TIRANË - Vonesa në përfundimin e hartës së çmimeve të tokës në shkallë vendi ka bllokuar ndarjen e fondit prej 5 miliardë lekështë akorduar nga qeveria për kompensimin e ish pronarëve. Ndërkohë tashmë që u miratua edhe buxheti suplementar për vitin 2007, fondi për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara nuk ka asnjë mundësi që të shtohet me shuma të tjera, ndryshe nga sa ishte deklaruar edhe nga kryeministri Berisha në fillim të vitit.
Ndarja e lekëve brenda qershorit, ishte deklaruar si një nga angazhimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por kjo nuk është bërë e mundur për shkak se harta e vlerës së tokës nuk ka përfunduar. Deri tani, harta e çmimeve të tokës ka përfunduar për disa zona. Në AKKP, përveç Qarkut të Gjirokastrës që ka përfunduar çmimet e trojeve për të gjitha bashkitë e komunat, janë duke u përpunuar të dhënat për çmimet e tokës në Qarkun e Beratit dhe të Kukësit. Kështu proçedura e zgjatur pritet të shtyjë edhe për disa muaj të tjerë ndarjen e fondit financiar për kompensimin e ish- pronarëve. Ndërkohë AKKP-ja ka deklaruar se do të rishikohet edhe harta e çmimeve të qytetit të Tiranës dhe se 20 pronarët e klasifikuar vjet në grupin e pronarëve me dokumentacion të rregullt do të shihen me prioritet për të përfituar kompensim këtë vit. Për sa u takon qarqeve të tjera puna për të nxjerrë vlerën e çmimeve të tokës është në faza të ndryshme.
Por Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka deklaruar se deri në fund të vitit 2007 do të jetë gati harta e çmimeve të tokës në të gjithë vendin. Nga të dhëna e publikuara pak kohë më parë rezulton se në qytetin bregdetar të Vlorës, vlera maksimale e 1 m/2 është përcaktuar rreth 35 mijë lekë, ndërsa çmimi minimal varion në rreth 14 mijë lekë të reja. Çmimi më i lartë për këtë qytet, është në zonën bregdetare. Ndërsa në qytetin e Gjirokastrës çmimi më i lartë, është në lagjen "18 Shtatori", ku vlera e një m/2 arrin në 22659, dhe çmimi më i ulët është në lagjen "Zinxhira" me rreth 11565 lekë m/2. Ndërkohë në qytetin e Beratit, vlera maksimale e trojeve arrin në 15 mijë lekë m/2 dhe minimalja është rreth 13 mijë lekë. Për dy qytetet e tjera, të Kuçovës dhe Burrelit, vlerat maksimale janë nga 2.2 mijë lekë m/2 dhe minimalja 4 mijë lekë m/2. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment