Blushi&Mediu: Berisha e Rama të "zgjedhin" Presidentin
TIRANË- Emri i Presidentit të ardhshëm duhet të përcaktohet nga një takim i nivelit të lartë Berisha-Rama.
Kreu i grupit kuvendor socialist, Ben Blushi dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kanë qenë në një linjë mendimi se tryeza aktuale e bisedimeve PD-PS nuk mund të diskutojë për emrat. Sipas tyre, kjo tryezë ka mandat vetëm të përgatisë terrenin për një takim midis dy liderëve të politikës shqiptare.
"Besoj se palët në parim janë dakord që një çështje kaq e rëndësishme, kërkon detyrimisht një takim në nivel më të lartë. Ne kemi kërkuar që në fillim takim të nivelit të lartë dhe ka qenë Berisha, ai që ka qenë hezitues.
Jemi gati që, për hir të një zgjidhjeje të shpejt dhe logjike, të investojmë për një takim të nivelit të lartë, për një takim që duhet gatuar dhe që po ndodh",- tha Blushi, mbrëmë në emisionin "Top Story".
Ndërkohë që, kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka konfirmuar nga ana tjetër gatishmërinë e kryeministrit Berisha për t'u takuar me Ramën, por, sipas tij, një takim i tillë duhet të vijë vetëm në momentin që janë zgjidhur çështjet teknike. "Jam takuar me z.Rama dhe kam biseduar dhe për çështjen e Presidentit, dhe të një takimi midis tij me Berishën.
Unë kam kërkuar që Rama të vinte si përfaqësues i gjithë opozitës, ashtu sikundër dhe Berisha duhet të vinte si përfaqësues i mazhorancës", - u shpreh Mediu.
Pavarësisht ecurisë së deritanishme të negociatave, dy politikanët janë shprehur optimist se kjo çështje do të zgjidhet brenda afateve kushtetuese. Megjithatë, kryetari i grupit socialist ka theksuar edhe një herë, se kandidatura e Topit mbetet provokuese për opozitën dhe për rrjedhoje pengon konsensusin.
Sipas tij, opozita ka pranuar që edhe mazhoranca të ketë drejtën për të propozuar kandidat për kryetar shteti, por kjo kandidaturë nuk mund të jetë ajo e Bamir Topit. "Ne nuk ishim kokëfortë, për të kushtëzuar mundësinë për të propozuar emrin e Presidentit vetëm nga opozita.
Palët do të kenë akses të barabarte për të propozuar. Megjithatë, unë besoj se nuk mund të ketë një President nga mazhoranca",- u shpreh Blushi. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që edhe në raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit të ri në Kuvend, përsëri palët të mos kenë kandidat.
Gjithashtu ai ka bërë të qartë se kandidatura e Moisiut dhe ajo e Nanos, do të jenë pjesë e listës që opozita do të paraqesë në tryezën e bisedimeve. Kjo, për shkak se Moisiun e kërkon LSI, dhe se Nano ka të drejtën e tij legjitime që të kërkojë të kandidojë.
Source: shekulli
0 Comments:
Post a Comment