Albanian Times: "KESH, ne borxh per 82 milionë dollarë tek tatim-taksat"

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe njëkohësisht problemi i energjisë elektrike, nuk janë kthyer vetëm në një problem të madhe për biznesin dhe qytetarët, por në radhë të parë mbetet një problem fiskal. Ky ka qenë përkufizimi që ministri i Financave, Bode i ka bërë situatës së KESH dhe asaj të furnizimit me energji.

Deklarata e kreut të Financave erdhi pas vendosjes së shënjestër të Fondit Monetar Ndërkombëtar, jo për herë të parë të KESH. Sipas deklaratës së Bordit të Drejtorëve të FMN, situata e furnizimit me energji në vend, si edhe gjendja financiare e KESH, mbeten edhe probleme më të mëdha të ekonomisë shqiptare për momentin.

Ndërsa ministri i Financave, Bode, ka bërë me dije se "ne shpresojmë që administrimi i KESH-it, nuk do të krijojë më probleme për mbështetje të reja buxhetore. Sigurisht, që KESH-i përbën një problem të madh dhe jo thjesht sepse ne japim një ndihmë prej 50 milionë USD, si pjesëmarrje për të kapërcyer situatën e krizës së furnizimit me energji elektrike që ka aktualisht vendi, për shkak të mungesës së reshjeve, por mendoj që me këtë skemë që ka funksionuar deri më tani për shkak të çmimeve të larta të blerjeve nga importi, ai ka dhënë një impakt jo të vogël në realizimin e të ardhurave tatimore".

Më tej, Bode ka shtuar se "vetëm tatim-fitimi që ka dhe duhet të paguante, sipas rezultatit financiar të vitit 2006, KESH-i duhet të shkonte në 32 milionë USD. Por nuk i ka paguar, për shkak se nuk ka rezultat financiar. Së dyti, nga një pagues neto i tatimit të vlerës së shtuar, për shkak të prodhimit të energjisë elektrike dhe 20% që paguajnë qytetarët, ne jemi në pozicionin që rimbursojmë, për shkak se çmimet e importit janë më të larta se çmimet e shitjes.

Kjo bën që ne jo vetëm të mos marrim të ardhura nga TVSH-ja, që shkojnë në një vlerë më të lartë se 50 milionë USD, por përkundrazi të mundohemi që të plotësojmë detyrimet që ka sistemi fiskal në funksionimin e plotë të skemës. Pra mendoj që situata energjetike, më shumë se një problem i drejtpërdrejtë i biznesit dhe qytetarëve, mbetet një problem fiskal dhe prandaj e theksova që vihet në dukje në deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN-së, që problemi i KESH-it dhe situata energjetike në vend kërkon një vëmendje dhe trajtim të veçantë".

Pas publikimit të borxheve dhe financimeve që kërkon Korporata, del në pah edhe barriera e madhe që po i vihet rritjes ekonomike, për shkaqe të mungesës së energjisë dhe çmimit gjithmonë në rritje. "Janë përllogaritur këto efekte dhe prandaj edhe Bordi shprehet se rritja ekonomike garantohet edhe përmes këtyre kufizimeve, dhe problematikës që ka aktualisht kjo Korporatë. Por sigurisht, që potencialet për një rritje ekonomike janë edhe më të mëdha, në qoftë se ne do të konsideronim mundësinë për të zgjidhur përfundimisht problemin ,që në fakt nuk varet nga momenti, kushtëzohet nga reshjet dhe që kërkon një periudhë kohe të caktuar, për të materializuar investimet kolosale që kërkohen për të kapërcyer këtë handikap që ka ekonomia shqiptare",- ka sqaruar Bode.

Investimet me kredi tregtare

Pas miratimit të FMN, për një nivel kredish tregtare që mund të shkojnë deri në 700 milionë euro, kreu i Financave ka shprehur hapur pikëpamjen e tij pro investimeve të realizuara me anë të shtimit të borxheve të vendit. Sipas Bodes, tashmë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përcaktuar një limit, i cili në një marrëveshje 3-vjeçare konsiderohet i lartë. 680 milionë euro, është një shifër e konsiderueshëm për ekonominë shqiptare, pasi në një periudhë rreth 12-vjeçare nuk është marr kredi tregtare në këtë nivel. "Mendoj për nivelin e kredive, se është i rëndësishëm avancimi i shpejtë i procedurave për thithjen e këtyre kredive dhe për realizimin e investimeve.

Kjo na ka bërë që të mendojmë për të operuar me kredi, të cilat janë më të lehta për t'u disbursuar nga procedurat shpeshherë burokratike të një sërë bankash dhe fakti që ne emetuam një kredi të tillë prej rreth 230 milionë euro, dëshmon se ekzistojnë mundësi për të kontraktuar kredi tregtare me terma të përshtatshme, të njëjta me ato që japin bankat e zhvillimit, por me procedura dhe me lehtësira më të favorshme në disbursimin dhe alokimin e tyre, në funksion të programeve të investimeve publike që ka aktualisht qeveria",- tha Bode.

Rritja ekonomike fiksohet në 6%

Përsa i përket rritjes ekonomike, një nga treguesit sinjifikativë të ecurisë së ekonomisë së një vendi, Bode ka sqaruar se "rritja ekonomike, sikurse konfirmohet nga FMN, për vitin 2007 mbetet në parametrat 6%. Unë mund t'ju konfirmoj me një siguri jo të plotë, që edhe rritja për vitin 2006 ka qenë në nivelin 6%, pavarësisht se e kemi deklaruar në nivelin 5%. Përllogaritjet e deritanishme dhe konfirmimet e deritanishme, bëjnë fjalë për një rritje në këto parametra edhe për vitin 2006.

Ne kemi deklaruar se rritja ishte 5%, për shkak se aq ishte vlerësuar, por jo llogaritur. Tani që po përfundojnë përllogaritjet, po konstatohet një rritje edhe më e madhe ekonomike. Unë mendoj se është një rritje shumë e mirë ekonomike. Vazhdojmë të mbetemi në parametrat më të lartë në rajon për rritjen ekonomike dhe detyra e qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit shqiptar që kanë impakt mbi ekonominë, është që ta mbështesim këtë rritje ekonomike dhe të krijojmë kushte dhe hapësira, që ajo të vazhdojë të shprehë të gjitha kapacitetin e brendshëm të saj".

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors