Peshkatarët bllokojnë portin, 130 pasagjerë 4 orë në det të hapur

Peshkatarët bllokojnë portin, 130 pasagjerë 4 orë në det të hapur

Greva e peshkatarëve ka vijuar paraditen e djeshme me bllokimin e hyrjes së portit dhe basenit, ku s'kanë lejuar ankorimin e anijeve

Pasagjerët: Torturuam fëmijët në mes të vapës. Grevistët: Do bllokojmë portin deri në rimbursimin e karburantit

Durrës- Greva e peshkatarëve në Durrës mbajti dje peng në det të hapur për rreth 4 orë tragetin "Jonis" me 130 pasagjerë në bord, si dhe nuk lejoi ankorimin e asnjë anijeje tjetër në port. Pas heshtjes institucionale për kërkesat e peshkatarëve për subvencionin e karburantit, peshkatarët vendosën të përshkallëzojnë protestën e tyre, duke mbajtur të bllokuar portin e Durrësit gjatë paradites.

Protestë që si kanë lajmëruar dje, do ta përsërisin edhe në ditët në vijim, deri në zgjidhjen e kërkesave. Pas shumë negociatash, pas 4 orësh që qëndruan në det të hapur, ata lejuan ankorimin e tragetit, ndërkohë që pasagjerët të painformuar për çfarë ndodhte nuk kanë kursyer fjalët për këtë veprim.

Bllokimi

Të vendosura në radhë, anijet e peshkimit bllokuan dje kanalin hyrës të portit të Durrësit dhe basenin e tij në shenjë proteste ndaj mos reagimit të qeverisë shqiptare dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, në lidhje me furnizimin me karburant nga ARMO me çmimin prej 40 lekë për litër.

Vendimi ishte marrë nga kryesia e sindikatës së peshkatarëve dhe shoqatës së menaxhim-peshkimit, të cilët kishin rënë dakord për bllokimin total të portit. Gjë që është bërë realitet që në orën 06.00, kur anijet e peshkimit i janë drejtuar hyrjes së portit.

Në det të hapur

Në një situatë të tillë është bllokuar totalisht lëvizja e anijeve tregtare dhe trageteve, në një kohë që është krijuar një kaos i vërtetë në portin më të madh të vendit. Për herë të parë në historinë e këtij porti është bllokuar hyrja e tij nga greva e përgjithshme e punonjësve të peshkimit.

Bllokimi i hyrjes së portit ka bërë që të mos lejohet dhe futja e tragetit "Jonis" me 130 pasagjerë në bord, kryesisht emigrantë shqiptarë, të cilët i drejtoheshin Shqipërisë për pushime. Ata janë detyruar dje në mes të vapës dhe detit të trazuar të presin krijimin e mundësive për futjen e anijeve në port.

Pas negociatash intensive në mes të përfaqësuesve të grupit të grevistëve, kapitenerisë së portit dhe strukturave të tjera portuale, grupi drejtues i grevës ka vendosur që anijet të largohen nga hyrja e portit, duke lejuar futjen e tragetit "Jonis" me pasagjerë në port.

Pasagjerët: Torturuam fëmijët

Nuk kanë ditur asgjë për këtë grevë dhe janë gjetur të befasuar nga pritja e gjatë në det të hapur. Të nisur në një rrugë të gjatë, pasagjerët e tragetit, kryesisht emigrantë shqiptarë, kanë dëshiruar të zbresin sa më shpejt, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Teksa kanë zbritur ata kanë reaguar të revoltuar pas incidentit të rëndë që i detyroi ato të qëndronin 4 orë në det të hapur. Agim Kodra, një prej pasagjerëve shprehet i indinjuar për këtë skandal, që sipas tij mund të ndodhë vetëm në Shqipëri."Këtushqiptarët trajtohen si shtetas të dorës së dytë"- thotë ai, duke shtuar se ka hequr shumë mes vapës në det duke pritur.

Po kështu Majlinda Hoxha, nga Tirana, një tjetër pasagjere në traget më shumë se për vetë ka pasur hallin e fëmijëve. "jam me dy fëmijët e mi të vegjël që me zor prisnim të zbrisnim. Mu torturuan fëmijët duke pritur mes vapës dhe dallgëve daljen në port »,- thotë ajo, duke shtuar se nuk dihet si do shkonte halli, sikur në bord të kishte të sëmurë.

Porti, prapë i bllokuar

Ndërkohë që pasagjerët shprehen të indinjuar, sipas kryetarit të grevës, Fadil Kërtalli, anijet e peshkimit janë larguar nga hyrja e portit vetëm për shkak të tyre.

Ai shprehet i vendosur se greva do të vijojë. "Greva do të vazhdojë në të njëjtat forma ditët në vazhdim, nëse nuk do të ketë reagim nga ana e Ministrisë së Financave dhe ministrit të saj",- thotë ai. Të njëjtën gjë kanë thënë edhe gjithë peshkatarët e tjerë që prisnin para hyrjes së portit.

Kërkesat

Kërkesa kryesore e grevistëve është furnizim me karburant nga ana e ARMO-s me çmimin e rimbursuar prej 40 lekësh për litër. Ndërkohë kanë nisur kontaktet e para në mes të grupit të grevistëve dhe Ministrisë së Financave.

Sipas kryetarit të grevës, Fadil Kërtalli, sot pritet një takim me përfaqësues të Ministrisë së Financave, ku shpresohet gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes së rimbursimit të karburantit.

Që prej muajit mars, peshkimit i është privuar furnizimi me karburant, në një kohë që prej 7 ditësh të katër portet e peshkimit në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin kanë ndërprerë punën.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors