Prej më shumë se 6 muajsh SHBA, ka hedhur dritë mbi korrupsionin në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Korenë e Veriut, një skandal që prej miliona dollarësh, që duket se janë përdorur për të ndihmuar regjimin e armatosur me armë bërthamore dhe një prej diktatorëve më të rrezikshëm të botës. Por për UNDP, zyrën e akuzuar si të përfshirë në skandal e gjitha është një komplot i "organizuar nga administrata e Bushit". Ajo ka harxhuar gjysmën e vitit duke përgënjeshtruar akuzat e SHBA, duke i justifikuar veprimet e veta, si të kryera për qëllime "humanitare" dhe duke kthyer një përgjigje të tipit gjithkush e bën këtë.
Ad Melkert, një ish politikan holandez, që tashmë është numri dy në UNDP dhe personi kyç për mbikëqyrjen e programit,kërcënoi, sipas Zalmay Khalilzad ambasadori i SHBA në OKB se do të kërkonin "dëmshpërblim" nga SHBA. Sidoqoftë Melkert duket më shumë i merakosur për punën e tij se sa për integritetin e organizatës që drejton. Në një artikull të 23 qershorittë titulluar, "fushata broçkullash, SHBA kundër Melkert,"e përditshmja holandeze "De Telegraaf", duke cituar "njerëz të brendshëm në UNDP," raportoi se "forca konservative në qeverinë Amerikane, duan kokën e Ad Melkert."
Për këtë arsye ne u interesuam të zbulonim se kush ishte njeriu që i hapi dosjet dhe krijoi gjithë këtë skandal. Artjon Shkurtaj, një financier shqiptar që shërbeu si shef i operacioneve të OKB-së në Korenë e Veriut që prej nëntorit 2004 deri më shtator 2006. Shkurtaj, një veteran në programet e UNDP në Bangladesh, Timorin Lindor, Kosovë, Meksikë e Indi, thotë se u terrorizua nga shkeljet që gjeti në Korenë e Veriut. Pas dy vjet tentativash për të vënë në lëvizje shefat e tij, që të ndryshonin situatën dhe të ndërmerrnin veprime të duhura, ai vendosi të informonte ambasadën e SHBA-së në OKB në maj të 2006-ës. UNDP u përgjigj menjëherë duke e pushuar nga puna në Mars.
Një raport paraprak i auditit të OKB-së, i nxjerrë muajin që shkoi vërtetonte se kishte pasur shkelje të mëdha porsa i përket mënyrës së punësimit të personave, përdorimit të monedhes së huaj dhe inspektimit të projekteve të financuara nga OKB. Në një seri të gjatë intervistash në Nju Jork Shkurtaj, thotë se inspektorët (që e kishin të ndaluar nga Koreja e Veriut të hynin atje) vetëm sakanë gërvishtur në sipërfaqe shkeljet.
Pyetje që ne i bëmë ishte: A shkonin paratëe OKB për projekte humanitare, për të cilat ishte krijuar edhe fondi? "E si dreqin ta di unë këtë?" u përgjigj Shkurtaj. Sipas tij thuajse nuk kishte fare kontroll, ndërsa numri i punonjësve koreano-veriorë të përfshirë në projekte dhe të emëruar drejtpërdrejt nga qeveria ishte shumë i madh, saqë ishte e pamundur të ndiqje rrugën që bënin paratë.
Shkurtaj arriti në Korenë e Veriut 4 nëntor 2004. Ai thotë se që në fillim vuri re se kishte mangësi dhe gjithçka ishte rrëmujë. "E kuptova këtë kur në tavolinë më erdhi një çek në euro, të cilin duhej ta firmosja për ta kthyer në para", tregon ai. "Rregulli Nr. 1 në çdo vend të botës ku UNDP ka punë është që të operohet me monedhën lokale, dhe jo në një monedhë të fortë. Ky është rregulli i parë, për zhvillimin . . . për të ndihmuar kështu ekonominë vendase dhe për të mos zhvlerësuar dhe apo shkatërruar monedhën lokale," thotë ai."Unë nuk e nënshkrova çekun për rreth një javë," thotë financieri, dhe shton "u bë rrëmujë e madhe. Qendra më kontaktoi dhe më tha, 'Mos u bëj problem. Do të përfundosh një PNG (Person Non Grata) dhe po të përfundosh PNG do të thotë që i ke dhënë fund karrierës tënde në OKB... Ne të autorizojmë të firmosësh çeqet... Kështu fillova të firmos."
"Çdo mëngjes nga ora 8 deri në 10, ne lëshonim çeqe në euro për stafin dhe projektet," thotë Shkurtaj. "Pastaj çeqet në vend që të shkonin tek njerëzit ose institucionet direkt me postë, siç edhe është e specifikuar nga rregullat e OKB, i jepeshin shoferit të zyrës sonë. Shoferi do t'i çonte ato në Bankën për Tregtinë me Jashtë, ku do t'i thyente në kesh dhe të kthehej pas në zyrë." Koreja e Veriut nuk lejonte Shkurtajn të kishte hyrje në llogaritë e UNDP-snë Bankën për Tregtinë me jashtë, e cila refuzonte edhe firmën e tij në dosje. "Pastaj çdo ditë në mesditë, koreano-veriorë që thoshin se përfaqësonin projektet e financuara nga OKB,vinin të merrnin paratë kesh në zyrat e UNDP-së," tregonShkurtaj.
Ai thotë se nuk e lejonin tu kërkonte Koreano Veriorëve të firmosnin në fatura ku thuhej se kishin marrë paratë, madje ata nuk paraqisnin as dokumente identifikimi. "Unë duhej tu besoja," thotë ai. "Por ç'të bëja nëse qendra më thotë të jap paratë, unë duhet të jap paratë." Në 16 gusht2006, disa javë para se Shkurtaj të linte Korenë e Veriut, përfaqësuesi i UNDP në Korenë e Veriut, Timo Pakkala, nxorri një urdhër dite ku njoftonte se"ishte rritur sasia e parave të paguara në kesh, në disa raste personat që merrnin paratë nuk ishin të autorizuar t'i merrnin ato." Duke cituar "rregullat e UNDP," Pakkala urdhëroi që pagesat e ardhshme të bëheshin vetëm nëpërmjet trasfertave bankare ose"me çeqe dhe jo në kesh." Ai gjithashtu urdhëroi stafin që të mbante fatura për tërheqjen e parave dhe të mos jepte para për njerëz të paidentifikuar. Por Shkurtajthotë se asgjë e tillë nuk ndodhi. "Vazhdoi e njëjta rutinë." Në 31 janar, në një letër informuese për Kemal Dervis, kreun e UNDP, ai shkruante se "kthimi i çeqeve të UNDP-së në kesh duhej të ndalohej dhe UNDP duhet të kërkoj të drejtën e aksesit në të gjitha transaksionet prej llogarive tona në Bankën për Tregtinë me Jashtë."
Ashtu siç konfirmon auditi i fundit të gjithë koreano-veriorët që punonin për UNDP ishin të zgjedhur nga Ministria e Jashtme e vendit, e cila gjithashtu merrte edhe pagesat për këta të fundit; të dyja praktika të ndaluara nga rregullat e OKB.Shkurtaj vëren gjithashtu se koreano-veriorët të zgjedhur nga qeveria, kryenin role "kyçe" si ai i shpërndarjes së parave, një tjetër shkelje e rregullave. " Të gjitha mjetet e komunikimit –faksi dhe teleksi, serverat e kompjuterave, rrjeti lokal kompjuterik, ishin në duart e koreanëve. I gjithë informacioni mbështetës për kompjuterat e zyrës ishin në një magazinë të izoluar dhe të kontrolluar nga një korean," thotë Shkurtaj. Kur i është dashur të bënte një raport të sigurtë dhe të pakontrolluar, ai thotë se duhej të përdorte teleksin edhe komunikimin me satelit të ambasadës Gjermane në vend, ose të përfaqësive të tjera."
Një koreano veriore e quajtur, Li Kum Sun, kontrollonte sigurinë e zyrës dhe bënte punën e kontrollores financiare."Dreqi e marrtë," thotë Shkurtaj, "plani për evakuimin (në rast problemesh me regjimin) ishte në duart e një koreano veriori të zgjedhur nga qeveria. Është e pabesueshme."Ai thotë se një nga të paktat suksese që mundi të arrinte gjatë punës atje, ishte t'i hiqte nga duart dhe të merrte nën kontroll sigurinë dhe qarkullimin e parave kesh nga Li në mars 2006. Auditi i OKB-së gjeti një sërë parregullsish edhe në mënyrën se si ishin inspektuar projekte të UNDP-së. Pjesa më e madhe e projekteve zhvilloheshin jashtë Phenianit (kryeqyteti i Koresë së Veriut) dhe për të shkuar atje duheshin paguar dieta, por Shkurtaj kujton se ka firmosur vetëm dy a tri të tilla. "Të gjithë, që prej shoferit, përkthyesit . . . dhe një apo dy përfaqësues ndërkombëtar duhej të merrnin dieta," thotë ai, "ose tollona për naftën apo të ngrënët. Kjo është prova që projekti ishte kontrolluar, por në dy vjet që unë qëndrova në Korenë e Veriut...kam firmosur për jo më shumë se 2 apo 3 udhëtime të tilla".
Shkurtaj kujton se në dy prej këtyre inspektimeve kishte marrë pjesë vetë. Në një rast UNDP pagoi për300 kompiutera që duhej të vendoseshin në universitetin"Kim Il Sung". "Kompiuterat duhej të vinin në UNDP, por në vend të kësaj ata u vendosën në një magazinë jashtë qytetit, dhe ne u lejuam t'i kontrollonim vetëm pas një muaj betejash (me qeverinë). Por edhe atëherë ne pamë vetëm një kompjuter në një kuti. Kutitë e tjera nuk u lejuan të hapeshin."
Kontrolli tjetër u zhvillua për pajisje GPS të cilat duhej të shkonin për kontrollin e përmbytjeve. "Ata na lejuan vetëm pas 3 muajve e gjysmëtë shikonim pajisjet që u kishim dhënë," thotë Shkurtaj, "na çuan në një ndërtesë bosh jashtë Phenianit, krejtësisht bosh, pa tavolina, pa karrige, pa asgjë. Ne hymë dhe pamë katin e parë. Bosh. Hymë në katin e dytë. Bosh. Në derën e fundit në katin e dytë në mes të dhomës ishte vendosur një tavolinë dhe në tavolinë ishte pajisja GPS që ne kishim dhënë. Tani mos më thoni që ne kishim dhënë një pajisje GPS për një ndërtesë bosh, pa njerëz që punonin në të?"
Shkurtaj thotë se gjatë kohës së punës në Phenian, kishte mbushur raporte pafund për shefat e tij, por këto nuk e kishin çuar asgjëkundi. Në fund, pas muajsh të tërë shërbimi në Korenë e Veriut atë e thërrasin në Nju Jork.
Ai thotë së David Lockwood, zëvendës asisten i administratorit të UNDP, i kishte thënë, "Shiko, do të jetë më mirë për të ardhmen tënde nëse kthehesh në Nju Jork dhe prej këtu ne të nisim diku tjetër në botë. Por ti e ke mbushur mjaftueshëm kupën deri tani dhe duhet të ikësh prej aty, është për të mirën tënde."
Dita e fundit e Shkurtajt në Korenë e Veriut ishte 26 shtatori 2006. Kur kontratat e tij u paraqit për rinovim në mars –pjesa më e madhe e punonjësve të OKB-së, punojnë me kontrata të përkohshme pune –atij iu tha se pas 13 vjetësh punë në UNDP, shërbimet e tij nuk ishin më të nevojshme.
Disa muaj para se ta shkarkonin ai shënohej si një nga punonjësit më të shkëlqyer të UNDP-së dhe kishte marrë disa nota plus në relacionin vjetor që daton 14 dhjetor 2006, dhe ishte firmosur nga Romulo Garcia, shef i divizionit të Azisë Veriperëndimore dhe Mekongut. Garciae përshkruante Shkurtajn si "të shpejtë, profesional, kompetent, krijues, mjaft punëtor dhe person i dedikuar ndaj punës."
Shkurtaj atëherë mbushi një ankesë dhe ia dërgoi zyrës së OKB-së për etikën, duke kërkuar që të rimerrej në punë dhe të përfshihej në programin e mbrojtjes së informatorëve të OKB. Dy ditë më parë Ilena Ros-Lehtinen, një përfaqësues Republikan në Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kongresit, i shkroi Sekretarit tëPërgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, duke i kërkuar atij që kontrollonte mbi shkarkimin e Shkurtajt. Çështja e tij sipas kongresmenes do të jetë një provë e fortë për programin e mbrojtjes së dëshmitarëve për çështjet e brendshme të OKB-së. Një kërkesë e ngjashme iu bë Sekretarit të Përgjithshëm edhe nga senatori Norman Coleman, që kërkonte përfshirjen e Shkurtajt në programin e mbrojtjes. Ndërkohë Shkurtaj ka dërguar familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët në Itali, pasi është edhe qytetarë italian dhe sipas asaj që thotë, po jeton në Nju Jork si i pastrehë.
*Kirkpatrick është zëvendësredaktore e faqes editoriale të "Wall Street Journal"
0 Comments:
Post a Comment