Policia nuk njofton prokurorinë, lirohet i ekstraduari nga Greqia

Policia nuk njofton prokurorinë, lirohet i ekstraduari nga Greqia

Mungesa e komunikimit mes institucioneve i ka dhënë lirinë një të akuzuari për trafikimin e 6 fëmijëve

TIRANË- Një i kërkuar u ekstradua nga Greqia për llogari të Krimeve të Rënda, por mungesa e komunikimit të shpejtë mes institucioneve ka sjellë edhe lirimin e tij.

Nasyri Rrapaj u ekstradua 5 ditë para se policia të informonte prokurorinë, çka është bërë shkak për lirimin e tij nga gjykata. Kjo vonesë elajmërimit ka sjellë lirimin e Rrapajt nga qelia, duke i ndryshuar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda masën e sigurisë së dhënë më 18 maj të vitit 2005 "arrest në burg", në masën e sigurisë "detyrim për paraqitje".

Ky ndryshim i masës së sigurisë, sipas vendimit të gjykatës, ka ardhur pasi i pandehuri Rrapaj nuk është sjellë para togave të zeza brenda 72 orëve të arrestimit të tij dhe në bazë të Kodit të Procedurës Penale ndaj tij duhet ndryshuar masa e sigurisë.

Në të njëjtën mendje me gjykatën ishte edhe përfaqësuesi i prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili u shpreh se: "ekstradimi i të pandehurit Nasyri Rrapaj është bërë nga Greqia me datë 21 qershor, ndërsa prokuroria është njoftuar nga Drejtoria e Policisë vetëm me datën 26 qershor, kështu që kanë kaluar afatet e daljes së të pandehurit para gjykatës për verifikim mase. Në këto kushte kërkojmë nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në masën e sigurisë "detyrim për paraqitje",-tha prokurori.

Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kundërshtuan pretendimet e prokurorisë, duke sqaruar për "Shekullin" se: "Drejtoria e Policisë, me një shkresë të datës 11 qershor ka njoftuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda se me 21 qershor do të ekstradohej nga Greqia i pandehuri Nasyri Rrapaj, i kërkuar nga ky institucion për trafik të fëmijëve",-thuhet nga policia.

Dje, i pandehuri Rrapaj pretendoi pafajësinë e tij, duke shtuar edhe se Gjykata e Apelit në Athinë të Greqisë e kishte dënuar me 5 vjet burg po për të njëjtën vepër penale. "Unë jam dënuar në Greqi me 5 vjet burg për këtë vepër të cilën më akuzon edhe prokuroria shqiptare.

Dy muaj më parë kam mbaruar këtë dënim dhe kam dalë nga burgu, por autoritetet greke më ekstraduan për në Shqipëri ku jam pas hekurave",-tha Rrapaj, duke kërkuar nga gjykata të lirohet se është i pafajshëm. Këto fakte të dënimit të tij në Greqi, i vërtetoi edhe letër- porosia e ardhur nga shteti helen, ku brenda fashikullit të ardhur është edhe dënimi i Gjykatës së Apelit në Athinë e cila e ka dënuar me 5 vjet burg.

Mbi 48- vjeçarin Rrapaj rëndon akuza e trafikimit të 6 fëmijëve nga një familje e qytetit të Patosit, të cilët e akuzojnë për trafikimin dhe shfrytëzimin e tyre për lypje në rrugët e Athinës.

Source: Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors