FUSHË KRUJË- Gjykata e rrethit Krujë ka dënuar me 21 vite burgim një të ri nga Fushë Kruja, i cili ka kryer një vrasje me paramendim nëntë muaj më parë. Erjon Gashi është shpallur fajtor nga gjykata për vrasjen me paramendim të shtetasit Fitim Nikolli më tre nëntor të vitit të kaluar. Sherri i nisur mes dy të rinjve për një parakalim makine ka vazhduar gjatë në qytezën e vogël të Fushë Krujës dhe ka përfunduar në mënyrën më tragjike të mundshme. Vetë i pandehuri ka pranuar krimin në gjykatë dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Paraditen e tre nëntorit të vitit të kaluar, rreth orës 10.00 të paradites, Erjon Gashi ka tentuar të parakaluar makinën e 25- vjeçarit Fitim Nikolli. Askush nuk i ka hapur rrugë tjetrit dhe të dy të rinjtë janë përfshirë në një garë inati me makina. Në fund të garës ata nisin një debat të ndezur me njëri- tjetrin dhe Fitim Nikolli përfundon në polici ku jep dëshminë e tij për ngjarjen. Por sapo ai del nga komisariati i policisë, rreth orës 14.15, bie në pritën e Erjon Gashit. Ky i fundit kishte marrë një pistoletë dhe priste që Nikolli të dilte nga policia për ta vrarë. Pesë plumbat e shkrehur mbi të riun i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Dy orë më pas, policia ka arrestuar Gashin, i cili ka pohuar më pas në gjykatë se viktima kishte dashur që ta merrte peng disa ditë para vrasjes.
Një nga dëshmitarët okularë të vrasjes, Ymer Keqi dhe djali i tij janë akuzuar si personat që kanë ndikuar në vrasjen e asaj dite por kjo është rrëzuar nga prokuroria dhe gjykata e Krujës. Vetë Ymeri ka treguar për "Shekullin" të gjitha detajet e ngjarjes. "Unë dhe djali im kemi qenë krejt rastësisht në vendin e ngjarjes. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj influence në konflikt e për më tepër të bëhemi ne shkaktarët e tij. Ne kemi qenë ata që kemi ndihmuar të ndjerin që të marrë ndihmën e parë mjekësore",- ka pohuar Keqi pas vendimit të gjykatës. Ai ka qenë një nga dëshmitarët kryesorë të prokurorisë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment