Albanian Times: "Aksinja Xhoja, pianisjta shqiptare në skenat e mëdha të Europës"

Në Shqipëri njihet si vajza e Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, ndërsa në Itali, Angli e vende të tjera, vlerësohet si pianistja e famshme.

Shumë personalitete të kulurës Italiane, vlerësojnë talentin e saj, por për Orkestrën e madhe të Londrës, ajo është pianistja e domosdoshme që përcjell vetëm suksesin. Për pianisten shqiptare, që banon prej 17 vjetësh në Itali shkruajnë gazetat, përcillen koncerte nëpër kanale televizive prestigjoze.

Në vitin 2004 Lionello Maci, botoi volumin e dytë “Personaggi Brindisini”, ku janë përfshirë personalitete të famshme, që kanë lindur apo jetojnë në Brindisi dhe që janë bërë të famshëm në botë. Aty përfshihen edhe Nikolin e Aksinja Xhoja.
Gjithashtu regjizori Davide Barleti,pas suksesit të dokumentarit të vitit 1997,për të cilin ka marrë disa çmime ndërkombëtare, ka bërë personazhe të filmit të tij historinë dhe famën e familjes Xhoja, duke u ndalur tek pianistja, Aksinja. Xhirimet kanë nisur në Brindizi, por vazhdun në Durrës, Vlorë dhe do të shfaqet në muajin gusht, në festivalin e parë ndërkombëtar të filmit në qytetin e Brindëzit. Po atë ditë me vendim të Regjione Puglia, një rruge do t’i vihet emrin “Nikolin Xhoja”-Gioia.

Në një intervistë ekskluzive, artistja shqiptare, me famë ndërkombëtare flet për herë të parë, për suksesin, por edhe brengat e jetës, dhimbjen për të atin që vdiq i ri dhe vëllanë Ugo, që jetoi pak vite dhe që rininë e kaloi në burg, pse ironizoi sekretarin e Parë. Ajo përcjell edhe trishtimin, që bashkia e Durrësit i ka marrë shtëpinë në qytetin e lindjes dhe me arbitraritet i kanë dëmtuar arkivin e familjes së artistëve Nikolin dhe Meropi Xhoja.

Jeni shumë e njohur në Itali, ndërsa lexuesi shqiptar ju njeh më shumë si vajza e Nikolin Xhojës. Kush është Aksinja, pianistja shqiptare që jeton në Brindizi?
Kam lindur në qytetin e Durrësit, kam kryer studimet në Liceun Artistik në Tiranë nën kujdein e mësueses Lali Gabeci. Jeta ime koncertale, ka filluar qysh në moshën 6 vjeç. Madje kam dhënë koncerte edhe përpara delegacioneve të huaja. Interpretimet e mia në piano, janë dëgjuar me vëmëndje, nga Hrushovi, Cuen Lai, Mao Ce Duni, Fidel Kastro etj, që i shoqëonte vetë Enver Hoxha. Ishte eveniment për mua, një fëmijë, që më duatrokisnin personalitete të mëdha të botës. Mbresa të paharrueshme më kanë lënë koncerti që dhashë përpara pianistit francez Henrik Heidciek, i cili më puthi duart pas koncertit. Më tingëllon edhe sot, komplimenti i tij se “unë isha një talent i madh në Europë”. Kuptohet, atëherë isha e vogël dhe nuk i kuptoja këto vlerësime, por dashuria për pianon rritej bashkë me mua. Më tej përfundova studimet në Institutin e Lartë të Arteve me profesoreshën Margarita Kristidhi.

Ky talent,besoj u bë pjesë e orkestrave të rëndësishme?
Jo. Pasi u diplomova shkëlqyeshëm, u emërova në shkollën e mesme të muzikës në Gjirokastër. Pra nuk bëhej fjalë as për në Tiranë, por as edhe në qytetin tim të lindjes, tek prindërit, pasi kisha “njollë në biografi”. Vëllai im, Ugo, ishte në burg për agjitacion e propogandë, pasi diku ishte shprehur që Sekretari i Parë i Durrësit, është pa shkollë dhe suhet të shkojë të drejtojë një karrocë me kuaj dhe jo një qytet si Durrësi. Gjithësesi, unë çela degën e pianos në atë shkollë dhe provova kënaqësinë e të qënit mësuese.

Cili ishte angazhimi yt,si pianiste, jashtë mureve të shkollës?
Atë vit, mora pjesë në festivalin e parë kombëtar dhe fitova çmimin e parë me interprtimin e koncertit nr.1 të Çajkovskit. Më pas e luajta këtë koncert me orkestrën Simfonike të RTSH-së drejtuar nga Ferdinand Deda, ku gjithashtu u vlerësova.

Pas këtij evenimenti, më trasferuan në shkollën e muzikës në Durrës, për të qenë pranë tim eti, që ishte i sëmërë rëndë në ato vite. Dua tju them se gjatë peiudhës artistike në Shqipëri, kam pasur aktivitet shumë të gjërë koncertal me orkestrat simfonike të Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, koncerte recitale solo, me këngëtarë, apo me instrumenta të ndryshëm. Kam dhënë koncerte në shumë qytete të Shqipërisë si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Shkodër, Elbasan, Korce dhe deri në Kukës. Në vitin 1989 Kuvendi Popullor më dha Medaljen “Naim Frashëri”, me motivacionin “Për një aktivitet muzikal me nivel të lartë artistik dhe për kontributin e përhapjes së muzikës kombëtare”.

E braktisët mësuesinë?
Jo. Krahas aktivitetit artistik, kam punuar me shumë pasion edhe si profesoreshë pianoje, duke i konsideruar dhe trajtuar gjithmonë nxënësit dhe studentët, si të ishin fëmijët e mi. Shumë prej tyre, janë bërë të famshëm dhe kontribojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, sikurse është Elton Xhoja, nipi im, që tani është profesor në Konservatorin e Bostonit në Amerikë dhe që ka një aktivitet koncertal shumë të pasur. Të tjerë ish-nxënës janë në Australi, Itali, Angli, Francë, por edhe në Shqipëri. Studente të mia në Itali, janë edhe dy vajzat e Al Bano Carrisit Cristel dhe Romina Junior dhe shumë të tjerë që janë bërë instrumentistë dhe këngëtarë të njohur si edhe aktorë të rinj të teatrit dhe filmit, të cilët kanë marrë pjesë në master klas në shkollën e aktorëve “Nikolin Xhoja-Gioia”.

Në çfarë rruge shkuat në Itali?
Shkova me ftesë të pianistit-koncertist Maestro Aldo Cicolinit, i cili pasi kishte dëgjuar interpretimin tim të koncertit nr.1 të Çajkovskit në orkestrën e Radio-Tiranës, i shkroi qeverisë shqiptare, se ndjehej tepër i ekzaltuar nga ky interpretim i jashtëzakonshëm dhe se ai dëshironte të shkoja pranë Akademisë internacionale “L Perosi” të Biellas, ku ai zhvillonte Masterclass, për të dhënë një sërë koncertesh dhe për të bërë të njohur talentin tim në Itali dhe shumë vende të botës. Dhe kjo ndodhi realisht.

Si mundët të ingranoheni në një shoqëri ndryshe dhe aq më tepër, të shquheni edhe pse ishit shqiptare?
Nga përvoja ime, gjykoj se arti nuk njeh kufi shtetesh dhe për më shumë, cilëia e muzikës, është komunikimi nëprmjet tingujve dhe zemrës, që është njëlloj në të gjithë botën. Unë flas 5 gjuhë, gjuhën e nënës, shqipen time të shtrenjtë, italisht, frëngjisht, anglisht dhe rusisht, që më kanë ndihmuar për të organizuar jetën koncertale, por komunikimin e vërtetë me spektatorin, e ndjej kur jap koncerte dhe pas çdo koncerti, më vijnë ftesa të reja për koncerte të tjera.

Mund të na flisni për karierën tuaj koncertale në Itali dhe shtete të tjera?
Kam filluar karierën artistike në Romë, për të vazhduar në Milano, Venezia, Bari, Leçe, Brindizi, Otranto, Taranto, Gallipoli, Porofino etj. Veprimtari mjaft të gjërë kam në Angli, ku jam e pranishme vazhdimisht për të luajtur me orkestrën “The Virtuosi of London”, nën drejtimin e dirigjentit Sir.Anthony Goodchild, si dhe koncerte recitale solo, apo edhe me këngëtarë italianë, anglezë si dhe me instrumentistë të ndryshëm. Kështu mund të përmendim edhe Francën e shtete të tjera, që tashmë janë në axhendën e përhershme të karirës sime si pianiste.
Këngëtari italian Al Bano Carrisi ka shprehur konsidertë për talentin tuaj si pianiste, cilat janë lidhjet tuaja me të?

Kam jetuar me familjen time 2 vjet në Tenuten Al Bano Carrisi në Cellino San Marco, sepse bashkëpunonja me Al Banon dhe Rominën, por edhe jepja mësim në piano vajzave të tyre Cristel e Romina Junior Carrisi, ashtu edhe nipërve te Albanos, Rosita e Marco Carrisi. Kam kujtimet e mia më të mira për familjen Carrisi, duke filluar më nënën e Al Banos, Yolandën, babanë Don Carmelo, për 80 vjetorin e të cilit organizova një koncert me këngëtarin francez Charles Mathe. Don Carmello kishte një simpati të vecantë për Shqipërinë dh shqiptarët, pasi ka qenë gjatë luftës së dytë botërore atje dhe kur rrezikonte jetën nga gjermanët, një familje gjirokastrite e kishte strehuar dhe i kishte shpëtuar jetën.

Në vitin 1986, kur punoja në shkollën e muzikës në Gjirokastër, Al Bano dhe Don Carmelo dhe Dona Yolanda, erdhën për herë të parë në Gjirokastër, për të kërkuar atë familje. Me këtë rast Pallati i Kulturës dhe shkolla e muzikës pregatitën një koncert mirëserdhjeje familjes Carrisi. Pikërisht aty u njoha dhe u shoqërova për herë të parë me Al Banon. Më vonë, kur unë isha vendosur në Brindizi, Al Bano erdhi në shtëpinë time dhe më kërkoi që të shkoja të jetoja në Contraden Carrizi. Në këtë periudhë, u lidhëm me një miqësi të fortë edhe me Romina Poëer, frekuentoheshim shpesh, flisnim për muzikën, letërsinë, pikturën, pasi sikurse dihet, Romina është një artiste e jashtëzakonshme dhe me shumë interesa kulturore dhe një grua shumë aktive. Rominës, i pëlqente shumë që të vinte në mëngjes tek ne, për të pirë kafenë nga dora e nnës sime, Meropi, që e admironte shumë.

Vazhdoni të ruani miqësinë me Al Banon dhe vecmas me Rominën?
Po, vazhdojmë të jemi miq, të kemi vajtje-ardhje reciproke. Ja, vetëm para pak kohe, unë sëbashku me vajzën e tyre, ish nxënësen time Cristel, regjistruam në CD, që do ta paraqiste në Amerikë.

Cilat do të vlërësonit si koncerte më famoze që keni interpretuar nëpër skenat e botës?
Janë shumë, por unë do tju përmend koncertin recital “Ëndrra e fundit e Nënë Terezës”, programuar në Todi Festival në Romë, ku të ardhurat e koncertit iu dhuruan spitalit të ri në Tiranë, për blerjen e aparaturave të reja. Si në mjaft koncerte që kam dhënë në bashkëpunim me FAO, Caritas, Fair Play For Children në Itali dhe në Angli, të ardhurat e këtyre koncerteve kanë vajtur në ndihmë për ndërtimin e spitalit Psikiatrik në Durrës dhe në ndihmë të fëmijve të varfër shqiptarë, jugosllavë, rumunë, afrikanë.

Cila është jeta familjare e Aksinjës, e dini përmbajtjen e emrit tuaj?
Pasi jetova dy vitet e para në Romë, pastaj dy vite tek Kontrada Al Bano Carrisi, vendosa të jetoj në familjen time në Brindisi, Është qyteti ku ka lindur babai im Nikolin Xhoja, me baba italian dhe nënë shqiptare, është qyteti i bashkëshortit tim Marcello Scardiçhio, e qyteti ku lindi vajza ime Marilyn Scardiçhio që tani eshte 15vjece. Nënës sime i është dhënë titulli “Artiste e Merituar” që në vitin 1974. Ajo ka filluar veprimtarinë artistike në vitin 1936 dhe sëbashku me tim atë Nikolin Xhojën, kanë qenë ndër të parët që themeluan teatrin e Durrësit. Nëna ime, ka mall për Shqipërinë, për Durrësin, ku ka lënë jetën e saj. Ajo u detyrua të jetonte me mua në Itali, sepse gjatë mungesës së saj më 1992, pasi kish ardhur për një vizitë tek unë, zotërinjtë e Bashkisë së Durrësit, i hapën shtëpinë dhe ia dhanë ish-pronarëve, duke i premtuar se do ta strehonin shpejt. Kanë kaluar 15 vjet, janë ndërruar disa kryetarë bashkie dhe Artistja e Merituar, bashkëshortja e artistit të Popullit Nikolin Xhoja, është në pritje të marrjes së shtëpisë, që përvecse për të jetuar në të, do ta shndroj dhe në një arkiv të jetës dhe aktivitetit të familjes që ka dhënë kontribut të shquar në fushën e artit.

Pyetëm për prejardhjen e emrit tuaj...
Prejardhja e emrit Aksinja, vjen nga greqishtja e lashtë, Xenia, e cila, sipas mitologjisë greke, ishte princesha mbrojtëse e të huajve. Në vendet sllave, ky emër është transformuar në Aksinja.Gjyshja ime, nëna e babait, Parashqevia, ishte e martuar me një rus Porfir Gllatki, nëna e të cilit quhej Aksinja. Babait tim i pëlqente shumë ky emër.

Cilat janë kujtimet për babanë tuaj, artistin e madh Nikolin Xhoja?
Mendoj se kam qënë me shumë fat, që jam bijë e dy artitëve të mëdhenj, Meropi dhe Nikolin Xhoja. Përveçse artistë, ata janë edhe prindër të jashtëzakonshëm, na kanë dashur shumë dhe kujdeseshin jashtë mase për ne, arsimimin dhe edukimin për të trashëguar vlerat e tyre. Merita e nënës sime janë të mëdha, sepse siç dihet, prapa suksesit të “një burri të madh”, gjëndet një grua e madhe. Nga babai morëm edukatën e leximit të librave, që vetë ai, për të interpretuar një komedi, studionte periudhën që kishte shkruar shkrimtari, rrethanat shoqërore të personazheve dhe më gjërë. Shtëpia jonë, ka qenë dhe mbetet plot me artistë. ka gjithmon një atmosferë gazmore dhe argëtuese.

Ka ndonjë ëndërr në sirtar Aksinja Xhoja?
Kam shumë, sepse jam ëndërrimtare e përjetëshme. Përpiqem të realizoj ëndërrat e mia dalë-ngadalë. Më e rëndësishme për mua, është të ngre sa më lart emrin e Shqipërisë, në çdo vend të botës ku realizoj artin tim. Shpresoj shumë që vajza ime Merilyn, që bashkon emrat e prindërve të mi artistë, të përcjellë traditën e familjes Xhoja.
Ka ndonjë brengë pianistja shqiptare?

Vdekjen e parakohshme të tim eti, që nëse do të ishte dërguar jashtë për mjekim, do të ishte mes nesh sot dhe do të shihte Brindëzin, qytetin e lindjes, nga ku u largua 8 vjeç. Brengë është për mua, motrën e vetme, vdekja në moshë të re e vëllait, Ugos, që nuk shijoi as rininë. Po kështu më dhemb shpirti kur kujtoj se si bashkia e qyteti tim, Durrësit, nxori jashtë shtëpisë sonë arkivin e familjes Xhoja dhe sot, pas 16 vjetësh ende nuk është korigjuar. Është e dhimbshme, që nëna ime, në moshën 80 vjeçare, kur shkon në Durrës, fle tek miqtë e babait. Ndoshta do të korigjohet kjo padrejtësi që i është bërë familjes Xhoja.

(BalkanWeb)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors