Agjencia e Pronave, Berisha shkarkon Boricin
Me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar në krye të AKKP-së, Besnik Maho
TIRANË- Që nga mbrëmja e ditës së djeshme Justina Boriçi nuk është më drejtoreshë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të shkarkojë Boriçin nga posti që mbante dhe të emërojë një tjetër person në krye të Agjencisë. Vendimi i miratuar dje nga qeveria, i cili hyn në fuqi menjëherë, përcakton se, Besnik Maho do të jetë drejtori i ri i Agjencisë së Pronave. Propozimi për shkarkimin e Boriçit dhe emërimin e Besnik Mahos në krye të Agjencisë është propozuara nga vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili është mbështetur në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronave" dhe në vendimit "Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave".
Ndërkaq, për zbatimin e këtij vendimi Këshilli i Ministrave ka ngarkuar ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmali. Lajmi për shkarkimin e Justina Boriçit u përhap fillimisht rreth një javë më parë, por ai nuk u konfirmua nga burime zyrtare pranë Agjencisë së Pronave. Vetëm dje, shkarkimi ka marrë formën zyrtare, ashtu siç është bërë i njohur dhe emri i ri i drejtorit të Agjencisë së Pronave.
Justina Boriçi qëndroi më pak se 10 muaj në krye të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, e emëruar aty po nga kryeministri Berisha, pas shkrirjes së ish Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, strukturë që ishte në varësi të Parlamentit dhe që u drejtua për dy vjet nga Sokrat Sinaj.
Vlen të theksohet se AKKPP-ja që nga krijimi i saj si strukturë në varësi të qeverisë, ka përballuar një volum të madh pune, ku një proces i rëndësishëm ishte përfundimi i dixhitalizimit të të dhënave të dosjeve të ish pronarëve, në drejtoritë kryesore të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ndërkohë kthimi dhe kompensimi fizik i pronave nuk ka mundur të fillojë për shkak të mungesës së të dhënave të sakta që AKKPP-ja duhet të kishte marrë nga ministritë përkatëse që duhet të kishin bërë gati listën e tokave të lira shtetërore.
Source: Shekuli
0 Comments:
Post a Comment