Taksa mbi pagën dhe sigurimet, më të lartat në rajon
Banka Botërore: Biznesi në Shqipëri paguan taksa më të larta për punën dhe sigurimet se rajoni
Taksat e miratuara në këtë paketë kanë nivele të ndryshme, ndërsa kalimi i tatimit progresiv mbi të ardhurat në formën proporcionale, për të gjithë specialistët e financave, nuk ka asnjë lidhje me taksën e sheshtë.
Një reformë e tillë që, në gojën e ministrit të Financave dhe të Kryeministrit, vlerësohet si e implementuar me sukses, por në këtë paketë jo vetëm që nuk vërehet, as që mund të mendohet, në një kohë që ende dy taksa nuk janë vënë në të njëjtin nivel.
Taksa mbi punën dhe sigurimet shoqërore mbeten më të lartat në rajon, megjithëse qeveria është duke lançuar çdo ditë "parajsën" e re fiskale, që vetëm sipërmarrja nuk është duke e përjetuar. Sipas Raportit të Bankës Botërore, për të bërit biznes, gjatë vitit të kaluar, taksat mbi pagën dhe sigurimet shoqërore që janë paguar nga sipërmarrja në vend, janë 5% më të larta se vendet e rajonit dhe rreth 12% më të larta se vendet e Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD).
Rreth 35.6% të fitimeve të një biznesi të vogël apo të mesëm, në vend, shkon për pagimin e tatimit mbi pagën dhe sigurimeve shoqërore, në një kohë që në vendet e rajonit ky tregues është vetëm 30.6%. Sipas Raportit të Bankës Botërore, edhe tatimi mbi fitimin i paguar nga biznesi shqiptar është më i lartë se ai që paguajnë vendet e rajonit. Një sipërmarrje në Shqipëri, paguan rreth 5% më shumë tatim mbi fitimin se sipërmarrja në rajon.
Taksat e reja, ja sa do paguhet në korrik
Trefishimi i taksës mbi shitjen e shtëpive dhe makinave, rritja e akcizave të karburanteve, verës, birrës, pijeve alkoolike, vendosja në një nivel proporcional prej 10% për tatimin mbi të ardhurat, vendosja apriori e pagave për sektorin privat, janë dhe vendimet e fundit që pritet të rrisin çmimet dhe ulin pagat e konsumatorëve.
Parlamenti ka miratuar në parim gjatë ditës së djeshme këtë paketë fiskale, që ka patur si kryefjalë vendosjen e takës së sheshtë. Por, nëse do të shohim projektligjet e miratuara, asgjë nuk ka lidhje me taksën e sheshtë në këtë paketë.
Taksat e miratuara në këtë paketë kanë nivele të ndryshme, ndërsa kalimi i tatimit progresiv mbi të ardhurat në formën proporcionale, për të gjithë specialistët e financave, nuk ka asnjë lidhje me taksën e sheshtë. Një reformë e tillë që, në gojën e ministrit të Financave dhe të Kryeministrit, vlerësohet si e implementuar me sukses, por në këtë paketë jo vetëm që nuk vërehet, as nuk mund të mendohet, në një kohë që ende dy taksa nuk janë vënë në të njëjtin nivel.
Rritje akcizash dhe çmimesh, për karburantet
Grosistët e karburanteve kanë bërë të ditur se të gjithë rritjen e akcizës prej 4 lekësh për litër, do ta kalojnë mbi konsumatorët. Një deklaratë e tillë e bërë nga ana e grosistëve është e besueshme, në një kohë që reflektimet në çmime në këtë treg janë vetëm në rritje.
Pra, në rastet kur në bursat ndërkombëtare ka ulje të çmimit të karburanteve, kjo ulje nuk reflektohet në tregun vendës. Ndërsa e kundërta ndodh kur ka rritje të çmimit në bursë, ku reagimi i tregut vendës është i menjëhershëm.
Pijet, dyfishohen akcizat
Edhe akciza për pijet ka pësuar një rritje, që pritet të ketë një reflektim të menjëhershëm në çmime. Akciza për verën është rritur me 30 lekë të vjetra litri, ndërsa rritje të ndjeshme ka pasur edhe për akcizën e birrës dhe të pijeve alkoolike. Dihet tashmë, teorikisht dhe praktikisht, që akcizat janë taksa që paguhen nga konsumatorët dhe joprodhuesit.
Edhe në rastin e Shqipërisë, sa herë që kemi pasur një rritje në akciza gjatë këtyre viteve, reflektimi në çmime ka qenë i menjëhershëm. Rritja e çmimit të naftës dhe të cigareve, pas rritjes së akcizave, ka qenë thuajse në të njëjtën masë me rritjen e akcizës, madje në disa raste edhe më i lartë.
Trefishohet taksa e shitjes së pasurive
Është miratuar edhe trefishimi i taksës në shitjen e banesave, pasurive të tjera të paluajtshme, si edhe makinave. Njëkohësisht, është miratuar edhe rritja e doganave për të gjitha kategoritë e automjeteve të përdorura. Edhe këto taksa duket se nuk janë kosto shtesë për prodhuesit, por në radhë të parë ato godasin xhepat e konsumatorëve.
Masat e marra mbi biznesin
Pagesa e detyrimeve apriori, vendosja e pagave për punonjësit, mosnjohja e shpenzimeve që bëhen jashtë sistemit bankar, si edhe vendosja e kufirit për reklamat, janë disa nga masat që merren në fushën e sipërmarrjes dhe që do futen në zbatim pas muajit korrik të këtij viti.
Njëkohësisht, qeveria ka vendosur që të përgjysmojë taksën korporative nga 20%, në 10%, vendim që pritet të futet në zbatim nga 1 janari i vitit 2008. Njëkohësisht, biznesi prodhues ka kundërshtuar rritjen e akcizave, që sjellin rritje të informalitetit dhe të çmimeve të këtyre produkteve
Source: Shekulli
0 Comments:
Post a Comment