Legalizimet, qeveria heq afatet për shtesat

Legalizimet, qeveria heq afatet për shtesat

20 për qind e të ardhurave do të shkojnë në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore për investime vendore, në infrastrukturë e shërbime

TIRANË- Hiqen afatet e parashikuara në ligjin e legalizimit përsa i përket pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe gjobës në rastet e shtesave pa leje.

Të paktën kështu është parashikuar me anë të disa ndryshimeve që Këshilli i Ministrave ka miratuar dje në ligjin "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale", i cili është miratuar rreth një vit më parë nga Kuvendi.

Një ndër këto ndryshime ka të bëjë me nenin 41, të ligjit të legalizimeve, i cili flet për kriteret që duhen ndjekur për legalizimin e shtesave. Ky ndryshim, përveç procedurave që duhet të ndjekë njësia e urbanistikës në rastet e shtesave, nuk parashikon vendosjen e afateve për pagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe gjobës.

Me anë të këtij ndryshimi përcaktohet se, "njësia e urbanistikës shqyrton kërkesat e paraqitura për legalizimin e shtesave dhe u njofton subjekteve, që përmbushin kriteret e dokumentacionit, të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe gjobën, kur janë objekt i saj".

Ndërkaq, në ligjin aktual thuhet se, "njësia e urbanistikës, përgjatë afatit të vetëdeklarimit, shqyrton kërkesat e paraqitura për legalizim të shtesave dhe i njofton subjekteve, që përmbushin kriteret e dokumentacionit, të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe gjobën, kur janë subjekt i saj, brenda 30 ditëve pas përfundimit të afatit të vetëdeklarimit.

Ndarja e të ardhurave

Një tjetër ndryshim i miratuar dje gjatë mbledhjes së qeverisë, është dhe ai që ka të bëjë më ndarjen e të ardhurave të arkëtuara nga legalizimi i ndërtimeve pa leje.

Me anë të këtij ndryshimi që i bëhet ligjit të legalizimeve synohet që, 20 për qind e të ardhurave që përfitohen nga legalizimi i ndërtimeve pa leje do të shkojnë në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore për investime vendore, në infrastrukturë e shërbime, për zonën/bllokun informal.

Ligji ekzistues thotë se, nga të ardhurat që përfitohen nga legalizimi, 20 për qind shkojnë në buxhetin e njësisë së qeverisjes, por ato do të përdoren për përballimin e shpenzimeve të kryera, ose që do të kryhen, për përditësimin e plan-vendosjes së zonës/bllokut informal, për investime vendore në infrastrukturë e shërbime dhe për hartimin e studimeve urbanistike.

Në këtë pjesë të ligjit, qeveria ka miratuar dje edhe dy pika shtesë, ku e para përcakton se, "të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e shërbimit dhe çdo penalitet tjetër, i cili shoqëron procesin e vetëdeklarimit dhe të legalizimit, përdoren nga organet përkatëse për përballimin e shpenzimeve, që do të kryhen për përditësimin e zonës me ndërtime pa leje, për përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm për legalizimin e objekteve dhe financimin e studimeve urbanistike të territorit me ndërtime pa leje".

Ndërsa pika e dytë thotë se, "mënyra, koha e mbledhjes së këtyre të ardhurave, vlera e tarifës së shërbimit dhe administrimi i saj, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave".

Source: Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors