Albanian Times: Futboll - "Rrudho “bie” në C2, Kievo e huazon te Monte Sansovino"

Nuk ka “duruar” më shumë se gjashtë muaj në elitën e futbollit italian, Xhulian Rrudho. Pas kalimit të bujshëm në fillim të këtij viti nga klubi i Ankonës që militonte në C1 për tek Kievo në Serie A, sulmuesi shqiptar është degdisur në C2 tek Sansovino.

Në fakt nuk ka qenë dëshirë e tij më shumë se një direktivë e drejtuesve të Kievo Veronës të cilët pas rënies në Serie B kanë shitur ose dhënë në formë huazimi shumë futbollistë të organikës së klubit. Midis tyre ka qenë edhe divjakasi, Xhulian Rrudho. Bashkë me sulmuesin shqiptar tek Sansovino kanë shkuar në formë huazimi nga Kievo edhe shtatë futbollistë të tjerë.

Sansovino është një skuadër e vogël në zonën e Toskanës me qendër në Monte San Savino, qytezë me 8 mijë banorë. Klubi i themeluar më 1929 aktualisht militon në grupin B të kampionatit të Serie C2. “Shtëpia” e kësja skuadre është stadiumi 2.500 vendesh "Le Fonti" i Monte San Savinos. Pas shumë dekadash aktivizmi në kampionatin e diletantëve (D1) në 2003 Sansovino arriti të kalonte në Serie C2. Prej katër sezonesh tashmë kjo skuadër arrin të mbijetojë në këtë kampionat duke ndjekur në shumicën e rasteve marrjen e disa futbollistëve në formë huazimi. Vetëm sezonin e kaluar Sansovino kishte 15 futbollistë të cilët ishin pronë e klubeve të tjera të Serie A, B dhe C1.

Për talentin shqiptar nuk bëhet fjalë aktivizimi i tij i rregullt tek kjo skuadër më shumë se cilësia që dhuron kampionati i Kategorisë së Tretë në Itali. Gjithsesi drejtuesit e Kievos janë duke minimizuar deri në limitet e tyre shpenzimet e tyre pas rënies në Serie B. Kështu shumë futbollistë të cilët merrnin rroga relativisht të larta dhe disa nga talentet më të reja të klubit janë larguar nga skuadra për të paktën një sezon duke rishikuar mbase sezonin tjetër rikthimin e tyre në ekip. Pas kalimit tek Kievo Verona në janar të këtij viti, Xhulian Rrudho u grumbullua edhe me Shpresat e Shqipërisë me të cilën ka zhvilluar tre ndeshje duke shënuar edhe një gol.

(Albania-Sport)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors