Greva, rëndohet shëndeti, del një nga minatorët
Defrim Daçi është nxjerrë dje nga mjekët, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore
Bulqizë- Gjendja e rënduar shëndetësore ka detyruar mjekët të nxjerrin njërin prej minatorëve grevistë nga greva e urisë. Grevë që dje ka hyrë në ditën e katërt të saj.
Minatori, Defrim Daçi, 42-vjeç, i cili prej katër ditësh ka hyrë në grevën e urisë, bashkë me 20 kolegë të tjerë, ka pasur dje një gjendje më të keqe se kolegët e tij.
Me ndërhyrjen e mjekëve, Daçi është detyruar të ndërpresë grevën, pasi vuante nga hipertensioni. Ndërkohë që më shumë se gjysma e minatorëve, të cilët janë në grevë, kanë vazhduar dje marrjen e serumeve, por nuk kanë pranuar kurrsesi të lënë grevën.
Ndërkohë nga jashtë ambienteve ku janë ngujuar minatorët, grevën e tyre vazhdojnë ta mbështesin përfaqësues të konfederatës si dhe Federata e Sindikatave Kimi-Metalurgji.
Greva e minatorëve për përmirësimin e kushteve të punës mori përmasa më të mëdha, pak ditë më parë, kur dy minatorë që u detyruan nga sipërmarrësi i minierës të futen me forcë në galeri, mbeten të vdekur në thellësinë mbi 100 metra nga shpërthimi i lëndës plasëse. Ndërkohë që dy ditë më parë, për këtë u arrestuan dy inxhinierët e minierës, të akuzuar si përgjegjës për sigurimin teknik që shkaktoi edhe vdekjen e minatorëve.
Vetë minatorët, ndonëse të pafuqishëm dhe në gjendje të keqe shëndetësore, kanë përsëritur edhe dje kërkesat e tyre për rritje të pagës, përmirësim të kushteve të punës, dorëheqjen e bordit dhe stafit drejtues të minierës, heqjen e të dypunësuarve si dhe të përfitojnë pagesë edhe në ditët që janë duke qëndruar në grevë urie. Por, duket se deri tani askush nuk ua ka vënë veshin.
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment