Albanian Times: "Shatri: Ndermarrjet ne privatizm ne Kosove me çmime shume te larta"

Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF) Haki Shatri, në një intervistë për KosovaLive ka thënë se e meta me e madhe e terë procesit të privatizimit dhe e cila po e përcjell këtë proces, janë ofertat e larta për pasurinë që ka dalë në shitje, se sa mundësitë reale që kanë pasur bizneset për të blerë atë pasuri.

"Bizneset kanë ofruar të gjitha mjetet e tyre që i kanë pasur në disponim në privatizimin e ndonjë ndërmarrjeje shoqërore dhe në momentin kur e ka marrë në pronësi të vet, nuk ka pasur mundësi që të investojë për të ndryshuar diçka në ato ndërmarrje", tha Shatri.

Ai i propozoi bizneseve, të cilat presin që të marrin pjesë në procesin e privatizimit që ofertat e tyre t'i ofrojnë shumë të ulëta, në mënyrë që pas privatizimit, ata të kenë mjetë për të investuar dhe modernizuar ndërmarrjen.

Shatri megjithatë tha se ndikimi i procesit të privatizimit në Kosovë, i cili po udhëhiqet nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), në Bordin drejtues të se cilës ai është anëtarë është duke ndikuar me sukses në ekonominë e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket dukurisë se shitjes me çmim të lirë të ndërmarrjeve dhe tokës bujqësore Shatri tha se kjo ka ardhur për shkak të mos interesimit të njerëzve për të punuar tokën, pasi që kjo tash për tash nuk sjell ndonjë fitim të madh.

Ndryshe, që nga viti 2002, kur edhe ka filluar procesi i privatizimit në Kosovë, AKM ka arritur që të privatizojë mbi 250 ndërmarrje shoqërore, prej të cilave janë krijuar 430 ndërmarrje të reja dhe një fond prej rreth 300 milionë euro.

Ndërkaq, duke folur për ecurit buxhetore në Kosovë, ministri Shatri gjatë kësaj interviste pohoj se plani buxhetor i vitit 2007 në katër muajt e parë është duke u realizuar më shpejtë se sa që është paraparë.

"Nga 682 milionë euro të parapara për krejt vitin, në katër muajt e parë janë realizuar rreth 327 milionë euro, apo 48 për qind e planit vjetor. Kjo është një dinamik që tregon se të hyrat buxhetore të vitit 2007 do t'i tejkalojnë parashikimet e MEF-it dhe do të kemi një suficit më të madh se sa që është paraparë më buxhet", tha ai.

Shatri nuk precizoi se sa ata presin që do të jetë suficiti i këtij viti, por tha se gjithsesi se të hyrat e këtij viti do të jenë shumë të mëdha se sa që janë paraparë me buxhet. Ai tha se në takimin e radhës se Këshillit Ekonomik Fiskal (KEF) do të miratohet Korniza afatmesme e shpenzimeve dhe në të do të përcaktohen të gjitha shpenzimet se si dhe ku do të bëhen këto shpenzime.

Të martën udhëheqësit e Këshillit Ekonomik Fiskal (KEF) janë pajtuar që t'i rrisin kufijtë e shpenzimeve buxhetore për vitin 2008 në 850 milionë euro, duke mundësuar kështu rritjen e pensioneve dhe pagave të mësimdhënësve për vitin e ardhshëm.

Duke komentuar një gjë të tillë Shatri tha se ende nuk është qartësuar se me çfarë metode do të bëhet rritja e pensioneve dhe pagave të mësimdhënësve, a do të bëhet në formë lineare apo në bazë të ndonjë kriteri tjetër.

"E rëndësishme është që një shumë e mjeteve prej 16 milionë eurove do të mund të ndahet për kategorinë e transfereve sociale dhe Ministria e punës do t'i hartojë kriteret për shpërndarjen e tyre", tha Shatri.

Ministri i financave tha se Banka Botërore ka propozuar që këto mjete të ndahen në formë të seleksionuar dhe sidomos atyre pensionerëve, të cilët si burim të vetmin të të ardhurave e kanë pensionin.

"Kemi rezervuar, po ashtu 6 milionë euro për pagat e mësimdhënësve në vit", tha Shatri, i cili shtoi se këto mjete do të jenë të kushtëzuara me certifikimin e mësimdhënësve

Sipas vendimit të fundit të KEF-it të hyrat buxhetore për vitin 2008 parashikohet të jenë rreth 760 milionë euro. Me këtë rast, shpenzimet buxhetore do të jenë për 90 milionë euro më të mëdha se të hyrat. Ky deficit buxhetor, tha Shatri, do të mbulohet nga rezervat e "cash" (parasë në disponim) që i ka qeveria si dhe nga donatorët.

Duke folur për qëndrueshmërinë buxhetor të Kosovës pas pavarësimit të saj Shatri tha se Kosova do të këtë një sistem të qëndrueshëm buxhetore, pasi tha se i terë sistemi buxhetor i vendit është sistem i mbikëqyrur dhe i kontrolluar.

Shatri tha se çdo vit ekspertët e MEF-it i analizojnë mundësitë e të hyrave buxhetore, rrethanat e përgjithshme ekonomike. Ai tha se ata i analizojnë mirë parametrat ekonomik dhe në bazë të kësaj i projektojnë edhe kufijtë e shpenzimeve. Andaj tha ai derisa do të respektohen këto parime nuk do të këtë gjasa që të rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore.

(Biznesi)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors