Qazim Lika. Banorët e zonës thanë dje për "Shekullin" se Qazimi njihet në lagje si njeri pa probleme dhe i përkushtuar ndaj punë. Sipas policisë, ngjarja e rëndë mund të ketë si motiv konkurrencën tregtare midis subjekteve private në lagje. Kjo pasi familja Lika ka një biznes të vogël pranë shtëpisë ku banon dhe konkurrenca midis tregtarëve ka nxitur dhe stimuluar mosmarrëveshje që kanë përfunduar me një akt të tillë kriminal. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment