Lista e kandidatëve, Nano kërkon të jetë i vetmi

Lista e kandidatëve, Nano kërkon të jetë i vetmi

Ish-kryeministri zhvillon takim me Blushin, Finon dhe deputetë mbështetës të tij

TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nano kërkon të jetë kandidatura e vetme e Partisë Socialiste, kur kjo e fundit do të diskutoje fillimisht me aleatët, e më pas në tryezën me mazhorancën.

Për të realizuar këtë qëllim, ai ka nisur kontaktet e shpeshta me grupin parlamentar. Kështu, ish-kryesocialisti, në funksion të gjetjes së një mbështetjeje sa më të madhe, ka vijuar takimet me figura potenciale të PS-së.

Menjëherë pas seancës parlamentare të ditës së mërkurë, ku dhe u mbajt raundi i dytë i zgjedhjes së kreut të shtetit, ai është parë në ambientet e një bari, pranë Kuvendit, ku ka zhvilluar një takim me sekretarin organizativ socialist, Bashkim Fino dhe me kryetarin e grupit kuvendor të kësaj force, Ben Blushi.

Gjithashtu, Nano në këtë takim ka qenë i shoqëruar dhe nga disa deputet të tjerë, të njohur si mbështetës të tij. Burime pranë tij, bëjnë të ditur se tema e bisedës së zhvilluar ka qenë pikërisht situata ndërlikuar presidenciale dhe ku duket se Nano ka tentuar që të marrë mbështetjen e dy drejtuesve të lartë socialistë.

Megjithëse nuk jepen detaje të këtij takimi, të njëjtat burime konfirmojnë se ish-kryeministri kërkon të zbatojë një plan-veprimi, për t'u zyrtarizuar si kandidaturë e vetme e PS-së. Kështu, pritet që në mbledhjen e grupit të ditës së hënë, mbështetësit e tij të kërkojnë nga të gjithë deputetët e tjerë socialistë që të mbështesin emrin e Nanos, si një kandidaturë të vetme.

Por ky do të jetë një mision i vështirë, pasi jo vetëm që gëzon kundërshtinë e disa deputetëve, por brenda radhëve të socialistëve përfliten dhe shumë kandidatura të tjera potenciale, siç është edhe ajo e ish-kryeministrit tjetër, Ylli Bufi, i cili nga ana e tij gëzon mbështetjen e disa prej figurave kryesore të PS-së.

Por, siç bëjnë të ditur burime pranë ish-kryetarit Nano, mbështetësit e tij në grupin parlamentar pritet të kërkojnë zyrtarisht gjatë mbledhjes së ditës së hënë, tërheqjen e të gjitha kandidaturave të tjera socialiste nga kjo garë, përfshi këtu dhe atë të Ylli Bufit.

Kandidatura e Nanos pritet të shkaktojë një debat të ashpër, edhe në momentin që ajo do të hidhet për diskutim në tryezën e opozitës. Kjo, pasi disa prej krerëve të partive të vogla janë shprehur publikisht kundra tij.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors