AMBO, qeveria miraton marrëveshjen trepalëshe

Parlamenti Shqiptar ka miratuar në seancën e djeshme konventën trepalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë, për sistemin e naftësjellësit Trans-Ballkanik, AMBO. Ende nuk dihet saktësisht se kur do të fillojnë punimet e këtij projekti, që mbetet në konkurrencë të vazhdueshme me projektin alternativ Burgas-Aleksandropulos.

Ka qenë vetë Presidenti i AMBO-s, Ted Ferguson, që ka pranuar se nuk mund që të ketë një fillim të punimeve të këtij projekti gjatë vitit 2007, madje ai nuk ka dhënë asnjë afat përfundimtar, se kur do të fillojë ndërtimi i këtij investimi gjigant. Gjatë këtij viti pritet që të realizohet studimi ambiental i këtij projekti, që mbart rëndësi të veçantë ekonomike për vendin tonë. Gjithashtu projekti ka pësuar një rritje prej 500 milionë USD, sipas presidentit Ferguson, kosto shtesë që ka ardhur për shkak të rritjes së kostos së çelikut në tregjet ndërkombëtare, gjatë 10 viteve të fundit. Projekti është pjesë e korridorit VIII dhe kalon në territoret e të tre vendeve.

Naftësjellësi Burgas-Vlorë është i gjatë 870 km. Kapaciteti i tij shkon në 35 milionë ton naftë, në një vit dhe ngritja e infrastrukturës së këtij projekti, kap një vlerë prej 1.2 miliardë eurosh investime. Në konventë pritet që të përcaktohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet që kanë tre vendet. Në vitin 2004, Kryeministrat e të tre vendeve nënshkruan një deklarata politike për ndërtimin e këtij naftësjellësi. Ideja për ndërtimin e këtij naftësjellësi daton që prej vitit 1994. Përfitimi financiar për Shqipërinë llogaritet në 30 milionë USD, së bashku me rritjen e punësimit në zonat ku do të kalojë, si dhe të ngritjes së një sërë veprimtarish ekonomike përgjatë trasesë së naftësjellësit. (shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors