Lindita Kodra, Kampione e Evropës në qitje me pistoletë

Mbas 27 vjetësh, Shqipëria ka një kampione të Evropës

* E quajnë Lindita Kodra - Kampione e Evropës në qitjen me pistoletë 30 + 30
* Një krahasim i detyruar midis sportit të shoqërisë komuniste dhe asaj demokratike
* Vetëm në këtë shkrim do të gjeni përmitësimin dhe kuptimin e kësaj ngjarjeje

Ngjarja është e madhe vërtet, sepse krejt papritmas, një qitëse shqiptare bëhet kampionia e parë e Evropës mbas rënies së komunizmit. Përse themi mbas rënies së komunizmit? Sepse ka një vijë demarkacioni edhe për historinë e sportit shqiptar: para dhe mbas rënies së komunizmit ose ndryshe: demokracia 15 vjet mbas rënies së komunizmit ka ende probleme të shumta me atë shoqëri edhe në fushën e sportit.

Vetë shoqëria komuniste i pat rregulluar “fort bukur” marrëdhëniet e saj me Shqipërinë e Paraluftës, ashtu si në të gjitha fushat e jetës shqiptare, edhe në sport. Me një të rënë të lapsit Partia tha: “Edhe sporti jam unë!” Ajo nuk pranoi të krahasohej me sportin e Paraluftës, atë të Mbretërisë, si dhe atë të gjatë Luftës, por çeli një faqe të re më 28 apo 29 nëntor 1944 dhe tha: “Para çlirimit nuk ka pasë sport!” Ndonëse deri në atë kohë ishin zhvilluar 7 Kampionate Kombëtare të Futbollit, 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës, 6 Kampionante Kombëtare të Notit, 2 rrethe Çiklistike të Shqipërisë (por 3 Kampionate Kombëtare), kampionate kombëtare në boks dhe mundje, kampionate të pafund të shkollave e të gjimnazeve deri në basketboll e volejboll, madje ndërqytetëse. Shqipëria mori pjesë në katër edicione të Lojërave Ballkanike të Atletikës, pati marrëdhënie jo të pakta ndërkombëtare sportive, me fqinjët të paktën. Por Parta tha se para çlirimit nuk ka patur sport dhe nuk i njohu asnjë nga këto kampionate. Me arrogancë, me prepotencë, me frikmëri, me diktat dhe i bëri sportet simbas mënyrës së saj. E ndihmoi Jugosllavia, por sidomos e ndihmoi jo pak BRSS dhe vendet e tjera komuniste, mandej Kina Popullore. Dhe, nuk e bëri keq. Kjo për hir të së vërtetës, sepse demokracia nuk mohon askënd, ajo vetëm konfirmon dhe rindërton dhe synon.

Një herë kam pyetur: “A e ka mundë demokracia sportin e regjimit komunist?” Personalisht kam mendimin se për sportin shqiptar kjo është një pyetje tejet e rëndësishme. Në pamje të jashtme, ajo duket si një pyetje politike. Në thelb asesi nuk është politike. Është një pyetje që të çon te rritja, te synimet që duhet të ketë shoqëria demokratike e një vendi. Diktaturat nuk e bëjnë keq sportin. Demokracia e bën ndryshe. I jep lirinë sportit dhe demokracinë e organzimit. E para kërkon një sport shpesh popullor, masiv në dukje, në shërbim të qëllimeve të saj për t’i mbajtur njerëzit nën fré. E dyta e sheh sportin si mjet argëtimi dhe në dobi të gëzimit dhe harmonisë shpirtërore dhe fizike të njeriut. Diktatura i kërkon rezultatet në sport me çdo çmim. Demokracia i kërkon përmes Fair Play-t olimpik, që do të thotë natyrshëm dhe më me sinqeritet. Ndonëse në fund të fundit, kur vjen puna te përgatitjet, të dyja i kërkojnë ndihmë shkencës, financës, displinës.

Shoqëria demokratike ende nuk e ka mundë shoqërinë komuniste në sportin shqiptar. Kjo për sa u përket rezultateve ndërkombëtare dhe nivelit të kampionateve kombëtare në të gjitha sportet. Bën përjashtim vetëm peshëngritja, i vetmi sport që mund të themi se e ka kaluar atë të shoqërisë komuniste. Doemos, duke u mbështetur në traditën e krijuar asokohe. Të kuptohemi, ndonëse ende larg is- vendeve të tjera ish komuniste edhe në Shqipëri organizimi i sportit po bëhet simbas kërkesave juridike, shoqërore dhe shkencore të demokracisë. E kemi fjalën për prapambetjen në rezultate.

Qitja ka qenë sporti i Partisë, i Shqipërisë së popullit ushtar, i syrit të pushkës kundër armikut. Ndonëse qitja është një sport olimpik i mirëfilltë, rezultatet e qitjes shqiptare në kohën e Partisë kanë qenë sensacionale. Deri aty sa që Shqipëria pati dy Kampione të Evropës, madje edhe një Kampione të Evropës për të rejat. Deri javën që shkoi, për të gjithë sportet e saj, Shqipëria kishte vetëm dy Kampione të Evropës, të famshmet Elizabeta Karabolli dhe Ermira Dingu dhe asnjë titull kësisoji për të rriturit e sportit shqiptar në asnjë lloj sporti tjetër.

Papritmas javën që shkoi, në Granada të Spanjës, Lindita Kodra bëhet kampionia e tretë e Evropës në historinë e sportit shqiptar. Kjo është ngjarja e madhe. As në futboll, as në basketboll, as në atletitkë dhe as në futboll. Vetëm në qitje. Në pistoletë 30+30, 25 metra larg. Lindita Kodra, 45 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, qitëse e përvojës e klubit “Studenti” të Tiranës, sportiste e dalë nga klubi i Laçit, edhe ngaqë atje regjimi kishte ndërtuar një poligon qitjeje. Lindita Kodra nuk e ushtron qitjen për asnjë përfitim personal, por e ushtron për pasion dhe detyrim atdhetar. Këtu është kuptimi i madh që ajo ka për sportin e saj dhe ka meritën e jashtëzakonshme, sepse titullin e Kampiones së Evropës, ajo e mbërrin në një periudhë tejet të vështirë të sportit të qitjes në Shqipëri. Për fat, një sport thuajse i mënjanuar. Enver Hoxha, njërën nga Kampionet e Evropës e thirri në tribunën e Byrosë Politike në “Qemal Stafa” dhe doli në foto me të, një foto simbol i qitjes së Shqipërisë së asokohe dhe që bëri xhiron e Evropës!

Sot diçka krejt tjetër. Nuk do të ketë foto të Lindita Kodrës që të bëjë, ndoshta as xhiron e Shqipërisë, ndonëse arritja e saj është vërtet një ngjarje e madhe. Një herë kemi thënë se një vend “kapitalist”, Finlanda, jep 1.5 milionë dollarë në vit për qitjen dhe të gjitha i merr nga loteritë sportive që ajo organizon. Këtë e kemi thënë nja katër vjet më parë dhe sot nuk e dimë se ku kanë mbërritur financat e qitjes së Finlandës. Natyrisht, nuk e dimë sa merr qitja shqiptare, por në qoftë se nuk ka marrë deri dje, duhet t’i marrë tash e mbrapa, sepse Lindita Kodra me titullin e Kampiones së Evropës, i treti qysh kur është themeluar Shqipëria, është e para sportiste shqiptare që me mund, me talent, me rezultat i ka siguruar Shqipërisë pjesëmarrjen zyrtare në Lojërat Olimpike të Kinës 2008. Mu për këtë ngjarja bëhet edhe më e madhe.

Deri më sot, në një Kampionat të Evropës, vetëm sporti i qitjes e ka detyruar kontinentin e vjetër, t’ia ekzekutojë himnin kombëtar Shqipërisë. Tri dekada më parë falë Karabollit e Dingut. Sot, mbas kësaj pauze që zgjati plot 27 vjet, falë Kodrës.

2.

Për të kuptuar këtë garë, nganjëherë nuk është e nevojshme të përshkruash, por vetëm t’i hedhësh sytë nga statistika, nga kultura statistikore në përvetësimin e së cilës Shqipëria është vend i fundit në Evropë. Do të japim renditjen e 25 qitësve të parë të garës së Granadës së Spanjës që i ka dhënë titullin e Kampiones së Evropës Lindita Kodrës së Shqipërisë, aq më tepër që këtë renditje ende nuk e ka botuar askush në Shqipëri. Brenda kësaj 25-she të parë është edhe një tjetër shqiptare, Klarita Strataj:

KAMPIONATI EVROPIAN I QITJES, GRANADA (SPANJE), 11 korrik 2007:

1. L. Kodra / ALB 584
2. M. Dorjsuren / GER 583
3. M. Grozdeva / BUL 583
4. J. Sekaric / SRB 581
5. S. Kolly / SUI 579
6. I. Tanova / BUL 582
7. G. Beliaeva / RUS 579
8. N. Salukvadze / GEO 579
9. N. Paderina / RUS 578
10. S. Tirode / FRA 578
11. P. Hykova / CZE 577
12. A. Boneva / BUL 577
13. B. Roy / FRA 577
14. S. Szpek / POL 576
15. Y. Alipava / RUS 576
16. A. Kassoumi / GRE 576
17. R. Sike / HUN 575
18. Z. Arunovic / SRB 574
19. S. Franquet / ESP 574
20. Z. Csonka / HUN 574
21. A. Kil / TUR 573
22. V. Pervan / CRO 573
23. O. Kostevych / UKR 573
24. M. Genovesi / ITA 572
25. K. Strataj / ALB 572

Mbas këtyre u renditen edhe plot 34 qitëse të tjera, deri te vend i 59-të, aq sa ishte numri i pjesëmarrseve të garës, ku e 55-ta është një tjetër qitëse shqiptare, Edlira Dingu (552 pikë). Mbrapa 25-shes së parë janë qitëse të Republikës Çeke, Bjellorusisë, Azerbajxhanit, Spanjës, Portugalisë, Suedisë, Francës, Lituanisë, Italisë, Gjermanisë, Austrisë, Turqisë, Kroacisë, Ukrainës, Zvicrës, Letonisë, Estonisë, Finlandës, Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë. Është gjithë Evropa, e cila sot ka 53 shtete.

Lindita Kodra ka fituar titullin e Kampiones së Evropës, duke lënë mbrapa kampionen olimpike në fuqi, Maria Grozdeva të Bullgarisë, nënkampionen olimpike në fuqi Lenka Hykova të Republikës Çeke dhe fituesen e medaljes së bronztë në fuqi, Irada Ashumova të Azerbajxhanit - të trija të Olimpiadës “Athina 2004”, si dhe një numër jo të paktë kampionesh të mëparshme të Evropës apo të podiumit të Kampionatit Botëror. Për ta kuptuar më mirë këtë, ja tetë më të mirat e Olimpiadës së Athinës në këtë garë:

1. M. Grozdeva / BUL 585

2. L. Hykova / CZE 588

3. I. Ashumova / AZE 588

4. Y. Cheng / CHN 584

5. M. Dorjsuren / GER 583

6. G. Otryad / MGL 583

7. H. Seo / KOR 582

8. N. Salukvadze / GEO 580

Kësisoji, nëse do të mund të kemi një Lindita Kodra olimpiste të vërtetë, asaj do t’i duhet të ketë parasysh edhe sportistet aziatike. Jemi ende larg një parashikimi megjithatë. E rëndësishme është se Shqipëria tashmâ njeh olimpisten e saj të parë për “Kina 2008”, e cila vjen prej garës së titullit Kampione të Evropës. Pistoletë 30+30 në 25 metra larg tabelës, natyrisht në këmbë dhe e zhvilluar si gjithmonë në dy kahe “stili”: preçizion dhe shpejtësi. Në fillim precizioni me shéjin e palëvizshëm në tabelë. Gjithmonë tri qitje brenda një pesëminutëshi. Në çdo seri prej 10 gjuajtjesh mund të merren 100 pikë të mundshme, që është një mrekulli, sepse do të thotë se ke qëlluar dhjetë herë vetëm dhjetën. Lindita Kodra mori në dhjetë të shtimet e para 96 nga 100 pikë të mundshme. Në dhjetë të shtimet e dyta 98 pikë dhe 97 në dhjetë të shtimet e treta. Në tânësi 291 pikë nga 300 të mundshme.

Precizioni është diçka tjetër. Përsëri 30 të shtime, të ndara tri herë nga 10, por tash me një ndryshim dramatik: shéji në tabelë lëviz. Ai qëndron vetëm 3 sekonda dhe brenda 3 sekondash qitësi duhet të qëllojë. Kampionia e Evropës, Lindita Kodra, qe e shkëlqyeshme: 98 pikë nga 100 të mundshme në dhjetë të shtimet e para dhe të dyta të precizionit dhe 97 pikë në dhjetë të shtimet e fundit. Plot 293 pikë dhe në tânësi 30+30 plot 584 pikë. Po kaq sa mori edhe Kampionia Olimpike në fuqi Maria Grozdeva e Bullgarisë. Mirëpo, asgjë nuk mbaron me kaq. Tetë më të mirat bëjnë edhe atë që quhet qitje finale (fundore). Janë edhe 20 të shtime të tjera, të ndara në 10 e 10 dhe pikët që merren këtu u shtohen të parave të 30 + 30 (në këtë rast 584 pikëve të Lindites të fituara në pjesën klasike të garës) dhe del renditja e re që i dha Lindita Kodrës shifrën 787.4, duke lënë mbrapa Dorjsuren të Gjermanisë dhe Grozdeva të Bullgarisë, medalje e argjendtë dhe e bronxtë, respektivisht me nga 783.8 dhe 783.1. Ndonëse, zakonisht kur jepet renditja në shtyp jepen shifrat e pjesës së parë të garës, e mu për këtë ndodh që bie fjala, Grozdeva, siç shihet në renditjen tonë të mësipërme, është e treta me po 584 pikë, një më shumë se Dorjsuren e Gjermanisë (583), por e cila në garën finale ka fituar 200.8 ndaj 199.1 të Grozdevës e cila në tanësi ka më pak dhe është e treta.

Gara e Granadaas ka filluar në orën 9.00 dhe ka përfunduar në orën 16.00 të mbasdites. Një maratonë e tânë, e cila natyrisht ka ndërprerjet për radhën e garimit të rreth 60 qitseve si dhe pushimet nga njëri “stil” në tjetrin. Një maratonë e vërtetë, me një lodhje të jashtëzakonshme fizike e ndoshta më tepër psikologjike. E bëmë këtë shpjegim për të kuptuar se jo më kot qitja është një sport olimpik dhe çdo garë e saj vlen një medalje ari, as më pak dhe as më shumë se çka fiton një sport kolektiv si futbolli apo basketbolli. Çka do të thotë se 1 medalje ari merr SHBA nëse fiton turneun e basketbollit në Olimpiadën e Kinës dhe po 1 medalje ari merr edhe Lindita Kodra nëse fiton pistoletën 30z+30. Kjo është ajo që quhet demokracia olimpike.

Për të gjitha këto është një ngjarje e madhe titulli i Kampiones së Evropës nga shqiptarja Lindita Kodra në Kampionatin Evropian të Qitjes në Granada të Spanjës, më saktë në Las Gabias të Granadas. Kjo ishte dhe befasia e qitjes shqiptare që i kthen Shqipërisë medaljen e parë të Kampiones së Evropës në “kohën e re”, duke e ashpërsuar ose duke ndezur fort garën midis sportit të shoqërisë komuniste shqiptare dhe sportit të shoqërisë demokratike shqiptare. Ndonëse sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, një besnik i vjetër i këtij sporti olimpik, i cili ka përshkuar etapat e dekadave të fundit të këtij sporti, ndërsa e pranon befasinë e titullit, thotë se për të fituar tetëshen finaliste (të fundores) “kemi synuar pa shkuar në Garanada”, megjithë vështirësitë financiare të udhëtimit dhe pjesëmarrjes, çka nuk do të kishte qenë e mundur të realizoheshin pa mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Ndoshta ky është një lajm. Mbështetja e ministrisë, qysh sot për olimpisten e parë shqiptare të “Kina 2008”, besojmë se qysh sot do të jetë diçka tjetër, edhe më e planifikuar. Gjithmonë olimpiada është një çështje shtetërore edhe për shoqërinë demokratike.

3.

28 vjet më parë, qitësja shqiptare Elizabeta Karabolli u shpall Kampione e Evropës mu në garën e pistoletës 30+30 me shifrat botërore 587 pikë. Kur u kthye në Shqipëri u prit si një heroinë, përveç të tjerave edhe pse qe e detyruar të zbatonte urdhrin e mosdhënies së dorës qitëseve sovjetike, të cilat i kishte një vend më poshtë në podiumin e nderit të poligonit të Frannkfurtit, ndërsa ekzekutohej hymni i Shqipërisë. Ishte 1979. Një vit më vonë, shqiptarja tjetër, Ermira Dingu u shpall Kampione e Evropës në garën më klasike të qitjes, ate 1x60 precizion (594 pikë). Kjo ka ndodhur në Madrid më 1980-ën. Më 1983 në Bukuresht, Emanuela Kola fitoi titullin e Kampiones së Evropës për të reja në pistoletë 30+30 (582 pikë). Ndërsa plot 25 vjet më parë, më 1982, Niko Shtrepi, i cili vazhdoi të merrej edhe deri më sot me qitje, u bë Kampioni i parë i Ballkanit për Shqipërinë. Mbas tij, Shqipëria pati edhe gati nja 20 kampionë të tjerë të Ballkanit. Më 1987-ën, Kristo Robo u bë kampioni i parë shqiptar i Mesdheut, çuditërisht po në pistoletë 30+30. Shqiptarë dhe shqiptare tash gati 30 vjet janë pistoletistë të rangut botëror. E kishim harruar. Na e përtëriu gjithçka: kujtesën, mundësitë, fitoren, suksesin, imagjinatën, dëshirat, ambicjet, protagonistja historike e shekullit XXI për sportin shqiptar, Lindita Kodra - kampionia e re e Evropës për Shqipërinë, e cila qysh kur ka bërë dritë në rruzull, ka vetëm tre Kampionë të Evropës në sportet. Pak? Ndoshta. Mirëpo, nuk jemi më shumë se 3.5 milionë, sepse ende ligjësisht (kështu e jep në shqipet Ernest Koliqi “juridikisht”-in) nuk mund të përfshijmë edhe nja 4 milionë shqiptarë të tjerë të ndarë midis Kosovës, Diasporës e Arbëreshve. Dihet se, gjithmonë kur përfundon një Olimpiadë, historianët dhe studiuesit bëjnë edhe një renditje tjetër jozyrtare: llogarisin numrin e medaljeve të fituara për banorë.

Katër vjet më parë kemi shkruar këtu në “TemA” një “Requiem për qitjen”. Duhet ta harrojmë, ndonëse ende poligonet tona të qitjes janë të drobitur. Kampionia re e Evropës, olimpistja e parë shqiptare e “Kina 2008”, vërteton të kundërten e çdo ndjellazì (pesimizmi). (Albasoul)

Nuk ka megjithatë një requiem për qitjen shqiptare. Është Lindita Kodra!

Besnik Dizdari

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors