Miratohet në parim, paketë fiskale

Miratohet në parim, paketë fiskale

Malaj: Do votojmë kundër, sepse kjo parajsë fiskale është dështimi i radhës i qeverisë

Kuvendi miratoi dje në parim, me shumicën e votave të maxhorancës, paketën e re fiskale, duke i hapur rrugë ndryshimeve të ndjeshme që parashikohen në sistemin e taksave.

Ndërkohë, ashtu si edhe në komisionet parlamentare, opozita kundërshtoi projektligjet që janë pjesë e kësaj pakete, duke i konsideruar ndryshimet e propozuar në pjesën më të madhe të taksave kryesore, si dështimin e radhës të qeverisë. Paketa e re fiskale përcakton një ndryshim thelbësor në sistemin e taksave që aplikohen prej vitesh në vendin tonë, duke futur taksën e sheshtë, që do të jetë e zbatueshme që nga 1 korriku i këtij viti.

Po kështu, paketa e re fiskale përcakton uljen e tatimit mbi fitimin në masën 10%, ndërkohë që janë përcaktuar edhe detyrimet që kanë bizneset për të, mbi 90% të pagave të punonjësve të tyre, përmes sistemit bankar.

Ndërkohë, nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë e Financave, Arben Malaj, duke folur edhe në emër të grupit parlamentar të PS-së, tha se "do të votojmë kundër kësaj pakete fiskale, sepse kjo parajsë fiskale është dështimi i radhës i qeverisë". Sipas tij, komuniteti i biznesit ka disa kërkesa lidhur me këtë paketë, të cilat janë të drejta dhe duhet të shqyrtohen në komisionet parlamentare. Ndërsa deputeti i LSI-së, Dritan Prifti vërejti se ishte e paqartë paketa lidhur me akcizën për karburantet që do të përdoren në bujqësi, peshkim, energji elektrike etj., duke kërkuar specifikimin e karburantit, për të mos i lënë hapësirë kontrabandës.

Por ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se paketa fiskale sjell disa përmirësime, të cilat konsistojnë në reduktimin e barrës fiskale, në reduktimin e informalitetit, krijimin e një ambienti të favorshëm për biznesin, mbështetjen e pushtetit vendor me më shumë burime shtesë financiare, përmirësimin e administrimit fiskal, me qëllim forcimin e stabilitetit makro-ekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive për mbledhjen e më shumë të ardhurave për Buxhetin e Shtetit.

Po kështu edhe kryeministri Berisha, ftoi deputetët të votojnë këtë paketë, si një ligj i ri për vendin, i cili do të bëjë të mundur një lehtësim madhor të barrës fiskale mbi biznesin, duke e shndërruar Shqipërinë, shtetin me barrën fiskale më të ulët në Evropë.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors