Rënia e gurëve rrezikon jetën e punëtorëve të pllakave
Ervin Kapllani po punonte për nxjerrjen e pllakave të gurit kur një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali
POLIÇAN- Shkëputja e një masivi shkëmbor për pak sa nuk i ka marrë jetën një 17- vjeçari, i cili po punonte për nxjerrjen e pllakave të gurit në fshatin Novaj të rrethit të Beratit.
Ervin Kapllani, 17 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Poliçanit ishte i punësuar në një firmë private të nxjerrjes, përpunimit dhe tregtimit të pllakave të gurit dekorativ.
Rreth orës 14.00 të ditës së djeshme, ai dhe disa punëtorë të tjerë sapo kishin shkëputur disa pllaka guri kur papritur nga lartësia e malit është shkëputur një masiv shkëmbor.
Gurët kanë rënë nga një lartësi e konsiderueshme dhe 17- vjeçari sapo i ka parë është hedhur për t'i shpëtuar. Sipas dëshmitarëve okularë, djali është hedhur nga një lartësi më e madhe se 15 metra për t'i shpëtuar gurëve që vinin nga lart.Ai është përplasur përdhe duke u dëmtuar rëndë.
Kolegët e tij kanë ndërhyrë menjëherë duke e dërguar në spitalin rajonal ku ka përfunduar në gjendje kome. Mjeku kirurg, Eduard Bejko, tregoi dje për gazetën, se djaloshi poliçanas ka qenë pacienti i tij dhe se ai është përmendur vetë në spital në një moment kur të gjithë po humbnin shpresat.
Sipas mjekut, Ervin Kapllani ka pasur tronditje të fuqishme dhe shembje në të gjithë trupin. Si pasojë e tyre ai kishte kaluar në vdekje klinike por fatmirësisht ka mundur që të dalë nga kjo gjendje.
Ervin Kapllani është paraqitur në repartin e kirurgjisë, me fraktura në njërën nga gjymtyrët, fraktura në brinjë, me fryrje dhe plasje të mushkërisë dhe plagë të tjera. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe pas dy orësh ka mundur të dalë nga rreziku për jetën. I plagosuri është mbajtur në spital për t'iu nënshtruar kurave të tjera në mënyrë që të mos ketë dëmtime që do t'i zgjasin për tërë jetën.
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment