EUROSTAT, Shqipëria çmime rekord në rajon

Në një studim të publikuar gjatë ditëve të fundit nga Instituti Evropian i Statistikave, EUROSTAT, çmimet në Shqipëri mbeten tepër të larta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe për shumë vende të tjera që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Në këtë studim janë përfshirë 37 vende, nga të cilat, 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian, 3 vendet që janë pretendente për t'u anëtarësuar në BE, Maqedonia, Kroacia dhe Turqia, tre vendet që bëjnë pjesë në EFTA, ku futet Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Studimi ka përfshirë dhe 4 vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike

Ndërsa prej rreth 10 vitesh jemi në kushtet e një inflacioni të vlerësuar si optimal, përsa i përket nivelit të tij të sipërm, çmimet në Shqipëri mbeten tepër të larta krahasuar me një pjesë të mirë të vendeve që na rrethojnë dhe vende të tjera, që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, apo që kanë një rrugë më të shkurtër drejt Evropës se vendi ynë. Statistikat për çmimet bëhen të ditura nga EUROSTAT, në një studim të fundit. Shqipëria paraqet një nivel tepër të lartë çmimesh për ushqimet dhe pijet joalkoolike krahasuar me fqinjin tonë, Maqedoninë, apo me anëtaren e re të Bashkimit Evropian, Bullgarinë. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Bullgari dhe Maqedoni (të dy vendet, sipas EUROSTAT kanë të njëjtin nivel çmimesh) janë rreth 30% më të lira se në Shqipëri. Ushqimi dhe pijet janë më të shtrenjta në Shqipëri, krahasuar edhe me Serbinë, Lituaninë dhe Poloninë. Sipas raportit të EUROSTAT në Lituani dhe Poloni, vende këto anëtare të Bashkimit Evropian, çmimet e ushqimit dhe të pijeve joalkoolike janë përkatësisht 13% dhe 8 % më të lira se në Shqipëri. Edhe Serbia, megjithëse vazhdon që të ketë probleme të mëdha kufijsh dhe sapo ka dalë nga lufta, ka një nivel çmimesh më të ulët se Shqipëria. Kështu, në Serbi, sipas EUROSTAT, çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë 13% më të ulëta se në Shqipëri. Çmime më të ulëta se Shqipëria, për ushqimet dhe pijet joalkoolike, kanë edhe një sërë vendesh të BE apo që janë kandidate, si Hungaria, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Republika Çeke dhe Latvia. Çmimet më të ulëta në të gjithë vendet e marra në studim i kanë Maqedonia dhe Bullgaria, sa gjysma e mesatares së çmimeve të Bashkimit Evropian.

Qumështi, vezët dhe djathi

Ndërsa Shqipëria mbetet një vend ku gjysma e popullsisë merret me bujqësi, edhe në këtë grup të ushqimit, çmimet e raportuara nga ana e Institutit Evropian të Statistikave mbeten tepër të larta, krahasuar edhe me një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian. Kështu, këto produkte në fqinjin tonë Maqedoninë janë rreth 35% më lirë, ndërsa edhe në Poloni, që është një vend i Bashkimit Evropian, këto produkte kanë një nivel çmimesh rreth 26% më lirë se në Shqipëri. Edhe Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina operojnë në treg me një nivel më të ulët të çmimeve për qumështin, vezët dhe djathin. Serbia për këto produkte ka një nivel çmimesh 12% më të ulët se Shqipëria, Mali i Zi 9% dhe Bosnje-Hercegovina 10%. Për këtë kategori produktesh, vendet e Bashkimit Evropian që kanë një nivel çmimesh më të ulëta se Shqipëria, janë: Sllovakia, Finlanda, Polonia, Holanda, Hungaria, Latvia, Lituania, Estonia, Bullgaria dhe Republika Çeke.

Mishi

Ky produkt i përdorur gjerësisht në tavolina, duket se e rendit vendin tonë në një pozitë disi më të favorshme se përbërësit e tjerë të ushqimeve. Por megjithatë çmimi i mishit mbetet më i shtrenjtë në Shqipëri, me rreth 17% më shumë se në Maqedoni, 20% më i shtrenjtë se në Poloni dhe 30% më i shtrenjtë në Bullgari. Çmime më të shtrenjta të këtij produkti paraqet Shqipëria, edhe në krahasim me Republikën Çeke, Qipron, Lituaninë, Rumaninë e Sllovakinë. Por çmimi i këtij produkti është më i shtrenjtë në Mal të Zi dhe Serbi, krahasuar me Shqipërinë.

Pijet alkoolike, me çmime luksi

Kjo është edhe kategoria në të cilën niveli i çmimeve në Shqipëri është në nivele luksi. Indeksi i vlerësuar nga ana e EUROSTAT për çmimin e pijeve alkoolike në vend, është shumë pranë mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Një pijë alkoolike kushton mesatarisht rreth 48% më shumë në Shqipëri se në Maqedoni, 40% më shtrenjtë se në Bullgari dhe 32% më shtrenjtë se në Serbi. Çmime të shtrenjta paraqesin pijet alkoolike në Shqipëri edhe nëse i krahasojmë me Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Pijet e këtij grupi janë 27% më të shtrenjta në Shqipëri, krahasuar me Malin e Zi dhe 24% më të shtrenjta se në Bosnje-Hercegovinë. Por pijet alkoolike në Shqipëri janë më të shtrenjta edhe se në një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian, si Sllovakia, Sllovenia, Rumania, Polonia, Austria, Holanda, Hungari, Luksemburgu, Lituania, Latvia, Franca, Spanja, Estonia, Gjermania, Bullgaria. Po të shohim listën e gjatë, atëherë vërehet se çmimet e pijeve alkoolike sfidojnë edhe pjesën dërrmuese të vendeve evropiane, duke i bërë këto produkte tepër të shtrenjta për xhepat e shqiptarëve.

Cigaret, çmimet mbeten sërish të shtrenjta

Megjithëse sipas raportit të EUROSTAT, cigaret në Shqipëri janë edhe produkti që kanë indeksin më të ulët të çmimeve, krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, ato sërish mbeten më të shtrenjta se në vendet fqinjë. Cigaret mbeten 38% më të shtrenjta se në Malin e Zi dhe rreth 23% më të shtrenjta se në Serbi. Edhe në disa vende të tjera, që janë anëtarë të rinj të BE apo presin të anëtarësohen, çmimet e këtij produkti janë më të lira se në Shqipëri. Por në krahasim me çmimet e këtij produkti në vendet e zhvilluara të BE, çmimet në Shqipëri mbeten disa herë më të ulëta. Dihet tashmë politika e fortë kundër pirjes së cigares e ndjekur nga shumë vende të Bashkimit Evropian.

Abuzimi me çmimet

Shkaqet që çojnë në një nivel të përgjithshëm çmimesh më të larta se një pjesë e mirë e vendeve të rajonit dhe atyre në zhvillim, është një fenomen që ka shumë faktorë. Sipas analizave të specialistëve të ekonomisë, çmimet e prodhimeve bujqësore mbeten në nivele të larta për pjesën dërrmuese të vitit, për shkaqe që lidhen me sezonalitetin e tyre. Bujqësia shqiptare mbetet ende tepër e fragmentizuar, duke pasur një konkurrencë tepër të ulët dhe në një pjesë të mirë të vitit i dorëzohet prodhimit nga jashtë. Nga ana tjetër një nga problemet e mëdha që po sjellë një zinxhir në rritjen e çmimeve, është ndërtimi. Është bërë tashmë e ditur nga të gjithë specialistët e kësaj fushe, që ndërtimi është duke u përballur me një efekt tullumbace në çmime. Nga ana mungesa e energjisë elektrike në orare të zgjatuara, në një kohë që çmimet e naftës dhe benzinës kanë kapur majat, po sjell një rritje të re të çmimeve të bukës dhe prodhimeve të tjera, në të cilat energjia zë një faktor kryesor. Ndërsa, përsa i përket çmimeve të pijeve alkoolike, rritja e madhe në çmime vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të akcizave, që zë edhe pjesën dërrmuese të çmimit. (shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors