Presidenti, lista e kandidatëve të opozitës

Presidenti, lista e kandidatëve të opozitës

Klosi shprehet se kandidaturat do jenë gati, në çdo moment që mazhoranca do të heqë dorë nga zyrtarizimi i kandidaturës së Bamir Topit

TIRANË- Fillojnë diskutimet e para publike, për listën e kandidatëve të opozitës për postin e kryetarit të ri të shtetit.

TyNë mbështetje dhe të vendimit të tryezës së fundit të kryetarëve të partive të majta, koalicioni opozitar ka filluar hartimin e listës me emrat që do t'i paraqiten mazhorancës në negociatat e ditëve në vazhdim, gjithmonë, nëse kjo e fundit heq dorë nga kandidatura e Bamir Topit.

Të vendosur për të mos lejuar që Presidenti i ri të dalë nga shumica, të majtët janë të gatshëm që, në momentin që në negociata do të arrihet në përfundimin se kandidati për President duhet t'i përkasë opozitës, të paraqesin emrat konkretë.

Opozita, në tryezën e saj të fundit ka vendosur hartimin e një liste me kandidatura të majta për Presidentin e ri, ku natyrisht dhe partitë aleate të PS-së do të kishin të drejtën për të propozuar emrat e tyre.

Kështu, megjithëse jo në mënyrë zyrtare, në gjirin e opozitës ka nisur të qarkullojë një listë e përbërë nga emra të njohur të së majtës, ku kryesisht bien në sy 6 kandidaturat që vijnë nga radhët e socialistëve.

Ndërsa vetëm dy janë kandidaturat e propozuara nga aleatët e vegjël, ku natyrisht nuk mund të mungonte kandidatura e presidentit aktual, Alfred Moisiu, e cila mbështetet nga LSI, dhe e kryetarit të PDS-së, Paskal Milo.

Ndërsa pjesa kryesore e kësaj liste përbëhet nga emra të njohur të PS-së, të cilët për vite me radhë kanë qenë protagonist të zhvillimeve politike në vend. Bëhet fjalë për ish-kryeministrat, Fatos Nano, Bashkim Fino dhe Ylli Bufi, dhe ish-kryetarët e Kuvendit, Kastriot Islami, Servet Pëllumbi dhe Namik Dokle.

Megjithatë, përfaqësuesi i PS-së në negociatat me PD-në, Blendi Klosi ka mohuar dje që të ekzistojë një listë e tillë, pavarësisht vlerësimit që shpreh për këto figura. Sipas tij, PS dhe e gjithë opozita nuk ka ende një listë konkrete, pavarësisht emrave potencialë që mbart në vetvete.

Ai ka theksuar se "kandidaturat do të jenë gati, në çdo moment që mazhoranca do të heqë dorë nga zyrtarizimi i kandidaturës së Bamir Topit". Lista e emrave të kandidatë të opozitës, përpara se t'i paraqitet tryezës së bisedimeve me mazhorancën, do të kalojë për diskutim, dhe më pas për miratim në tryezën e kryetarëve të koalicionit të majtë.

Nisur nga deklarimet e disa prej krerëve të opozitës gjatë ditës së djeshme, lista në fjalë pritet t'i bëhet një seleksionim thelbësor për të përzgjedhur midis emrave të propozuar, ato që mbartin më shumë vlera. "Emrat do të kalojnë në tavolinën e opozitës dhe, sigurisht, kjo listë duhet të jetë sa më e kontrolluar",- tha Gjinushi.

Në këtë linjë pritet të ketë debate, pasi një pjesë e mirë e aleatëve socialistë janë shprehur kategorikisht kundra emrit të Fatos Nanos, ndërsa kanë mbështetur emrin e Alfred Moisiut. Megjithatë, mbledhja e tryezës së opozitës do të jetë në varësi të ecurisë së negociatave dypalëshe me PD-në.

Source: shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors