Zgjedhje të parakohshme, pas raundit të tretë në Kuvend

Zgjedhje të parakohshme, pas raundit të tretë në Kuvend

Për një interpretim më të saktë, sot mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve. Më pas, Konferenca e Kryetarëve do marrë vendimin

TIRANË- Mungesa e kandidatëve për President edhe në raundin e tretë, që do të jetë të mërkurën tjetër, rrezikon shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur dje pasdite nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli ka diskutuar për gati dy orë rreth kësaj çështjeje, ku shumica e krerëve të grupeve parlamentare ka ngritur shqetësimin se nuk mund të shkohet sërish në raundin e tretë pa kandidat, pasi Kushtetuta ka të kushtëzuar zhvillimin e raundit të 4 dhe të 5, në varësi të rezultateve të votimit që dalin nga ky raund.

Ndërkaq, për të bërë një interpretim më të saktë të Rregullores së Parlamentit, sot në mëngjes do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve. Më pas, Konferenca e Kryetarëve do të marrë një vendim, të cilin do ta bëjë të ditur gjatë mbajtjes së raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, është hedhur edhe ideja për ta çuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Por, më pas, sërish mendimi në fjalë është tërhequr, pasi është e pamjaftueshme koha deri ditën e mërkurë, kur edhe do të zhvillohet raundi i tretë për të votuar për Presidentin e ri. "Nuk mund të shkohet në seancë pa kandidatë.

Kishte një mendim të përafërt të maxhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve, për këtë çështje. Me aq sa shoh, vendi nuk ka kandidatë dhe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme",- tha kreu i grupit të PDK-së, Nikollë Lesi, pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve. Sipas tij, Kushtetuta nuk të lejon që të konsumosh raundin e tretë pa votuar kandidatët, ashtu siç ndodhi me dy raundet e para, pasi raundi i katërt nuk mund të zhvillohet.

Lesi saktësoi se nëse nuk do të ketë kandidat zyrtarë deri të mërkurën, pas kësaj dite, Parlamenti quhet i shpërndarë. Por nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PDR-së, Tritan Shehu tha se procedurat do të qartësohen nga Këshilli i Rregullores dhe Mandateve. Sipas tij, pa u paraqitur zyrtarisht kandidatët, atëherë të gjithë duhet të merren me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. "Problemi i interpretimit legal, nuk na takon ne ta bëjmë.

Ne bëjmë vetëm opinione, ne vetëm kërkojmë që të qartësohen procedurat e Parlamentit. Pikërisht për të qartësuar këto procedura, u vendos që të mblidhen disa struktura të tjera të Parlamentit dhe pastaj të bëhet një mbledhje tjetër e Konferencës së Kryetarëve. Unë e them personalisht këtë, që, nëse ne politikanët nuk e vendosim këtë proces mbi baza normale, nuk paraqesim kandidatët për t'u votuar, realisht ky proces po shkon drejt dështimit. Dhe duhet të mendojmë kryesisht pastaj për datën e zgjedhjeve sesa për gjëra të tjera",- tha Shehu.

Për dy të mërkura me radhë, Parlamenti ka konsumuar dy raunde votimi për kreun e ri të shtetit, por pa votuar, pasi kandidatët zyrtarë kanë munguar. Në nenin 87 të Kushtetutës, thuhet se "Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt, ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave".

Source: Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors