Klosi: Nuk çojmë kandidat, pa u tërhequr Topi

TIRANË- Partia Socialiste nuk do të paraqesë asnjë kandidat në tryezën me PD-në, nëse kjo e fundit nuk deklarohet publikisht se heq dorë nga imponimi i emrit të Bamir Topit.

Dy ditë para mbajtjes së raundit të tretë dhe skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, socialistët janë të vendosur që të mbrojnë deri në fund qëndrimin e tyre, se Presidenti i ardhshëm i vendit duhet të vijë vetëm nga opozita.

Negociatori socialist, Blendi Klosi ka konfirmuar dje për "Shekulli-n" se, nuk ka asnjë arsye që të majtët të ndryshojnë kursin e qëndrimit të tyre, në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, "vazhdon të mbetet në fuqi vendimi i tryezës së opozitës se, për sa kohë që nga ana e mazhorancës nuk do të ketë një tërheqje zyrtare nga kandidatura e Topit, atëherë në tryezën e bisedimeve dypalëshe nuk do të paraqitet asnjë emër nga ana e të majtëve".

Ky duket se do të jetë dhe vendimi që pritet të rikonfirmojë sot tryeza e kryetarëve të opozitës. Në një kohë që sot merr fund ultimatumi i vënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për përcaktimin e kandidaturave për President, burime pranë selisë rozë konfirmojnë se byroja e opozitës nuk pritet të diskutojë për listën e kandidatëve.

Mbledhja e tryezës së krerëve opozitar që pritet të mbahet paraditen e sotme do të përpiqet që të shuajë kontradiktat midis partive aleate, në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë opozita për gjithë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Kështu, diskutimi pritet të përqendrohet në çështje parimore, duke shmangur në këtë mënyrë debatin për emrat.

Për PS-në, çështja e emrave vazhdon të mbetet një temë sekondare në diskutimet pasi, sipas saj, më i rëndësishëm mbetet fakti që mazhoranca të pranojë se Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet vetëm nga e majta. Kështu, pavarësisht presionit të LSI-së, për përcaktimin e emrave, PS do të këmbëngulë që diskutimi të përqendrohet vetëm tek çështjet parimore.

Sipas të njëjtave burime, ky do të jetë qëndrimi që PS do të mbajë, edhe në rast se LSI do të deklarohet e pavarur në veprimet e saj, pas kësaj mbledhjeje. Megjithatë, socialistët duket se janë të bindur që LSI, pavarësisht kërcënimeve, nuk do të largohet nga koalicioni.

Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors