Bush i shkruan letër Berishës

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W.Bush, një letër e cila, ndryshe nga si mund të veprohet zakonisht, është shkruar personalisht nga Presidenti amerikan me dorën e tij. Ndonëse një letër e shkurtër, e përbërë prej pak rreshtash, në të presidenti amerikan Bush ka shprehur falënderimet e tij, për mikpritjen që iu bë gjatë vizitës së zhvilluar pak kohë më parë në vendin tonë, si dhe inkurajon kryeministrin Sali Berisha, për të vazhduar punën në reformat e nevojshme që i duhen Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. "I dashur Sali! Ju falënderoj për mikpritjen tuaj të ngrohtë.

Udhëtimi ishte një sukses i madh. Faleminderit gjithashtu për bisedën tonë konstruktive. Vazhdo të punosh shumë për reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO. Me urimet më të mira dhe falënderimet e sinqerta. Xhorxh W. Bush",- thuhet në letrën që Presidenti i SHBA-ve i ka nisur kryetarit të qeverisë shqiptare. Letra e presidentit Bush, drejtuar kryeministrit Sali Berisha, është bërë dje e njohur gjatë një konference për shtyp nga zëdhënësi i kryeministrit, Dritan Mishto. Ky i fundit, ka vlerësuar se, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një akt të pazakontë dhe shumë miqësor, pasi ka shkruar letrën dërguar Berishës tërësisht me dorën e tij. Presidenti i Amerikës, Xhorxh W.Bush vizitoi Shqipërinë në datën 10 qershor, një vizitë kjo që shënoi ardhjen e parë të një presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. Ai u prit nga krerët më të lartë të shtetit, por një pritje mjaft e veçantë iu bë nga qytetarët e Fushë-Krujës, ku gjatë një vizite të zhvilluar në këtë qytet të vogël, Bush nuk i është përmbajtur aspak protokollit dhe rregullave zyrtare, duke u përshëndetur nga afër me banorët, që e pritën me shumë entuziazëm. (shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors