Lajme shkurt: nga vendi the bota

Lajme shkurt: nga vendi the bota

AFGANISTAN. BRAZIL. KOSOVE. LIBAN. SHBA. LIBI. IRAK. FIER. KORÇE. KILI. JAPONI. IRAK. JAPONI. KORE. IZRAEL. KAKAVIJE. GJERMANI. JAPONI. SHBA. BULLGARIA.

AFGANISTAN. Një atentat kamikaz i marrë përsipër nga talebanët pati si objektiv sot në mëngjes një autokolonë turke në Kabul, duke plagosur një civil afgan, ndërkohë që një polic afgan u vra nga luftime kundër talebanëve në lindje të Afganistanit, njoftuan autoritetet afgane. Një zëdhënës i Forcës ndërkombëtare të ndihmës për sigurinë, Isaf, nën komandën e NATO-s, siguroi se asnjë ushtar i Isaf-it nuk ishte përfshirë në këtë sulm kamikaz.

BRAZIL. Një person vdiq dhe 12 të tjerë u plagosën dje në mbrëmje në një magazinë me të cilën u përplas një avion Airbus A-320 i shoqërisë braziliane TAM në afërsi të aeroportit Congonhas të Sao Paulos, njofton një zëdhënës i skuadrave zjarrfikëse. Sipas TV Globo, ky bilanc është tashmë tre të vdekur dhe dy të plagosur. Bilanci mund të rëndohet ndjeshëm, sepse nuk ka ende të dhëna për fatin e pasagjerëve të avionit i cili mori zjarr duke u përplasur me magazinën e TAM Express, një filial i kompanisë ajrore. TAM ka njoftuar vetëm se avioni, që vinte nga Porto Alegro, në jug, kishte 176 pasagjerë në bord dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.

KOSOVE. Kryeministri Agim Çeku ka paralajmëruar se nëse Rusia do të kundërshtojë sërish rezolutën për statusin, atëherë Kosova do të shpallë pavarësinë e njëanshme.

LIBAN. Trupat libaneze avancuan më shumë sot në një kamp refugjatësh palestinez, në një përpjekje për t'i dhënë fund një konflikti 8-javor me militantët e frymëzuar nga al-Kaida, ku humbën jetën të paktën 223 persona. Trupat që luftojnë kundër militantëve të Fatah al-Islam u futën dje në kampin Nahr al-Bared në veri të Libanit, për të parën herë që kur filloi konflikti.

SHBA. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të ketë sot pasdite, në një sesion të mbyllur, konsultime për projektrezolutën e re për statusin e Kosovës, të sponsoruar nga SHBA dhe BE. Sipas RTK-së, një zëdhënës i Ambasadës së Kinës në OKB, konfirmoi se në rendin e ditës do të jenë konsultimet e mbyllura për këtë projektrezolutë, por nuk ishte në gjendje të thotë nëse do të ketë votim.

LIBI. Këshilli i Lartë i instancave gjyqësore libiane që pritej të vendoste sot në mëngjes për fatin e infermiereve dhe të mjekut bullgar të dënuar me vdekje në Libi, e shtyu mbledhjen për në orën 16:00 GMT, njoftojnë burime zyrtare.

IRAK. Të paktën 80 persona u vranë dhe 136 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një autobombe dhe të një kamioni bombë në qytetin irakian jugor Kirkuk, njoftoi policia. Ata deklaruan se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej.

FIER. Pasioni për gjueti i ka kushtuar shtrenjtë një 51 vjeçari, i cili në pakujdesi e sipër ka plagosur një fëmijë 10 vjeçar. Ngjarja për të cilën akuzohet 51 vjeçari Gj. Bardhi, banor i fshatit Shtyllas ndodhi dje teksa ai po gjuante shpendë të egër me një çifte që e mbante me leje, në një pyll të zonës. Në pakujdesi e sipër, 51 vjeçari ka plagosur 10 vjeçarin E.Ç.

KORÇE. Një 31 vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Korçës, pasi automjeti me të cilën ajo udhëtonte u përfshi mëngjesin e sotëm në një aksident në hyrje të qytetit. Aksidenti ku mbeti e plagosur rëndë 31 vjeçarja Alma Themeli, banore e lagjes nr.4 të qytetit, ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit në afërsi të fabrikës së birrës". Automjeti tip BMW, me targë KO 47 67 B, me të cilën udhëtonte e plagosura dhe tre persona të tjerë u përplas me një pemë. Drejtuesi i automjetit, shtetasi Blendi Iljazi, 39 vjeç, nga fshati Mborje i Korçës, u ndalua në flagrancë nga policia.

KILI. Një shpërthim ndodhi dje jashtë ambasadës britanike në kryeqytetin kilian Santiago duke shkaktuar dëmtime të lehta të ndërtesës, deklaroi sot një zëdhënës i Zyrës së Jashtme britanike. Zëdhënësi deklaroi se nuk kishte njoftime për viktima dhe se ndërkohë policia kishte filluar një hetim lidhur me ngjarjen.

JAPONI. Një zjarr shpërtheu në një transformator elektrik në një central të energjisë bërthamore në veriperëndim të Japonisë, pasi zona u godit nga një tërmet me një intensitet prej 6.6 ballësh, njoftoi sot stacioni televiziv Asahi. Në një pamje të shkurtër filmike shfaqej tymi duke dalë nga një ndërtesë në centralin e energjisë bërthamore Kashiwazaki Kariwa në prefekturën Niigata, afro 250 kilometra në veriperëndim të Tokios.

IRAK. Pesë ushtarë irakianë u vranë sot si pasojë e shpërthimit të një bombe artizanale në verilindje të Bagdadit, njoftoi policia. Një ushtar u plagos gjithashtu gjatë sulmit ndaj automjetit të tyre në distriktin Boubal-Sham, njoftoi policia

JAPONI. Dy persona humbën jetën dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën si pasojë e nje tërmeti të fuqishëm që tronditi zonën veriperëndimore të Japonisë, njoftoi media. Një tërmet i fuqishëm me intesitet 6.6 ballë tronditi sot zonën veriperëndimore të Japonisë, në afërsi të prefekturës Niigata, njoftoi televizioni publik NHK. Tërmeti u ndje edhe në Tokio.

KORE. Koreja e Veriut konfirmoi sot se ka mbyllur reaktorin e saj bërthamor që i siguron Phenianit material për të prodhuar bomba bërthamore, njoftoi sot agjencia kineze e lajmeve Hsinhua, duke cituar një zyrtar koreanoverior. Koreja e Veriut i ka thënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ka mbyllur reaktorin e saj bërthamor në Yongbyon, si pjesë e një marrëveshjeje për çarmatim, njoftoi Departamenti amerikane i Shtetit, pasi një grup monitoruesish i OKB-së mbërriti në Phenian.

IZRAEL. Izraeli ka pranuar të ndalojë ndjekjen e 180 militantëve të kërkuar të Fatahut, nëse këto të fundit premtojnë se do t'i japin fund sulmeve kundër shtetit hebre, në një përpjekje për të mbështetur presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, deklaruan sot zyrtarët. Izraeli ka pranuar gjithashtu të lejojë Nayef Hawatmeh, liderin e Frontit Demokratik për Çlirimin e Palestinës (DFLP), i cili ndodhet në Damask, të udhëtojë në territorin e pushtuar të Bregut Perëndimor.

KAKAVIJE. Policia kufitare e Grupit Operativ Special (GOS) ka bllokuar në orët e para të ditës së sotme 20 emigrantë klandestinë, në metrat e fundit të tokës shqiptare, në Kakavijë.

GJERMANI. Luan Krasniqi në takimin që ka zhvilluar mbrëmë në Hamburg kundër amerikanit Toni Tompson, e humbi edhe një herë rastin për të luftuar për titullin e kampionit boteror në kategorinë e rëndë të boksit profesionist në versionin WBO.

JAPONI. Tajfuni Man-yi shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e më shumë se 70 të tjerëve në Japoni, por u dëbësua sot në një stuhi tropikale, ndërsa po drejtohej nga rajonin qendror të vendit, duke sjellë me vete shira të dendura dhe rrëshqitje dheu. Meteorologët paralajmërojnë për përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa pritet që stuhia të përfshijë sot edhe Tokion.

SHBA. Koreja e Veriut i ka thënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ka mbyllur reaktorin e saj bërthamor, si pjesë e një marrëveshjeje për çarmatim, njoftoi Departamenti amerikane i Shtetit, pasi një grup monitoruesish i OKB-së mbërriti në Phenian. "E mirëpresim këtë zhvillim dhe presim verifikimin dhe monitorimin e kësaj mbylljeje nga një grup i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore që ka mbërritur" në Korenë e Veriut, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack.

BULLGARIA. Bullgaria dhe vendet e tjera do të paguajnë bashkërisht dëmshpërblimin prej 400 milionë dollarë familjeve të fëmijëve nga Libia të infektuar me virusin e sidës. Per kete arsye pesë infermiere bullgare dhe një mjek palestinez janë dënuar me vdekje.(shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors