TIRANË-Ka parkuar kamionin, diku pranë Unazës së Re dhe ka zbritur për të bërë një pushim. Kur është kthyer, ka vënë re se dera e kabinës ishte e hapur dhe brenda saj mungonin të gjitha paratë që kishte marrë me vete. Kështu ka denoncuar dje në policinë e Tiranës, shoferi i një kompanie, i cili ka pohuar për policinë se i kishin vjedhur 1.6 milionë lekë të reja. 44-vjeçari nga Fushë-Kruja, Pëllumb Dema, ka denoncuar në polici se vjedhja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në zonën e Unazës së Re, pranë fabrikës së birrës.
Dema ka qenë duke udhëtuar me kamionin e tij me targa KR 4484 A në drejtim të kryeqytetit, ndërsa i gjithë udhëtimi ka shkuar më së miri, ai do ta shikonte veten pisk në momentin që ka qëndruar për të pushuar.
Pasi ka zbritur nga kamioni ai është drejtuar tek një lokal për të pirë kafen e mëngjesit dhe makinën e ka parkuar në cep të rrugës në një pozicion ku mund ta shikonte. Gjatë kohës që ka qëndruar në lokal, sipas policisë, persona të paidentifikuar kanë shkuar drejt kamionit, kanë hapur derën e kabimës dhe kanë mundur të marrin ato që kishin më shumë vlerë, sasinë prej 1.6 milionë lekësh që shoferi i mbante me vete. Sipas hetimeve të policisë, grabitësit kanë mundur ta vënë në jetë planin e tyre dhe të largohen me qetësi me gjithë shumën e lekëve që mundën të siguronin. 44-vjeçari Dema ka mundur të vëre re gjithçka vetëm kur ka dalë nga lokali dhe ka hipur në kabinën e kamionit të tij për të vazhduar udhëtimin. Instikti siç duket e ka shtyrë që veprimi i parë që ka bërë të hidhte sytë nga çanta me para me të cilën do bënte dhe furnizimin për kompaninë ku punonte. I tronditur lajmëron menjëherë sallën operative të policisë të cilët dërgojnë në vendngjarje një grup hetimor të komisariatit nr-2.
Dema ka dëshmuar para grupit hetimor se gjithçka është kryer brenda pak minutash në një moment që makinën e kishte vetëm disa metra larg. Pasi kanë dëgjuar me vëmëndje dëshminë e 44-vjeçarit, ekspertët kriminalistë kanë kryer veprimet hetimore në vendngjarje si dhe kanë mundur të lokalizojnë dhe disa gjurmë që grabitësit kishin lënë në kabinën e kamionit. Gjatë ditës së djeshme policia ka mundur të shoqërojë disa persona të dyshuar në ambientet e saj, por pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë të lirë. Burime policore pohojnë se pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e grabitësve të ardhur nga Kruja. Të njëjtat burime shtuan se grabitësit kanë qënë në dijeni të shumës që 44-vjeçari mbante në makinë, e kanë ndjekur atë gjatë gjithë udhëtimit dhe pasi kanë gjetur momentin e përshtatshëm kanë realizuar edhe planin e tyre. Megjithatë, gjithçka pritet të zbardhet në ditët e ardhshme. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment