VLORË- Marko Hysi, i shoqëruar nga policia pas vrasjes së një 15- vjeçari dy netë më parë në qytetin e Vlorës është lënë sërish i lirë disa orë më pas.
Vrasja e 15- vjeçarit Marko Gjini ndodhi mbrëmjen e së shtunës në afërsi të qendrës kulturore, pjesë e të cilit ishte djali që humbi jetën. Sipas policisë, mësohet se kanë qenë një grup prej tre djemsh që janë përfshirë në zënkë. Adoleshenti ishte pjesë e trupës së valleve, që stërviten pranë qendrës kulturore, në ambientet e jashtme të saj. Për gati tre javë djali nuk kryente prova, thjesht ndonjëherë merrte pjesë në to, pasi kishte pësuar një dëmtim në dorë. Pak para se të niste zënka, ai kishte qenë në provat e valleve.
Teksa ka dalë nga to është përfshirë në grindjen, pasi tre djem po e prisnin në ambientet e jashtme të pallatit. Njëri prej tyre, pasi kanë debatuar ashpër e ka qëlluar me kaçavidë bashkëmoshatarin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Pas kësaj, Gjini ka rrëmbyer një dërrasë, të cilën e ka marrë te godina që po ndërtohet pranë pallatit të kulturës dhe ka përzënë një nga agresorët, duke ecur disa metra, por pranë lulishtes që ndodhet te universiteti, fuqitë e kanë lënë dhe 15-vjeçari i plagosur ka lëshuar dërrasën, duke u kthyer dhe ecur deri te shkallët e pallatit të kulturës, ku edhe ka rënë pa ndjenja.
Pas ngjarjes policia, bazuar në deklarimet e dëshmitarëve, shoqëroi në komisariat 15- vjeçarin tjetër Marko Hysi. Ky i fundit u morr në pyetje dhe deklaroi se sapo ishte kthyer nga Greqia dhe atë natë kishte qenë krejt rastësisht në vendin e ngjarjes. Hetimet e mëtejshme treguan se djali po thoshte të vërtetën dhe menjëherë është lënë i lirë. Ndërkohë në komisariat ndodhet ende një 14- vjeçar, i cili ka qenë së bashku me agresorët. Burimet pohuan se ai ka treguar emrin e vrasësit por ky i fundit nuk është arrestuar ende.
(Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment