Rama-Nanos: Iku koha kur komandoje në PS

TIRANË- Nxjerrja jashtë garës për President të Republikës e ish-kryeministrit, Fatos Nano, ka shkaktuar debate në grupin parlamentar socialist. Shkak duket se është bërë pikërisht kërkesa e ish-kryeministrit Nano, drejtuar grupit, për të ankimuar si antikushtetuese dy raundet e para të votimit për President në Parlament. Ashtu siç bëri të ditur edhe pas mbledhjes së grupit, Nano i ka kërkuar kryetarit Rama që, për mungesë kuorumi presidencial, PS të ankimojë në mënyrë institucionale dy votimet e para në parlament si antikushtetuese.

Në të kundërt, ai i ka bërë të ditur deputetëve socialistë se do ta ndërmarrë vetë një hap të tillë. Kërkesë, e cila është hedhur poshtë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk ka nguruar t'i cilësoj këto përpjekje si artifica, që nuk sjellin asgjë në zhbllokimin e situatës dhe që janë në kah të kundërt me përgatitjet e socialistëve për zgjedhje të parakohshme. Burime pranë grupit kanë konfirmuar se kryesocialisti Rama, duke e konsideruar këtë kërkesë si të papranueshme, i ka bërë të qartë paraardhësit të tij, se tashmë nuk është ai që jep urdhra në parti. "Ka ikur koha kur komandoje ti në parti dhe të gjithë të bindeshin ty. Me regjistrimin që bëre për të garuar si President, ti vetë dole në periferi të politikës. Të ftoj të arsyetosh",- mësohet t'i jetë drejtuar Rama, Nanos.

Ndërkohë që ish-kreu socialist nuk ka mundur ta kalojë në heshtje eliminimin e tij nga gara presidenciale, duke e cilësuar atë si një pasojë e kulisave politike. Ai nuk ka nguruar të akuzojë për lojë të fshehtë dhe elementë të ndryshëm brenda aleatëve të majtë, të cilët, sipas tij, kanë bashkëpunuar me mazhorancën për ta nxjerrë atë nga konkurrimi. Nano ka "kërcënuar" se në rast se ai nuk e mbështet në nismën për të paraqitur ankimimin në Gjykatë, atëherë shumë shpejt do të ndërmarrë një nismë të re politike brenda radhëve të PS-së. "Atëherë nëse nuk keni ndonjë axhendë të re, shihemi në shtator, sepse unë kam axhendën time",- mësohet të jetë shprehur Nano. Ndërkohë që kryetari Rama, pavarësisht këtyre deklaratave, para se të largohej nga mbledhja për shkak të impenjimeve të tjera në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të parakohshme, u ka bërë të qartë deputetëve socialistë se opozita nuk ka arsye që të paraqitet në dy raundet e tjera të votimit të Presidentit në Kuvend, pa u tërhequr më parë Bamir Topi. Por përpara se të largohej Rama, ka qenë ish-kryeministri Nano, ai që ka kërkuar që të merret një vendim për kërkesën e tij, ç'ka nuk është marrë në konsideratë nga grupi. Pasi është larguar Rama, Nano i ka kërkuar kryetarit të grupit, Ben Blushi, që të hedhë në votim kërkesën e tij. Por edhe Blushi nuk ka pranuar, duke argumentuar se nuk mund të hedhë në votim një kërkesë pa qenë kryetari dhe shumica e grupit.(Shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors