MIRDITË- Kishte marrë peng një 22- vjeçar tre muaj më parë në Mirditë dhe që nga ajo ditë ishte detyruar që të rrinte i fshehur nga policia. Por paraditen e djeshme 20- vjeçari Ervis Kuka, lindur në Shebe të Mirditës dhe banues në Durrës, është vetëdorëzuar në polici.
Ai ka trokitur në komisariat dhe pasi ka treguar se kush ishte i është drejtuar vetë qelive të paraburgimit. Bashkëpunëtori i tij në pengmarrjen e tre muajve më parë, 23- vjeçari A. Kola, ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe pasi ka marrë një dënim të lehtë tashmë ndodhet i lirë. Kjo mendohet se ka shtyre Ervis Kukën që të dorëzohet vetë në polici për tu përballur më pas me drejtësinë.
Një 20- vjeçar nga një fshat i Mirditës, me banim në Durrës, është vetëdorëzuar dje në komisariatin e policisë duke u hequr nga lista e personave të shpallur në kërkim. Efektivët e policisë janë habitur kur në orët e para të mëngjesit kanë parë shtetasin Ervis Kuka që të trokasë në dyert e komisariatit dhe të kërkojë që të prangoset.
Ai akuzohej se në bashkëpunim me një shok të tij, kishin sekuestruar një person të tretë, ngjarje kjo që kishte ndodhur para tre muajve. Policia vendore ishte vënë në alarm në atë kohë pasi kishte pasur sinjalizim se dy djem të rinj kishin marrë peng një të ri tjetër duke e shpënë në një pyll në afërsi të qytetit Rrëshen. Në një aksion blic në mes të qytetit policia kriminale arriti të vërë nën pranga 23- vjeçarin A. Kola, i cili pasi u gjykua, u dënua tre muaj burg. Kola e kreu dënimin dhe tashmë ndodhet i lirë, ndërsa shoku i tij kishte marrë arratinë.
Sipas burimeve të policisë lokale, e gjithë ngjarja kishte ardhur për shkakun e një sasie parash që personi që pretendonte të ishte marrë peng,A. Lekgega 22 vjeç, u kishte dy të rinjve të tjerë. Pas një debati të ashpër dhe përgjigjes negative nga ana e tij për t'iu kthyer paratëKuka dhe Kola kanë arritur ta fusin në makinë 22- vjeçarin duke i kërkuar paratë përndryshe nuk do ta lëshonin. Për këtë arsye ata e kanë dërguar në afërsi të pyjeve të Gëziqit. Kola, pasi është arrestuar, e ka shpjeguar këtë me faktin se kanë dashur ta trembin që t'iu jepte paratë që ia kishin dhënë borxh dhe jo ta merrnin peng, siç kishte deponuar Lekgega në polici.
Pikërisht të njëjtën gjë ka pohuar dje dhe Ervis Kuka gjatë vetëdorëzimit në polici. Ai ka shpjeguar se për asnjë moment nuk kishin pasur qëllim ta merrnin peng 22 -vjeçarin por thjesht kërkonin sërish paratë e tyre. Ky version është mohuar nga A.Lekgega, i cili është shprehur në polici se është keqtrajtuar disa orë dhe më pas është lënë i lirë. Sapo është lënë i lirë ai ka shkuar në policinë e Rrëshenit dhe ka bërë denoncimin përkatës. Tashmë do t'i takojë gjykatës që të vendosë nëse Ervis Kuka është fajtor për vetëgjyqësi apo për pengmarrje personi.
Shekulli
0 Comments:
Post a Comment