Edhe pse ky opsion është konsideruar i gabuar nga institucione ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet e fundit dhe identifikuan problemet e sistemit dhe instrumentave elektorale në vend, përsëri shumica dhe opozita duket se po e përjetojnë pa dramë këtë rrezik, i cili së pari dhe kryesisht rëndon mbi ekonominë e brishtë dhe aktualisht në krizë, të vendit.
Ndërsa palët politike në Shqipëri po dështojnë me sukses në gjetjen e një zgjidhjeje çfarëdo për postin e presidentit, vendi i është drejtuar me shpejtësi mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Edhe pse ky opsion është konsideruar i gabuar nga institucione ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet e fundit dhe identifikuan problemet e sistemit dhe instrumentave elektorale në vend, përsëri shumica dhe opozita duket se po e përjetojnë pa dramë këtë rrezik, i cili së pari dhe kryesisht rëndon mbi ekonominë e brishtë dhe aktualisht në krizë, të vendit.
Edi Ramës dhe socialistëve të tij ju intereson mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, pasi grupi i ri në krye të partisë socialiste nuk ka çfarë të humbasë nga ky opsion, ndërsa nuk është i përfaqësuar siç duhet në parlament.
Demokratëve zgjedhjet e parakohshme nuk ju shërbejnë aq tepër. Por koalicioni i z.Berisha ka qenë mëse i plasaritur nga presioni i mikro-partive, që e kanë kërcënuar vazhdimisht në heshtje mazhorancën, po aq sa opozita. Në këtë çast Berisha e ka të lehtë të bindë aleatët, se këto zgjedhje - nëse shkaktohen nga kriza presidenciale- shënojnë realisht fundin e shumë emrave të mbetur në politikë jo si shprehje e fuqisë së tyre, por si efekt i dobësive të partisë leader në pushtet.
Gjithashtu një sërë reformash, që do ta bënin të dukshëm suksesin e qeverisë Berisha, nuk arritën të përmbushen falë kundërshtimit që mazhoranca gjeti në ndryshimin e prokurorit të përgjithshëm dhe në tërësi në sistemin e drejtësisë. Bllokimi i reformave dhe i vullnetit politik për luftë reale kundër korrupsionit, ka sjellë edhe ruajtjen në nivele të larta të perceptimit publik mbi nivelin e korrupsionit në administratë dhe krimit ekonomik në përgjithësi.
Por për ekonominë e vendit zgjedhjet e parakohshme do të ishin një humnerë e thellë.
E para, ato do të bllokonin ecurinë normale të një serie investimesh madhore, në energjitikë dhe në infrastrukturë, të cilat janë projektuar për të nisur në Shqipëri brenda këtij viti.
Së dyti, këto zgjedhje do të shtynin me të paktën një vit momentin e realizimit të një serie transaksionesh të rëndësishme parapërgatitore për investime të huaja direkte, tani kur gatishmëria e shumë operatorëve të huaj është maturuar dhe është shumë pranë finalizimit. Efektit të pasigurisë që prodhoi shtyrja e përcaktimit të statusit të Kosovës dhe fantazma e një lufte atje, këto zgjedhje i shtojnë një ndjesi destabiliteti që bëhet i besueshëm dhe frikësues, nëse situata paszgjedhore bëhet e ngjashme me atë të shkurtit 2007.
Së treti, zgjedhjet e parakohshme do të bllokojnë sërish ecurinë e projekteve të hapura me mbështetjen e donatorëve të huaj, që janë për momentin oksigjeni kryesor i ekonomisë së drobitur shqiptare.
Së katërti, efektet e krizës energjitike tashmë të shpallur do të disa-fishohen nga kostot me karakter politik që prodhojnë rregullisht zgjedhjet mbi ekonominë. Kjo jo thjesht do të prishë makro-parametrat e parashikuar të këtij viti fiskal, por do të prodhojë drejtpërdrejt një rritje të kostos së jetesës për të gjithë popullatën. Thellimi i varfërisë do të ngadalësojë po ashtu ritmet e punës së shumë industrive parësore si ndërtimi, turizmi, tregëtia etj duke sjellë për pasojë një rënie të depozitave bankare dhe një dobësim të mëtejshëm të krejt sistemit financiar.
Në këtë rrafsh nuk duhet nënvleftësuar frika psikologjike e konsumatorit për të shpenzuar në treg para’ të “shtrenjta”, gjë që bllokon në një feed back negativ krejt ciklin e qarkullimit të parasë duke e futur ekonominë në një spirale fundosjeje.
Dua të nënvizoj faktin se këto zgjedhje vijnë në çastin, kur qeveria ka nisur të përgatisë paketën e masave për të vendosur taksën e sheshtë 10% dhe të ulë TVSH-në në 10%. Kjo reformë fiskale, si të tjera para saj, kanë mbetur thelbësisht të pasqaruara për shumicën e bizneseve në vend dhe mund të kthehen në një boomerang të rrezikshëm për shumicën qeverisëse, nëse ajo futet në zgjedhje të parakohshme. Depresioni ekonomik po ashtu do të jetë një faktor tjetër që parathotë shumë në rastin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend. (albpr)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment