TIRANË- Komisioni parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik zhvilloi dje një mbledhje të shpejtë pas protestës të organizuar nga gazetarët dhe punonjësit e Top Media para godinës qeveritar. Mbledhjen e komisionit e paralajmëroi gjatë protestës deputeti i PDK-së Nikollë Lesi, i cili theksoi se ministri i Financave Ridvan Bode duhet të japë llogari lidhur me gjobën e vendosur ndaj Top Channel. Kryetarja e komisionit Valentina Leskaj, tha se gjoba prej 12 milionë euro e vendosur ndaj Top Channel është sulm ndaj fjalës së lirë. Por, sipas saj, ky nuk është shantazhi i parë që u bën qeveria mediave të lira."Gjoba 13 milionë ndaj Top Channel është sulm ndaj fjalës së lirë.
Ky është sulmi i dytë ndaj mediave joservile që dalin kundër qeverisë, pas heqjes së antenave", - tha deputetja e PS-së Leskaj. Në të njëjtën linjë gjykimi ishte edhe deputeti tjetër i PS-së, Marko Bello i cili kërkoi transparencë nga organet tatimore lidhur me gjobën marramendësve të vendosur ndaj Top Channel. "Tatimorët të faktojnë ato që konsiderojnë shkelje në Top Channel", - tha Bello. Ndërkohë deputeti Lesi që ishte edhe nismëtari për të thirrur mbledhjen, vijoi sërish me tone të ashpra qëndrimin ndaj qeverisë, qëndrim që u vu re qartë gjatë protestës së organizuar dje para dite para Kryeministrisë. Ai madje e ka bërë një paralelizëm mesgjobës në fjalë me djegien që i është bërë 10 vjet më parë redaksisë së gazetës "Koha Jonë", kur ai ishte botues i saj.
"Djegia e sotme bëhet në pikëpamje financiare. Nëse dikur gazetarët rriheshin, sot bëhet presion mbi qeverinë që të jetë në raporte më të dashur mbi qeverinë. Kam kërkuar që në mbledhje, të jenë të pranishëm drejtues të ministrisë së Financave, të organeve tatimore dhe të palës së goditur", - tha Lesi. Deputeti tjetër i maxhorancës, Astrit Patozi nënvizoi gjatë fjalës së tij se gjoba e vendosur ishte thjesht për evazion fiskal dhe nuk kishte prapavijë politike. "Që kur çdo kompani që punëson disa gazetarë të cilët punojnë kundër qeverisë paskan imunitet ndaj kontrolleve financiare? Atëherë unë hap një televizion e një gazetë dhe i kthej kundër qeverisë. Por uroj që televizioni Top Cahnnel të paraqesë argumentet që piramida e akuzës e ngritur nga tatimet të rrëzohet e të mos ketë penalizim", - tha Patozi. Sipas tij ka ardhur koha që biznesi të ndahet nga media.(shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment